Ndërlidhjet

Takimi i radhës në Prishtinë


CEFTA, vendet anëtare
CEFTA, vendet anëtare
Në fund të këtij muaji, në Prishtinë, mbahet takimi i radhës i përfaqësuesve të vendeve anëtare të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore. Ky është takimi i parë që mbahet në Kosovë, pas dy takimeve që janë mbajtur në Bruksel, prej fillimit të këtij viti, ku Republika e Kosovës kryeson këtë mekanizëm ndërkombëtar.

Më 30 qershor, në Prishtinë, do të mbahet takimi i radhës i përfaqësues të vendeve anëtare të Cefta-s, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë.

Ky është takimi i parë që do të mbahet në Prishtinë, që nga fillimi i vitit, kur Republika e Kosovës ka marrë presidencën e këtij mekanizmi ndërkombëtar.

Flamur Keqa, drejtor i departamentit të tregtisë, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tregon se tashmë kanë dërguar ftesat për pjesëmarrje të të gjitha vendeve anëtare të këtij institucioni, duke përfshirë edhe Serbinë dhe Bosnje - Hercegovinën.

Do të zhvillohen dy takime, takimi në nivel të ekspertëve dhe takimi në nivel të zëvendës ministrave dhe ky takim do të mbahet në Prishtinë. Këtu parashihet që të diskutohet lidhur më punën dhe rezultatet që janë arritur brenda këtyre gjashtë muajve, dhe në këtë takim secili grup apo nën-komitet do të raportojë për punën që është kryer gjatë kësaj periudhe, dhe normalisht të shihet se çka duhet vepruar në gjashtë mujorin e dytë” thotë Keqa.

Por, Serbia dhe Bosnja që nga viti 2008, kanë bllokuar të gjitha mallrat që mbajnë vulat e Republikës se Kosovës. Mallrave me këtë vulë nuk lejohet madje as transit, të kalojnë në territorin e këtyre dy shteteve.

Zgjidhja e kësaj çështje do të diskutohet në takimin e zëvendës ministrave, pohon Keqa, dhe shton se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka paralajmëruar se do të vendosë taksë doganore prej 10 për qind ndaj produkteve që importohen nga Serbia.

Mesi i këtij muaji, ishte paralajmëruar si afat për fillimin e zbatimit të taksave doganore, nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari- Lila.

Megjithatë, Flamur Keqa, thotë se vendimi për zbatimin e taksave varet nga rezultatet e dialogut Prishtinë- Beograd.

Në fund të këtij muaji, delegacionet e Prishtinës dhe të Beogradit, do të takohen për t’i shikuar mundësitë për nënshkrimin e marrëveshjeve të para.

Tashmë është publike deklarata e ministres Kusari- Lila, e cila ka thënë se nëse nuk ka ndonjë ndryshim nga dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë në drejtim të liberalizimit të tregtisë, atëherë gjithsesi MTI, do të imponojë taksën doganore prej 10 për qind në drejtim të këtyre dy shteteve”, thekson Keqa.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike, thonë se problemi i Cefta-s, duhet të diskutohet në takimin e ardhshëm që do të mbahet në Prishtinë.

Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës, konsideron se autoritet kompetente duhet të marrin masa reciproke dhe jo të vendosin taksa doganore për produktet e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinën.

Më se miri është që të ndërmerren masat reciproke. Unë nuk jam për atë, që të doganohen mallrat që vijnë nga këto dy shtete, me 10 për qind. Në fund të fundit, çmimin do të paguajnë konsumatorët, qytetarët e Kosovës. Por, them që shumë më mirë është të respektohet parimi i reciprocitetit”, tha Bektashi.

Republika e Kosovës, këtë vit, kryeson Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore, mekanizëm ky që në 2010-ën është udhëhequr nga Serbia.
XS
SM
MD
LG