Ndërlidhjet

Fuqia e opozitës pas zgjedhjeve


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Partia më e madhe e opozitës, Lidhja Socialdemokrate, pavarësisht disfatës në zgjedhje, i ka dhënë mbështetje liderit të partisë, Branko Cërvenkovski, jo vetëm në drejtimin e mëtejmë të kësaj partie, por në gjithë frontin opozitar.

Zyrtari i lartë i LSDM-së, Jani Makraduli, tha se Cërvenkovski kishte ofruar dorëheqjen, por në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit Qendror ajo është refuzuar unanimisht, pasi LSDM-ja, rezultatin zgjedhor, e vlerëson si arritjen më të madhe në disa vitet e fundit.

“Konstatimi është i përgjithshëm se kryetari Branko Cërvenkovski duhet të drejtojë jo vetëm LSDM-në, por gjithë frontin opozitar në luftën kundër kësaj qeverie jo popullore. Pra, nuk bëhet fjalë për kurrfarë dorëheqje, pasi LSDM-ja e vlerëson rezultatin zgjedhor. Kemi arritur të marrim 370 mijë vota apo 150 mijë më shumë se në zgjedhjet e kaluara, pra kemi përmirësuar pozitën tonë për 65 për qind”, u shpreh Jani Makraduli.

Por, ndryshe nga ai vlerësoi analisti Vlladimir Bozhinovski. Ai i cili tha se partitë duhet të japin llogari për disfatat në zgjedhje sikur edhe të ketë përmirësim të rezultatit nga zgjedhjet e kaluara.

Bozhinovski tha se mbetja e Cërvenkovskit në krye të LSDM-së më së shumti do t’i konvenonte VMRO-DPMNE-së.

“Është e qartë se duhet të bëhen ndryshime rrënjësore nëse dëshirojnë që në zgjedhjet e ardhme të fitojnë VMRO-DPMNE-në. Nëse nuk bëhen këto reforma, apo nëse nuk reformohet partia, do ta kenë shumë të vështirë të dalin fitues. Gabimi në këto zgjedhje u bë për faktin se kandidatja për kryeministre Radmilla Shekerinska u caktua vetëm një muaj para zgjedhjeve. Kandidaturat e këtilla duhet të bëhen shumë më herët, pra, edhe kryetari i ri i partisë duhet qysh tani të zgjidhet, nëse mendojnë të bëjnë ndryshime. Kështu, ai do të kishte kohë të mjaftueshme që të përgatitej dhe të tërheqë elektoratin dhe testin e parë do ta kishte në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen për dy vjet”, u shpreh Bozhinovski.

Ndërkohë, sa i përket opozitës shqiptare nga Partia Demokratike Shqiptare nuk komentuan, ndërsa lideri i saj, Menduh Thaçi, rezultatin e partisë së tij e kishte vlerësuar të mirë, pavarësisht, siç kishte deklaruar, tentimit të pushtetit për ta dëmtuar atë përmes partive të vogla opozitare shqiptare.

PDSH-ja n zgjedhjet e 5 qershorit fitoi 8 mandate të deputetëve apo rreth 80 mijë vota, shifër kjo që është më e lartë se në zgjedhjet e kaluara.

Duke komentuar pozicionin e PDSH-së, analisti Xhelal Neziri theksoi:

Kjo parti ka afër 30 mijë vota më shumë dhe mendoj se kërcim në vota apo ky rezultat i shënuar në krahasim me zgjedhjet e kaluara, i jep një kartë të fuqishme, një letër të fuqishme liderëve të partive që të arsyetohen se janë në rrugë të mirë për të arritur një fitore të sigurt në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.

Sa u përket partive tjera opozitare, Rilindja Demokratike Kombëtare siguroi dy mandate, ndërsa Demokracia e Re asnjë. Lideri i kësaj të fundit Imer Selmani, dha dorëheqje nga drejtimi i partisë, ndërsa Rufi Osmani tha se rezultati zgjedhor i dedikohet kohës së pamjaftueshme për t’u përgatitur për zgjedhje.

Ky është një leksion, të cilin do të duhet ta mësojnë të gjitha partitë politike shqiptare, e në veçanti ato më të voglat dhe ta analizojnë realisht pozicionin dhe forcën e tyre në politikë. Në të kundërtën, do të vazhdojnë që ta copëtojnë elektoratin shqiptar dhe ta zvogëlojnë numrin e deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë ”, tha Neziri.
XS
SM
MD
LG