Ndërlidhjet

Vazhdojnë protestat kundër dhunës


Protesta në Maqedoni
Protesta në Maqedoni
Për t’i thënë STOP dhunës të rinjtë nga mbarë Maqedonia kanë organizuar një protestë masive në Sheshin e Shkupit - Nëna Terezë, dy javë të plota pas goditjes për vdekje të 23 vjeçarit Martin Neshkovski, nga pjesëtari i njësitit policor ‘tigri’, me ç`rast kanë kërkuar dorëheqjen e numrit një të dikasterit të policisë si shenjë revolte nga përgjigjja e Ministrisë së Brendshme, e cila këmbëngul se vrasja e 23 vjeçarit Martin Neshkovski është përgjegjësi individuale dhe se MPB-ja ka vepruar në bazë të gjitha procedurave.

Të rinjtë, të cilët të dielën kanë protestuar nën moton “STOP dhunës”, janë shprehur se “janë të indinjuar nga sjellja e papërgjegjshme e institucioneve”, që sipas tyre jo rrallë herë kanë tejkaluar kompetencat, duke mos i respektuar të drejtat e qytetarëve, siç ishte rasti me goditjen për vdekje të të riut Martin Neshkovski nga ana e pjesëtarit të policisë speciale.

Me këtë protestë paqësore, duam t’i japim fund dhunës policore. T’u tregojmë se jemi të vetëdijshëm për të drejtat tona dhe se ato i kërkojmë të realizohen brenda institucioneve të cilat janë përgjegjëse për të garantuar sigurinë tonë, dhe jo për ta kërcënuar të njëjtën”, ka theksuar Petar Stojkoviq, një nga organizatorët e protestave, duke përjashtuar involvimin e politikës në çfarëdo mënyre në këtë rast.

Protestuesit, gjithashtu kanë shprehur dhe pakënaqësinë e tyre nga përgjigjja e Ministrisë së Brendshme, e cila këmbëngul se vrasja e 23 vjeçarit Martin Neshkovski është përgjegjësi individuale dhe se MPB-ja ka vepruar në bazë të gjitha procedurave.

Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e numrit një të dikasterit të policisë, si dhe ndërtimin e mekanizmave juridik, që do të kontrollonin, siç e quajnë, mllefin policor.

Por, ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, është shprehur se nuk ndjehet fajtore dhe se nuk e ka ndërmend t’i përgjigjet kërkesës së partisë opozitare, LSDM, dhe një grupi qytetarësh për dorëheqje.

Ministrja Gordana Jankullovska, tha se ky rast bart përgjegjësi individuale, ndërkohë që lënda tanimë trajtohet me intensitet si nga organet e hetuesisë ashtu dhe nga gjyqësori.

Bëhet fjalë për një tragjedi të rëndë njerëzore dhe vlerësoj se është tejet jo humane që ndokush të tentojë të përfitojë nga kjo situatë. Unë i sugjeroj të gjithëve, që t’i shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat të cilët i ofron një shtet demokratik, ku sundon ligji i së drejtës, gjegjësisht qëndrimet e tyre t’i mbrojnë brendapërbrenda institucioneve dhe jo në rrugë”, ka deklaruar Ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska.

Nga ana tjetër, protestat e sotme në Shkup i ka përkrahur edhe organizata qytetare nga Tetova “Illyricum Libertas”.

Kryetari i kësaj organizate Valon Kurtishi thotë se vrasja e të riut Neshkoski, është një akt i tmerrshëm dhe i papranueshëm për një shoqëri që pretendon të jetë pjesë e BE-së.

Ne e dënojmë fuqishëm aktin e vrasjes së të riut Neshkovski, sepse ky akt në asnjë mënyrë nuk mund të individualizohet ngase është i kryer nga persona të uniformuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe për këtë bart përgjegjësi si ligjore, ashtu edhe morale zonja Gordana Jankullovska. Kështu që ne e përkrahim kërkesën e bashkëmoshatarëve tanë në Shkup, që ajo të japë dorëheqje sa më parë”, shprehet Valon Kurtishi, drejtues i “Illyricum Libertas”.

Ndryshe, edhe presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, e konsideron të sinqertë nismën dhe dëshirën e të rinjve cilët tani disa ditë po protestojnë duke kërkuar ndriçimin e vrasjes së të riut Martin Neshkoski.
XS
SM
MD
LG