Ndërlidhjet

SHBA: Ueiner paraqiti dorëheqje për shkak të skandalit në Internet


Ligjvënësi amerikan, Antoni Ueiner, ka shpallur dorëheqjen e tij nga ulësja në Kongresin amerikan, pas zbulimit se ai nëpërmjet Internetit u kishte dërguar femrave fotografi dhe mesazhe të pahijshme.

Anëtari i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit nga Nju Jorku, u tha mbrëmë vonë reporterëve, se me sjelljen e tij kishte krijuar “huti” dhe se nën hijen e skandalit, ishte i “pamundshëm” vazhdimi i punës në Kongres.

Në konferencën për shtyp në lagjen e tij në Bruklin, zoti Ueiner kërkoi falje për “gabimet personale” dhe për telashet që ai i shkaktoi.

Demokrati Antoni Ueiner, gruaja e të cilit është ndihmëse e afërt e sekretares amerikane të shtetit, Hillari Klinton, më herët kishte thënë se nuk ka plane për dorëheqje.

Por, në fillim të kësaj jave, presidenti Barak Obama, tha se ai do të paraqiste dorëheqje, sikur të ishte në pozitën e tij.

Partia Demokratike e presidentit Obama, shpreson që ta mbajë ulësen e zotit Ueiner në Dhomën Përfaqësuese, që do të plotësohet në zgjedhjet e veçanta.
XS
SM
MD
LG