Ndërlidhjet

Gejts: Sukses në implementimin e strategjisë së presidentit

  • RFE /RL

Robert Gejts

Robert Gejts

Në konferencën finale me gazetarë në Pentagon, para se të largohet nga posti i sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Robert Gejts foli për përpjekjet e luftës në Afganistan dhe për misionin për ta shkatërruar al-Kaidën, dy çështje që e dominuan punën e tij si sekretar i Mbrojtjes, në administratën e presidentit Barak Obama.

Kur një reporter e pyeti nëse Shtetet e Bashkuara po e “fitonin” luftën në Afganistan, zoti Gejts u mbështet në përvojën e kaluar.

Pyetja e njëjtë i ishte bërë për Irakun, gjatë dëgjimit për konfirmimin e tij në Senat, në vitin 2006, kur e dha përgjigjen e tij të famshme se Shtetet e Bashkuara “as nuk po fitonin, e as nuk po humbnin”.

Në konferencën finale ai theksoi se “gjatë katër vjetëve e gjysmë” kishte mësuar disa gjëra dhe njëra nga to ishte të mos thuheshin fjalët “fitore ose humbje”.

Por, ai theksoi se nën drejtimin e tij, ishin avancuar qëllimet kryesore të misionit dhe se kjo po vazhdonte.

“Ajo që do të them është se besoj se ne po kemi sukses në implementimin e strategjisë së presidentit dhe besoj se operacionet tona ushtarake janë të suksesshme, duke mos i lejuar talibanët që t’i kontrollojnë hapësirat e banuara, duke i degraduar kapacitetet e tyre dhe duke i përmirësuar aftësitë e forcës së sigurisë kombëtare të Afganistanit. Këto ishin tri nga detyrat që presidenti i parashtroi para nesh në dhjetor të vitit 2009, dhe tjetra ishte kthimi i momentit të talibanëve. Mendoj se në të katër këto raste ne po kemi sukses”, tha Robert Gejts.

Ai theksoi se kryesore për kompletimin e misionit është mënyra, e cila i mbron interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe, po ashtu, kontributi në stabilitet, dy qëllime, për të cilat, ai theksoi se “në masë të madhe” ishin bërë në Irak.

Robert Gejts foli edhe për një tjetër sfidë, me të cilën Uashingtoni do të ballafaqohet. Pra, si të merret me udhëheqjen e re të al-Kaidës, pasi Ajman al-Zavahiri, u bë lider i ri i këtij rrjeti terrorist.

Konsiderohet se Zavahiri ka dorë në bombardimet vdekjeprurëse në ambasadat amerikane në Afrikë në vitin 1998. Ai tash është terroristi më i kërkuar nga Shtetet e Bashkuara.

Robert Gejts, tha se Zavahiri do të ballafaqohet me “sfida” në postin e tij të ri.

Mendoj se ai do të ballafaqohet me disa sfida. Bin Ladeni ishte lider i al-Kaidës, esencialisht prej themelimit të saj. Në këtë kontekst, mendoj se Zavahiri nuk e ka karizmën karakteristike, që e kishte bin Ladeni”, theksoi Robert Gejts.

Në konferencën për shtyp të zotit Gejts në Pentagon, mori pjesë edhe shefi i shtatmadhorisë së bashkuar të SHBA-ve, Majkël Malen, i cili planifikon të pensionohet këtë vjeshtë.

Malen theksoi se Zavahiri, sikurse dhe bin Ladeni, do të jetë cak ushtarak.

“Ai dhe organizata e tij ende na kërcënohen dhe ashtu siç kemi vepruar, ne do të synojmë zënien ose vrasjen. Duke pasur sukses në vrasjen e bin Ladenit, me siguri do ta bëjmë të njëjtën gjë me Zahavirin”, tha Majkël Malen. (f.b.)
XS
SM
MD
LG