Ndërlidhjet

Policia e Kosovës nëpër zonat turistike në Shqipëri


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me të cilën policitë e të dyja vendeve përfshihen në patrullime të përbashkëta në Shqipëri gjatë sezonit turistik.

Marrëveshja është nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi dhe ai i Policisë së Shqipërisë, Hysni Burgaj, pas një takimi të zhvilluar në Tiranë.

Të dy nënshkruesit kanë potencuar se marrëveshja ndërlidhet me sezonin turistik qershor – shtator kur ka një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve nga Kosova që shkojnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë dhe kur ka një shtim të qarkullimit të automjeteve për në Shqipëri.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se marrëveshja ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit konkret në fushën e parandalimit të kundërvajtjeve administrative për rritjen e efikasitetit të luftës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në aksidentet rrugore, dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor.

Theks të veçantë do t’i kushtoja pikës gjashtë të atij urdhri operativ, e cila ka të bëjë me kundërvajtjet që mund t’i shqiptojnë ndaj shtetasve të huaj, më konkretisht ndaj atyre kosovar, që të mos iu tërhiqen dokumentet në rast të ndëshkimit me ndonjë kundërvajtje në komunikacion”, thotë Kelani.

Marrëveshje të ngjashme janë nënshkruar edhe në vitet e kaluara. Ato, sipas zëdhënësit Kelani, janë treguar të suksesshme pasi që kanë rritur sigurinë në komunikacion.

Për shkak të rëndësisë që ka për shtetin shqiptar zhvillimi i turizmit dhe rritja e numrit të turistëve, kosovarët shpesh kanë kaluar me vërejtje duke mos u gjobitur për shkeljen e ligjeve në komunikacion.

Por, Kelani thotë se ngasësit dhe pjesëmarrësit tjerë në komunikacion do të mund të gjobiten dhe se ata nuk janë të përjashtuar nga gjobat.

Marrëveshja u ka mundësuar pak a shumë që të kalojnë edhe me vërejtje ngasësit e automjeteve që bëjnë kundërvajtje në trafik, sepse edhe vërejtja është një lloj sanksioni apo sugjerimi që ndikon në shtimin e sigurisë në komunikacionin rrugor.

Mirëpo nuk mund të themi se marrëveshja i përjashton nga gjoba ngasësit e automjeteve. Kjo marrëveshje tashmë ka treguar një sukses vitin e kaluar dhe presim që ai sukses të jetë edhe më i madh këtë vit”, shprehet Kelani.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit parasheh shërbime të përbashkëta të policisë së shtetit shqiptar dhe Policisë së Kosovës, në akset kryesore rrugore të Republikës së Shqipërisë, përgjatë sezonit veror.

Zbatimi i kësaj marrëveshje pritet të realizohet menjëherë.
XS
SM
MD
LG