Ndërlidhjet

Ivanoviq: Kosova nuk është kusht për Serbinë


Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq

Jam krejtësisht i bindur që tema e Kosovës nuk do të hyjë në kontekst të kushteve që Serbia duhet t’i plotësojë. Një gjë e tillë është krejtësisht e përjashtuar. Kontrollimi i veriut është e drejtë krejtësisht legjitime e Serbisë, e cila aty ka një numër domethënës të popullatës, për të cilën duhet të përkujdeset. Kështu tha për radio Evropën e Lirë sekretari shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, retorika e cila kohëve të fundit është dëgjuar nga disa zyrtarë të lartë të Beogradit, lë për të kuptuar se Beogradi dëshiron ta sforcojë idenë e ndarjes së Kosovës. Ka edhe politikanë serbë të Kosovës, të cilët e kanë akuzuar Beogradin zyrtar se po përpiqet të realizojë idenë e Qosiqit mbi ndarjen e Kosovës. Çfarë mendoni ju për këtë dhe cili është qëndrimi i Beogradit zyrtar?

OLIVER IVANOVIQ
Qëndrimi i Beogradit zyrtar është i pandryshuar. Do të thotë, Kosova është e tërësishme, e pandashme dhe në kuadër të Serbisë. Sa u përket individëve, të cilët mendojnë për opsione të tjera, ne nuk mund t’i fajësojmë, sepse mendime të ngjashme ekzistojnë edhe në bashkësinë ndërkombëtare. Por, njëkohësisht, më duhet të them se edhe disa shqiptarë janë shumë dhe thellë të vetëdijshëm që veriun nuk mund ta kontrollojnë. Prandaj, ekziston edhe një koncept i caktuar edhe në mes të shqiptarëve, që nënkupton kështu: “t’ua japim ne veriun e Kosovës, në shkëmbim për njohje të shpejtë të pjesës së mbetur të Kosovës, si shtet i pavarur”. Do të thotë, të gjitha palët kanë kalkuluar dhe spekuluar me këtë mundësi, dhe një gjë e tillë, herët ose vonë, ka sjellë deri te këtu, që kjo ide të qarkullojë në vazhdimësi në opinion.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, megjithatë, a nuk mendoni se ideja e ndarjes së Kosovës është në kundërshtim me qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe se kjo mund ta konfrontojnë Serbinë me të?

OLIVER IVANOVIQ
Nuk do të thosha. Madje edhe ata që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës po e kuptojnë që njohja e pavarësisë nga fuqitë e mëdha nuk është e mjaftueshme, por se edhe Serbia duhet të bashkohet në këtë front, nëse shqiptarët e Kosovës duan që ta kenë pavarësinë e vërtetë, që nënkupton njohjen e plotë ndërkombëtare. Prandaj, ka mjaft sosh që mendojnë për ndarjen, si një zgjidhje kompromisi. Unë jam kundërshtar i madh i kësaj, sepse mendoj që në atë mënyrë nuk do të zgjidhet problemi. Përkundrazi, vetëm sa do ta përkeqësojmë atë. Nga ana tjetër, Serbia nuk ka kurrfarë interesi që ta shkelë kushtetutën e saj, në të cilën Kosova, e tërësishme dhe e pandashme, është pjesë përbërëse e Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, është e qartë që Serbia ka kontrollin në një masë të caktuar mbi veriun e Kosovës. A besoni se kjo çështje nuk do të paraqesë pengesë për të, në rrugën e saj drejt BE-së?

OLIVER IVANOVIQ
Jam krejtësisht i bindur që tema e Kosovës nuk do të hyjë në kontekst të kushteve që Serbia duhet t’i plotësojë. Një gjë e tillë është krejtësisht e përjashtuar. Kontrollimi i veriut është e drejtë krejtësisht legjitime e Serbisë, e cila aty ka një numër domethënës të popullatës, për të cilën duhet të përkujdeset. Por, jo vetëm në veri. Serbia do të vazhdojë ta ndihmojë dhe ta mbajë në jetë bashkësinë serbe në Kosovë, sepse pa ndihmën dhe mbështetjen e Serbisë, vështirë se serbët do të mund të qëndronin për një kohë të gjatë në këtë hapësirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazi, Filip Gordon, ka thënë se është e domosdoshme që Beogradi ta ndryshojë qasjen ndaj veriut të Kosovës, po qe se Serbia synon ta jetësoj planin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai ka thënë se ky është qëndrim i SHBA-ve dhe i vendeve kryesore të BE-së. Si e komentoni këtë?

OLIVER IVANOVIQ
Unë me shumë kujdes e përcjelli se çfarë kanë për të thënë fuqitë e mëdha lidhur me këtë çështje. Por, gjithmonë e kujtoj të kaluarën jo shumë të largët, kur diplomacia amerikanë pati thënë se edhe Jugosllavia duhet të mbijetojë. Pastaj, pati thënë se shqiptarët e Kosovës nuk duhet të marrin më shumë se sa autonominë. Në fund e ndryshoi qëndrimin e saj, me faktin se e pranoi Kosovën e pavarur. Prandaj, fuqitë e mëdha nuk janë edhe aq të interesuara për Ballkanin dhe qëndrimi i tyre do të varet nga ajo se çfarë situate do të krijohet në teren. Këtë shqiptarët e dinë më së miri.

RADIO EVROPA E LIRË
A po mendoni me këtë se edhe Shtetet e Bashkuara do ta ndryshojnë mendimin e tyre për këtë çështje?

OLIVER IVANOVIQ
Është e dukshme se do ta ndryshojnë mendimin e tyre, sepse ky nuk është interes strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. As Kosova, as Serbia e as i gjithë Ballkani. Këtu nuk ka asgjë, për të cilën diplomacia amerikane interesohet me vëmendje. Nuk ka as naftë, as ari, as diamante. Prandaj, e kanë gabim ata që mendojnë se amerikanët do t’i kushtojnë shumë vëmendje kësaj hapësire. Në momentin kur të dyja palët do të merren vesh, gjë që nënkupton shqiptarët e Kosovës, përfaqësuesit e tyre legjitim, dhe Qeveria e Serbisë, në atë moment Amerika do ta pranojë atë zgjidhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, institucionet e Kosovës deri më tash kanë refuzuar diçka të tillë...

OLIVER IVANOVIQ
Nuk duhet shikuar këtë problem në kontekstin e kësaj qeverie dhe të këtij mandati. Ky problem do të vazhdojë mjaft gjatë, deri sa njerëz seriozë nga të dyja palët nuk do të ulen dhe të merren vesh. Duhet të merren vesh, sepse, thjeshtë, nuk ka zgjidhje tjetër, sado që kjo të duket çuditshëm. Shumë respekt për 76 vende që e kanë njohur Kosovën, por nuk do të ketë pavarësi të saj, nëse Serbia nuk e pranon këtë. Ndërkaq, Serbia nuk ka ndërmend ta pranojë. Prandaj, duhet të gjejmë një zgjidhje që është e ndërmjetme, që do t’ju jepte shqiptarëve ndjenjën që ju pëlqen dhe njëkohësisht edhe Serbisë t’ia japë ndjenjën se nuk është e poshtëruar, sepse kjo, në shtigje të gjata, do të ishte rrezik i madh për gjithë Ballkanin. Serbia e poshtëruar nuk është e mirë. Nuk është e mirë par askënd, madje as për shqiptarët, të cilët për Serbinë nuk mendojnë mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo që thoni që të dyja palët të mos ndjehen të poshtëruara, a nënkupton kjo se Beogradi mendon që Kosova duhet të ndahet?

OLIVER IVANOVIQ
Jo, unë asgjë nuk paragjykova. Unë mendoj që ne duhet të ulemi dhe të bisedojmë seriozisht. Këtë deri më tash nuk e kemi bërë. Ahtisari këtë nuk arriti ta bëjë. Mendoj se as Brukseli nuk është ai format, sidomos nëse Brukseli do të kufizohej me afate. Bisedat e Brukselit duhet të zgjasin, sipas mendimit tim të thellë, së paku 10 vjet, në mënyrë që në fund të kësaj periudhe të kemi diçka, të cilën mund ta humbim nëse nuk gjejmë zgjidhjen. Në këtë çast, shqiptarët nuk ndjejnë se mund të humbin diçka nëse nuk e gjejnë zgjidhjen. Të njëjtën ndjenjë, fatkeqësisht, e ka edhe Serbia. Prandaj, mendoj se është i nevojshëm një kontekst tjetër politik. Janë të nevojshme dy elita tjera politike, nga të dyja anët e tavolinës, dhe natyrisht edhe një moment tjetër. Në një situatë të tillë, unë mendoj se mund të gjejmë një zgjidhje më të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dialogu i nisur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po karakterizohet me qëndrime diametralisht të kundërta. Duke pasur parasysh këtë, si dhe faktin se ky dialog po përcillet me tensione, cili mendoni se do të jetë fundi i dialogut, apo ka rrezik që ai të dështojë tërësisht?

OLIVER IVANOVIQ
Unë nuk mendoj se këto bisedime do të dështojnë në tërësi. Ka qenë i pritur një fillim i tillë dhe tensionet janë për këtë shkak, sepse ne nuk njihemi në mes vete. Unë, individualisht njoh mjaft njerëz dhe natyrisht që mendoj se cilat janë qëndrimet politike të shqiptarëve. Por, në Bruksel po takohen njerëzit, dy palët, pothuajse pas 30 vjetësh. Gjatë kësaj periudhe ne nuk kemi pasur komunikim të vërtetë. Për këtë shkak, mjaft gjëra nuk kuptohen. Për këtë shkak serbët nuk e kuptojnë pozitën e shqiptarëve, por po ashtu shqiptarët nuk e kuptojnë pozitën e Serbisë. Prandaj, mendoj se është normale që në një atmosferë të tillë të moskuptimit dhe të mosnjohjes së njëri-tjetrit, të vijë deri te tensionet dhe shkëndijat. Ndoshta do të ketë edhe ndonjë ndërprerje të shkurtë. Por, në rrugën e gjatë, të cilën e kemi para nesh, bisedimet janë domosdoshmëri dhe ato duhet të zgjasin aq sa duhet dhe jo për një kohë të caktuar. Duhet që të preken të gjitha temat të cilat janë të rëndësishme për jetën e njerëzve që jetojnë në këtë hapësirë. Nuk po them vetëm të shqiptarëve, por të gjithëve që jetojnë në këtë hapësirë. Nga kjo zgjidhje do të varet stabiliteti i Serbisë. Nga stabiliteti i Serbisë do të varet stabiliteti i Ballkanit. Ndërkaq, nga stabiliteti i Ballkanit do të varet stabiliteti i Evropës. Në interesin tonë, të Evropës, të Brukselit, është që të gjejmë një zgjidhje për këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni ju fundin e këtij dialogu?

OLIVER IVANOVIQ
Do t’ia zgjasin dorën njëri tjetrit në fund dhe do të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje.
XS
SM
MD
LG