Ndërlidhjet

Deri tani nuk kemi parë hapa konkretë se Qeveria e Kosovës do të mund të vendosë masa reciprociteti për vendet, të cilat nuk e respektojnë marrëveshjen e CEFTA-s. Masa e reciprocitetit është dashur të merret në vitin 2008, atëherë kur Serbia dhe Bosnja kishin bllokuar produktet kosovare, tha për Radion Evropa e Lirë, sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në mesin e këtij muaji do të vendosë taksa doganore prej 10 për qind për vendet, të cilat nuk e respektojnë marrëveshjen e CEFTA-s. Si e komentoni ju këtë vendim?
BERAT RUKIQI
Ky është një propozim që ka ardhur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht nga zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, dhe që është diskutuar edhe në qarqet tjera. Deri tani nuk kam parë një hap konkret në vendosjen e taksave doganore, që janë paralajmëruar si masa reciprociteti në raport me vendet që e kanë bllokuar Kosovën në implementimin e marrëveshjes së CEFTA-s.

RADIO EVROPA E LIRË
A është në gjendje Qeveria e Kosovës ta vendosë këtë taksë doganore?

BERAT RUKIQI

Deri tani kemi vetëm nivel të propozimit. Është paralajmëruar data 15 qershor apo të themi kushtimisht mesi i muajit qershor, për vendosjen e kësaj takse doganore.

Ne mendojmë që Qeveria, kur të propozojë hapa të tillë, të jetë edhe konkrete, duke pasur një plan të qartë, i cili tregon se kur, çfarë mase dhe si do të veprohet, si dhe t’i ndjekë hapat që i parasheh edhe vetë marrëveshja, për shkak se lejohen hapat unilateralë, mirëpo duhet paraprakisht një njoftim që duhet të dërgohet në Komitetin e Përbashkët të CEFTA-s. I njëjti njoftim duhet t’u dërgohet vendeve, ndaj të cilave aplikohet reciprociteti. Deri tani nuk i kemi parë këta hapa konkretë, së paku jo publikisht, për shkak se ndoshta në nivele tjera janë diskutuar, ndoshta edhe janë ndërmarrë, mirëpo nuk janë prezantuar nga ana e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Prandaj, mendojmë që në raste të tilla kur të paralajmërohet dhe krijohen pritjet, duhet edhe të veprohet. Deri më tani nuk e kemi parë këtë veprim, prandaj, në përgjithësi, tash është krijuar një skepticizëm edhe te komuniteti i biznesit që këta hapa do të ndërmerren.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rast të vënies eventuale të këtyre taksave doganore, a pritet të ketë ngritje të çmimeve të produkteve që vijnë nga këto shtete?
BERAT RUKIQI
Është një grup i tregtarëve, të cilët kanë paralajmëruar ngritje të çmimeve edhe pse ky 10 përqindësh nuk ndikon drejtpërdrejt në fitimin e tyre, për shkak se edhe deri më tani kanë krijuar fitime, të cilat janë të arsyeshme dhe iu mundësojnë të themi funksionim normal në biznesin e tyre. Çdo tregtar e pret një rast për ta ngritur çmimin dhe tregu vepron shpeshherë edhe në bazë të pritjeve dhe pritjet tash janë se do të ketë rritje të çmimeve dhe ky paralajmërim i Qeverisë i ka ngritur zërat se mund të ketë ngritje çmimesh në disa produkte.

Konsideroj se kjo nuk duhet të jetë një argument që duhet ta zmbrapsë Qeverinë, mirëpo duhet të jetë një argument, i cili duhet të kundërshtohet dhe që duhet të shërbejë që një vendim i tillë të mos implementohet për shkak se komuniteti i biznesit, përkatësisht Oda Ekonomike e Kosovës që në vitin 2008 ka kërkuar masa të plota reciproke.

Tash dua ta elaboroj çka nënkupton masë e plotë reciproke – embargos duhet përgjigjur me embargo. Hapat që një shtet mund t’i ndërmarrë në raport me një vend tjetër që krijon pengesa tregtare, nuk i specifikon as marrëveshja e CEFTA-s, mirëpo çdo, të themi, dispozitë ndërkombëtare që trajton tregtinë ndërkombëtare edhe në kuadër të organizatës Botërore të Tregtisë, edhe në kuadër rregullave të Bashkimit Evropian, edhe në kuadër të rregullave të CEFTA-s, lejon masa të cilat janë reciproke.

Në këtë rast, masa reciproke mund të jenë në raport me Serbinë vetëm një bllokadë e plotë e produkteve serbe dhe, në anën tjetër, me vendet tjera siç është rasti i Bosnjës, e cila nuk aplikon embargo, por aplikon taksë doganore që bazohet në Parimin e Tarifës së Kombit më të Favorizuar, që është një parim i OBT-së, edhe ndaj tyre duhet të veprohet njëjtë, pra me Parimin e Tarifës së Kombit më të Favorizuar që në rastin e Kosovës është 10 për qind, për shkak se në shumicën e produkteve taksa doganore është 10 për qind.

Asnjë vend i rajonit, në përgjithësi, nuk ka ekskluzivitet në ndonjë produkt, i cili nuk mund të zëvendësohet. Prandaj, argumenti për rritje të çmimeve nuk do të duhej të shërbente si një zmbrapsje nga këta hapa të Qeverisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Atëherë, ju mendoni se në vend të taksës doganore prej 10 për qind, të merren masa reciproke?


BERAT RUKIQI

Marrëveshja i parasheh rastet kur mund të merren masat reciproke dhe i parasheh procedurat - janë procedurat e konsultimit me vende të caktuara, pastaj janë ato të njoftimit të Komitetit të përbashkët dhe njoftimit të vendeve që realisht e kanë shkelur marrëveshjen, apo ndaj të cilave mund të ndërmerren këto masa. Dhe, normalisht, instanca e fundit është Komiteti i Përbashkët dhe arbitrazhi që ekziston në kuadër të marrëveshjes.

Janë gjithë këta hapa, mirëpo ne ndoshta nuk e kemi ndjekur ende rrugën e duhur, sepse ende, siç thashë, nuk kemi parë një njoftim që i është dërguar Komitetit të Përbashkët për të parë se a do të aplikohen këto masa, apo nuk do të aplikohen. Një njoftim i tillë neve na vërteton që Qeveria e ka marrë këtë vendim, u referohet dispozitave të caktuara në kuadër të marrëveshjes së CEFTA-s dhe është serioze në implementimin e këtyre masave.

Dhe, pastaj çështja e asaj nëse mund të quhet reciprocitet apo jo, është një aspekt që do trajtuar. Nëse trajtohet si reciproket, atëherë duhet të veprohet njëjtë siç kanë vepruar ato vende. Ne kemi tentuar, e kemi ngritur këtë çështje në Komitet të Përbashkët, edhe në të kaluarën dhe është trajtuar si problem politik.

Ka pasur negocime dhe presione të ndryshme nga ana e Komisionit Evropian edhe për Serbinë, edhe për Bosnjën, mirëpo kanë qenë presione jo të nivelit të duhur, ngaqë s’kanë qenë presione me kushtëzime të caktuara.

Ne kemi tentuar edhe në kuadër të dialogut me Serbinë që ta ngremë këtë çështje - të gjitha këto nuk kanë funksionuar. Prandaj, një masë reciproke e plotë, sigurisht ndoshta jo në periudhë afatshkurtër, por në një periudhë pak më të gjatë, do të ndikonte që brenda Serbisë, brenda lobit tregtar dhe ekonomik në Serbi të rritet presioni në autoritetet serbe .

E njëjta do të mund të ndodhte edhe në Bosnje që këto Qeveri ta ndryshojnë vendimin, të mos thirren në politikë dhe në interesa afatshkurtra të politikës ditore, mirëpo të shikojnë interesin ekonomik duke pasur parasysh edhe nivelin e qarkullimit që ka sidomos Serbia në raport me Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka mund të përfitojë Kosova në rast se vendosen këto masa reciproke?

BERAT RUKIQI

Do të forcohej pozicioni i Kosovës në CEFTA, duke pasur parasysh që tregohet një vendimmarrje e qartë, e cila është konform interesave të vendit, dhe pastaj do të mund të negocioheshin edhe pozicionet tjera të Kosovës në raport në këtë marrëveshje. Do të krijonte efekt të brendshëm me vendet, të cilat e kanë bllokuar Kosovën dhe sigurisht do të përshpejtoheshin hapat e gjetjes së një zgjidhjeje. Njëkohësisht, në tregun e brendshëm do të krijohej një konkurrencë më e shëndoshë, kur dihet që sidomos Serbia vazhdimisht ka aplikuar praktika tregtare jo fer në raport me Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Thuhet se Kosova, nga mosrespektimi i marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Moldavia, ka pësuar humbje të mëdha. Cilat janë ato humbje?

BERAT RUKIQI

Janë humbur tregjet e eksportit dhe janë rritur kostot e kalimit transit. Transporti dihet që është një komponentë shumë e rëndësishme mbështetëse për tregtinë dhe aktivitetin ekonomik. Në shumë tregje evropiane pamundësia e kalimit transit, ka ndikuar që të rritet kostoja e transportit dhe kjo kosto ndikon drejtpërdrejt për një produkt.

Ky produkt, pastaj, e humb aftësinë konkurruese dhe të njëjtën kohë ka ndikuar që një pjesë e eksportit, e tregjeve të eksportit jo shumë të mëdha në Serbi dhe jo shumë të mëdha në Bosnje, mirëpo prapë të rëndësishme për prodhuesit tanë që eksportojnë në sasi të vogla, të humben.

Në vlerë financiare ende nuk kemi një vlerë të saktë, mirëpo janë humbje milionëshe që prapë nëse kthehemi me eksportin dhe me aktivitetin tregtar të kompanive tona është vlerë mjaft e madhe, duke pasur parasysh që një pjesë madhe e kompanive janë të orientuara drejt eksportit.

Nëse kësaj i shtohet tash edhe problemi që e kemi me preferencat autonome tregtare të BE-së, na sjell deri te një pozitë që kanë humbur një pjesë e madhe e tregjeve të eksportit për disa kompani tonat që kanë pasur një pjesë të madhe të orientuar në eksport. Kjo është humbja më e madhe që mund t’i ndodhë një kompanie, sepse depërtimi në një treg ëshët shumë i vështirë dhe ripozicionimi -nëse gjendet zgjidhja, prapë do të ketë kosto shtesë.

RADIO EVROPA E LIRË
Republika e Kosovës, këtë vit, kryeson Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore, mekanizëm ky që në 2010-ën është udhëhequr nga Serbia. Sa besoni se Kosova do të mund të jetë e suksesshme në këtë kryesim?

BERAT RUKIQI

Tash çështja e kryesimit është edhe e lidhur me pjesën politike dhe me pjesën teknike. Në aspektin politik ne kemi vështirësi në udhëheqje duke pasur parasysh modalitetin, me të cilin ne kryesojmë, si kryesues, me një involvim edhe të instancave ndërkombëtare, qoftë të KE-së qoftë të UNMIK-ut, për shkak se ende UNMIK-u figuron si trashëgues apo si nënshkrues në shumë marrëveshje ndërkombëtare ku ka qenë e përfshirë Kosova, madje edhe CEFTA-n. Dhe, kjo e dobëson pozicionin politik të udhëheqjes së Kosovës në këtë marrëveshje.

Në aspektin teknik, besoj që nuk ka problematikë të madhe në organizimin e takimeve dhe në prezantimin e objektivave të CEFTA-s, për shkak se këto objektiva harmonizohen mes të gjitha vendeve dhe është në anën e Kosovës që t’i shtyjë, t’i prezantojë dhe harmonizojë dokumentet, që të organizojë takime ku këto çështje të diskutohen, mirëpo në përgjithësi vetë problemet mes vendeve, që në këtë rast kemi problemin e Kosovës me Serbinë dhe Bosnjën, pastaj ka pasur probleme mes Serbisë dhe Kroacisë, Kroacisë dhe Bosnjës – të gjitha këto e kanë zvarritur në përgjithësi implementimin e CEFTA-s.

Kemi ende në numër të madh të barrierave jotarifore, një numër të madh të çështjeve që lidhen me barrierat teknike, me çështje sanitare dhe fitosanitare, të gjitha këto kanë ndikuar që përgjithësi marrëveshja të ketë vështirësi në implementim.

Tash, Kosova, në këtë aspekt, në këtë çështje që lidhet me kryesimin, mund t’i trajtojë jo vetëm problemet që janë të Kosovës, por që janë probleme të rajonit. Këto çështje duhet të diskutohen, mirëpo të gjitha këto pengesa e kanë vështirësuar jo vetëm udhëheqjen e Kosovës, por edhe implementimin e marrëveshjes, në përgjithësi.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG