Ndërlidhjet

WSJ: Ruajtja e vendosmërisë në Libi


Uilliam Hejg
Uilliam Hejg
"Wall Street Journal"

Shkruan: Uilliam Hejg, sekretar i Jashtëm britanik

Janë bërë katër muaj që kur populli libian vendosi të mos i mohojë më të drejtat e tij bazike. Dhe, janë bërë 90 ditë që kur NATO-ja nisi operacionet për ta penguar masakrën në Bengazi dhe për të ndaluar ato lloj vrasjesh që i kemi parë në Srebrenicë në vitin 1995.

Që nga fillimi, këto operacione kishin një objektiv - mbrojtjen e civilëve nga aksionet vdekjeprurëse të regjimit të Gadafit.

Aksionet tona kanë shpëtuar jetë të panumërta. Ndërsa shënojmë momentin historik dhe reflektojmë për përparimin, është e qartë se aksionet tona janë të nevojshme, legale dhe të drejta. Komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar. 18 shtete po marrin pjesë në operacionet ushtarake.

Në takimin e Grupit të Kontaktit të Libisë, më shumë se 40 shtete dhe organizata ndërkombëtare kanë pranuar se Muamer Gadafi e ka humbur legjitimitetin dhe se duhet ta lërë pushtetin.

Edhe Rusia është pajtuar me këtë konsensus ndërkombëtar në rritje, siç është shprehur në deklaratën e samitit të G8-ës, të mbajtur në Dëvij të Francës.

E kemi bërë të qartë që nga fillimi se do të qëndrojmë afër popullit libian, derisa ai po realizon aspiratat legjitime.

E kemi bërë këtë përmes operacioneve ushtarake rreth Bengazit, Misratës dhe qyteteve tjera libiane.

E kemi bërë këtë duke rritur presionin ekonomik, diplomatik dhe politik mbi regjimin e Gadafit.

Kombet e Bashkuara kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse ndaj regjimit, duke ngrirë asetet, duke vendosur ndalesa udhëtimi dhe duke ndaluar armët dhe naftën për Gadafin, të duhura për fushatën e tij ushtarake.

Kanalet satelitore që bënin propagandë për regjimin janë ndaluar të transmetohen. Shtetet po refuzojnë që t’i presin të dërguarit e regjimit, diplomatët e rreshtuar krah regjimit janë dëbuar dhe prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime ka lëshuar fletë-arreste për kryebanditët e regjimit, përfshirë edhe Gadafin.

Koha është kundër tyre dhe po punon për popullin e Libisë.

Në shënimin e 90 ditëve, është e qartë se strategjia me bazë të gjerë po funksionon, duke shënuar fillimin e fundit të regjimit të Gadafit.
Përgjatë Libisë, forcat e Gadafit po përballen me ndryshime. Vuajtjet e tmerrshme të popullit të Misratës kanë pushuar. Në ditët e fundit, opozita ka nxjerrë jashtë rrethinës së Zavijahit pasuesit e Gadafit dhe ka penguar regjimin nga marrja e sërishme e pikës kufitare me Tunizinë.
Qarku i brendshëm i Gadafit po fragmentarizohet.

Duke ndjekur vargun e gjatë të dezertimit të zyrtarëve të profilit të lartë, 10 oficerë ushtarakë kanë lënë regjimin, duke dërguar një sinjal të qartë se Gadafi nuk mund të llogarisë edhe më tej në ushtrinë e tij. Ata që kujdeseshin për Libinë, tashmë kanë dezertuar.

E kam vizituar Bengazin dy javë më parë për të takuar figurat kyçe të opozitës, përkatësisht të Këshillit Kombëtar Tranzitor.

Gjatë vizitës sime kam parë një Libi tjetër nga ajo që ka qenë e shtypur për vite nga Gadafi.

Kam parë një vizion alternativ të një Libie të hapur, pluraliste, demokratike, që mbështetet në pasurinë natyrore të shtetit dhe fuqinë e popullit të saj.
E kam parë një shoqëri civile në lulëzim, që ka lindur nga dëshira për një të ardhme më të mirë. Kam dëgjuar thirrjet dhe jam dëshmitar i ambicieve të ndershme që libianët të sigurojnë një mënyrë tjetër jetese, të lirë nga tirania e policisë së fshehtë, filozofia e gjepurave politike dhe ekonomia e drejtuar nga shteti.

Kam vërejtur dëshirën e thellë për këto ndryshime, të cilat po i shohim si janë shprehur në tërë botën arabe, që nga Siria në Jemen e përtej. E kam parë frymën e “Pranverës Arabe” në Libi.

Kjo frymë nuk duhet të mbytet. Duhet t’i intensifikojmë përpjekjet tona për të siguruar se kjo mund të arrihet nga të gjithë libianët. Por, për të arritur atje, Këshillit Transitor dhe popullit të Libisë i duhet mbështetja ndërkombëtare. Ata kërkojnë fonde për t’i përmbushur nevojat themelore.

Ekonomia e drejtuar nga Gadafi dërgonte përfitimet e ekonomisë së Libisë në llogaritë private jashtë vendit, tashmë të ngrira nga sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kërkoj nga të gjithë ata që dëshirojnë të shohin ndryshime në Libi, që të kontribuojnë me fondet e përkohshme, të cilat u zotuan në javën e kaluar në Grupin e Kontaktit në Abu Dabi.

Ndërsa, regjimi i Gadafit po pëson thyerje, ne duhet të vazhdojmë presionin ushtarak, ekonomik dhe diplomatik. Secili shtet dhe organizatë ndërkombëtare duhet të sjellë fuqi të ndryshme në fushatë.

Roli i NATO-s vazhdon të jetë qendror. Është e vetmja organizatë që ka vullnetin dhe kapacitetin ushtarak që të veprojë.

Por, misioni i NATO-s nuk do të ishte i mundur pa asete unike ushtarake dhe pa peshën politike të sjellë nga SHBA-të.

Që nga fillimi, Mbretëria e Bashkuar ka ndërmarrë një rol udhëheqës edhe në fushatën ushtarake dhe në atë diplomatike në Libi. Tashmë kemi shtuar edhe sulmet me helikopterët Apachi në listën e kapaciteteve të NATO-s.

Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbajë peshën e saj ushtarake, si dhe të ketë rol udhëheqës në përpjekjet diplomatike përmes Grupit të Kontaktit të Libisë, dhe duke ofruar mbështetje në material jo-vdekjeprurës për opozitën.

Ne duhet të mbajmë lart presionin dhe të ruajmë vendosmërinë tonë për t’i sjellë Libisë atë që populli i saj e dëshiron dhe e meriton.
XS
SM
MD
LG