Ndërlidhjet

AKK: 84 zyrtarë nuk e deklaruan pasurinë


Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit ka bërë të ditur se 84 zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë te kjo agjenci, sipas afatit të paraparë.

Kjo agjenci, ka bërë të ditur se nga zyrtarët publikë, 95 për qind e kanë deklaruar pasurinë, brenda afatit kohor, të cilin e përcakton Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave.

Sipas këtij ligji numri i zyrtarëve të lartë publikë, të cilët kanë pasur për obligim ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre tek Agjencia kundër Korrupsionit ka qenë 1830.

Nga ky numër i tërsishëm obligimin ligjor e kanë përmbushur 1746.

“Numri i atyre që nuk kanë deklaruar pasurinë është 84 zyrtarë, ndërsa 26 zyrtarë të tjerë e kanë deklaruar pasurinë e tyre por që në fakt formulari nuk është i plotësuar konform ligjit dhe standardeve dhe kritereve të cilat i ka përcaktuar AKK-ja”, thuhet në njoftimin e agjencisë.

“Të gjithë emrat e këtyre zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë do t’i përcjellë në gjykatat përcjellëse kompetente, kurse për 26 që nuk e kanë plotësuar në formën e kërkuar do të presim afatin ligjor prej 15 ditësh që kjo të evitohet dhe në rast nuk evitohet kjo mangësi edhe këta zyrtarë do të kalojnë ose do t’i bartim emrat e tyre te gjykatat për kundërvajtje”, ka theksuar drejtori i AKK-së, Hasan Preteni.
XS
SM
MD
LG