Ndërlidhjet

logo-print

Kriza greke trondit tregun global

  • RFE /RL

Grafikonet e aksioneve ne Tokio, 16 qershor 2011

Grafikonet e aksioneve ne Tokio, 16 qershor 2011

Indekset kryesore të tregjeve të aksioneve në botë kanë regjistruar humbje dhe valuta euro ka rënë kundrejt dollarit amerikan, në kohën kur po rritet frika se Greqia nuk do të jetë në gjendje t’ua shylejë borxhin investitorëve, të cilët i blenë detyrimet e qeverisë greke.

Rënie të tregjeve janë parë në Uoll Srtit dhe në Japoni, sikurse edhe në Londër dhe kontinentin evropian.

Shpresat se kryeministrit grek Jorgos Papandreu do ta çojë përpara në parlament, pakon e kursimit, e cila do të pengonte dështimin në shlyerjen e borxhit, janë zbehur, që nga dështimi i bisedimeve për koalicionin me opozitën dhe shpërthimi i dhunës në rrugët e Athinës, gjatë protestave kundër planit të kursimit.

Papandreu gjatë një fjalimi televiziv drejtuar popullit, ka thënë se do ta riformatizojë kabinetin qeveritar dhe se do të kërkojë votëbesimin e qeverisë së re, pasi që opozita e ka vënë dorëheqjen e tij si parakusht për t’iu bashkuar ndonjë qeverie të unitetit kombëtar.

“Unë i ofrova propozime të reja liderëve të opozitës me qëllim që të lëvizim më shpejt drejt një konsensusi të nevojshëm kombëtar. E kam bërë të qartë se detyra ime dhe posti im nuk janë të ndërvarura".

"Pavarësisht pozicionit tim, opozita e ka përdorur këtë përpjekje në interes të raporteve me publikun dhe jo në interes të përgjegjësisë politike dhe kombëtare”,
tha Papanadreu.

Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e kanë vënë si parakusht kalimin e pakos së kursimit në mënyrë që të jepet kësti tjetër prej 110 miliardë eurosh, në mënyrë që Athina të paguajë borxhet e qeverisë.

Masat e propozuara do të përfshijnë rritjen e taksave, shkurtimet e programeve sociale dhe pensioneve dhe privatizimim e pronave shtetërore deri në 2015-ën.

Indeksi DAX i Gjermanisë është në mesin e atyre që janë hapur me humbje në Evropë, ndërsa tregtarët shqetësohen për pasiuguri tjera të tregut, pas njoftimit të Papandreut për një riformatim të kabinetit dhe kërkimit të votëbesimit.

“Një riformatim i mundshëm i qeverisë në Athinë shihet nga tregjet e aksioneve me shqetësim të madh, sepse po shohim pasiguri të mëdha, pasiguri politike dhe kjo mund të pasohet me pasiguri ekonomike. Kjo nuk është gjë e mirë për bursat”, tha Olivier Roth, nga Banka "Brothers Seydler".

Krahas pasigurive të tregjeve, Shërbimi i investitorëve Moody tha se do të ulë besueshmërinë e tri bankave të mëdha franceze, për shkak se mbajnë një sasi të konsiderueshme të borxheve greke. Analistët financiarë brengosen se mosshlyerja e borxhit grek do të ketë pasoja infektuese veçanërisht brenda eurozonës.

Ata thonë se në veçanti kjo do t’iu kushtojë vendeve me ekonomi të paqëndrueshme evropiane, që e përdorin euron, si Portugalia e Irlanda.

Këto shtete do ta kenë më shtrenjtë, që të huazojnë para nga tregjet ndërkombëtare, duke i shtyer ato më afër dështimit të shlyerjes së borxheve.

Analistët thonë se një dalje nga kjo situatë për këto shtete mund të jetë një lloj strategjie, që do t’i lejonte ato të shlyjenë borxhin e tyre të pastër dhe të nisin me rritjen ekonomike.

Por, lëvizjet e tilla do të vlenin për ato shtete që hiqen nga euro-zona, e kjo do të krijonte një efekt domino, që do ta ndante euro-zonën. Në një skenar të tillë, tronditjet ekonomike do të ndjeheshin në tërë globin.

Tregtarët si Olivier Roth në Frankfurt thonë se prandaj është e rëndësishme që Greqia të ndihmohet në forma të ndryshme.

“Ajo që duhet bërë është mbështetja për Greqinë në forma strukturore, në mënyrë që ta rindërtojnë ekonominë e tyre ngadalë dhe të mund të marrin frymnë, pasi që të gjitha pakot e kursimit po kanë probleme, për shkak se Greqia po shkon teposhtë me këto pako".

"Kështu që ne duhet ta mbështesim në forma tjera, për shembull përmes ndonjë plani, si ai Marshall”,
tha Roth.

Presidenti francez Nikolas Sarkozi, u ka kërkuar sot liderëve të Bashkimit Evropian që të ndalojnë grindjen se si t’i ndihmohet Greqisë dhe në vend të kësaj të shfaqin unitetin, siç e kishin një dekadë më parë kur e mbështetën euron.

Por, të tjerët, përfshirë edhe analistët- argumentojnë se Greqia nuk mund të evitojë dështimin në larjen e broxhit dhe planet për një pako shpëtimi për Greqinë thjesht do ta shtyjnë të pashmangshmen. (a.i.)
XS
SM
MD
LG