Ndërlidhjet

logo-print

Për shkak të kohës dhe procedurave që nevojiten për t’i bërë ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, njohësit e proceseve zgjedhore dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se puna në këtë drejtim duhet të nisë sa më shpejt.

Florian Dushi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se deri më tash nuk është vërejtur se ky komision ka nisur punën.

Me këtë ritëm, të cilin ne e kemi pasur, është bukur vështirë, por shpresojmë që do të kemi së shpejti një legjislacion reformuar. Megjithatë, shpresoj që ky grup do të fillojë punën dhe të hartojë një agjendë, një strategji të punës së vet dhe t'i kryejë obligimet, për të cilat është ngarkuar”, deklaron Dushi.

Edhe Adnan Merovci, ish-kryeshef i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shprehet kritik ndaj Komisionit për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Sipas tij, fakti që ende nuk janë identifikuar në mënyrë të qartë çështjet që duhet ndryshuar, mund të thuhet se ka ngecje në këtë drejtim.

Mendoj se sa i përket afatit të paracaktuar, është një kohë solide. Megjithatë, siç po e shoh dinamikën e punës së këtij komisioni, ku ende nuk janë identifikuar ndryshimet që do të bëhen, nuk është kompletuar me njerëzit nga jashtë, me ekspertët, nuk mbahen debate publike që do t'i kishin sensibilizuar në një mënyrë këto ndryshime, shoh ngecje, në përgjithësi”, thotë Merovci.

Komisioni që do të merret me ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, duhet ta përmbyllë punën e vet në një afat kohor prej 8 deri në 12 muaj.

Pavarësisht vlerësimeve se punët rreth ndryshimeve nuk janë duke shkuar ashtu siç është thënë, anëtarët e komisionit shprehen optimistë se brenda afatit të përcaktuar, do të përfundojnë të gjitha punët.

Por, nëse reforma në ligj nuk do të ndodhë me kohë, sipas Merovcit, prapë mund të ketë ndryshime, por vetëm sipërfaqësore.

Do të kemi disa ndryshime, por nuk do të prekim në esencën e krejt kësaj. Do të hyjmë në spiralet e inicimit të ndryshimeve edhe në zgjedhjet e ardhshme. Me fjalë të tjera, këto ngecje në qasje për ta ndryshuar ligjin, do të na sjellin në një irritim, ose në një rezultat joefikas në gjithë këtë iniciativë për ndryshimin e Ligjit zgjedhor”, thekson Merovci.

Ekspertët e çështjeve zgjedhore vlerësojnë se për ndryshimet ligjore të zgjedhjeve duhet të ketë debate publike.

Florian Dushi, nga KQZ-ja, shpreh gatishmërinë e këtij mekanizmi për t’i ofruar Komisionit për ndryshimin e Ligjit për zgjedhje, ekspertizën e nevojshme që ka.

Ata lirisht do të mund ta përdorin edhe ekspertizën e anëtarëve të KQZ-së, të cilët tashmë kanë kaluar disa procese zgjedhore. Si në aspektin teknik-organizativ, edhe në aspektet të tjera, anëtarët janë të gatshëm dhe i dinë të gjitha mangësitë, të metat apo edhe lëshimet në legjislacion edhe në pjesën e tjetër të organizimit të proceseve”, shprehet Dushi.

Komisionet për ndryshimin e Kushtetutës dhe Ligjit për zgjedhje u formuan në seancën e 22 prillit të Kuvendit të Kosovës.

Formimi i tyre erdhi nga marrëveshja politike ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Behgjet Pacollit - marrëveshje kjo me të cilën ishte tejkaluar edhe kriza rreth presidentit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG