Ndërlidhjet

Epilogu i rastit "Tisa": 66 vjet burg

  • RFE /RL

Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Shtatë persona janë dënuar nga Gjykata e Qarkut e Prishtinës për rastin e lumit Tisa, me 66 vjet burg gjithsej , ndërsa një person është shpallur i pafajshëm.

Rasti ka të bëjë me vdekjen e 15 migrantëve kosovarë në lumin Tisa, në kufirin në mes të Hungarisë dhe Serbisë, derisa ata tentonin të kalonin ilegalisht në vendet e BE-së.

Akuzat kundër shtatë, tashmë të dënuarve, siç njofton për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, kanë të bëjnë me krim të organizuar, trafikim të migrantëve, ndërsa rasti, sipas Krasniqit, e “ka zbuluar një grup të krimit të organizuar që ju ofronte migrantëve kalim ilegal në BE dhe vende të tjera të Evropës, duke bërë përfitime të mëdha ilegale”.

Pjesë e dënimit, përpos burgosjes, është edhe dënimi me para në vlerë prej 450 mijë eurosh. Paneli i gjykatsëve përbëhej nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një gjykatës kosovar.

Misioni evropian për sundim të ligjit, ka publikuar edhe listën e personave të dënuar të premten, e të cilët janë:

Avni Hajdari shpallet fajtor për krim të organizuar dhe kontrabandë të imigrantëve – gjyqi e dënoi me 19 vjet burgim dhe me një gjobë prej 250.000 eurosh;

Shpejtim Ademaj shpallet fajtor për krim të organizuar dhe kontrabandë të imigrantëve – gjyqi e dënoi me 17 vjet burgim dhe me një gjobë prej 200.000 eurosh;

Ismail Krapi dhe Shaip Selmani shpallen fajtorë për krim të organizuar – gjyqi i dënoi të dy me nga 8 vjet burgim.

Fatmir Pajaziti shpallet fajtor për kontrabandë të imigrantëve – gjyqi e dënoi me 7 vjet burgim.

Blerim Ademaj shpallet fajtor për kontrabandë të imigrantëve – gjyqi e dënoi atë me 5 vjet burgim.

Xhemajl Halilaj shpallet fajtor për kontrabandë të imigrantëve – gjyqi e dënoi atë me 2 vjet burgim. Dënimi është pezulluar dhe nuk do të zbatohet, me kusht që ai të mos kryejë ndonjë vepër penale për tre vjetët e ardhshëm.

Rabit Ajvazi shpallet i pafajshëm lidhur me akuzat e ngritura kundër tij.

Palët e dënuara, sipas zëdhënësit Krasniqi, tashmë kanë 15 ditë afat për të apeluar ndaj vendimit. (a.h.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG