Ndërlidhjet

Humbje për drejtësinë


Nekibe Kelmendi
Nekibe Kelmendi
Pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 67-vjeçare, ndërroi jetë deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi. Në kujtim të jetës dhe veprës së saj, LDK-ja dhe Kuvendi i Kosovës organizuan mbledhje komemorative.


Nekibe Kelmendi është pjesë e historisë së Kosovës, e cila dhimbjes së madhe familjare i është përgjigjur me punë e angazhim për të mirën e vendit, u tha në fjalimet e liderëve të institucioneve të Kosovës në kujtim të jetës dhe veprës së saj.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha gjatë një mbledhjeje komemorative të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, se lajmin për vdekjen e Nekibe Kelmendit e kishte përjetuar si shumë pikëllues.

Nekibe Kelmendi i dha aq shumë Kosovës, atdheut dhe popullit të saj, tha presidentja Jahjaga.

“Liria, pavarësia, demokracia ishin parimet themelore të zonjës Nekibe Kelmendi dhe të të gjithë lëvizjes gjithë-popullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal”, u shpreh presidentja Jahjaga.

Në fjalimin e tij, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se Nekibe Kelmendi ishte një grua e fortë e Kosovës, e cila la zbrazët një vend meritor në LDK dhe në drejtësinë e Kosovës.
Drejtësia në Kosovë kishte nevojë për Nekibe Kelmendin...


“Drejtësia në Kosovë kishte nevojë për Nekibe Kelmendin. Ajo i qëndroi pranë gjatë tërë jetës. I qëndroi krah shumë kohë së bashku me bashkëshortin e saj, Bajram Kelmendin; i qëndroi krah edhe kur humbi më të dashurit e saj. Nekibja kurrë nuk u dorëzua. Nuk u dorëzua, sepse i donte njerëzit, e donte Kosovën”, tha Isa Mustafa.

Në kujtim të jetës dhe veprës së Nekibe Kelmendit, edhe Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë komemorative. Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se deputetja Kelmendi ishte një shembull i punës dhe angazhimit në të gjitha legjislaturat e deritashme të Kosovës.

“Nekibe Kelmendi do të kujtohet për kontributin që ka lënë në shumë fusha të angazhimit të saj jetësor. Kontribuoi shumë në fushën e drejtësisë, ku një angazhim të veçantë pati në fushën e të drejtave të njeriut. Do të mbahet mend si njeri, si nënë, si bashkëshorte që dhimbjen e madhe njerëzore kërkoi ta mundë me angazhim të përditshëm për vendin dhe familjen e saj”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, në emër të LDK-së, foli deputeti Sabri Hamiti. Ai e quajti deputeten Kelmendi, një grua të madhe shqiptare që gjithë jetën ia kushtoi angazhimit për të mirën e Kosovës.

Nekibja e dinte që dashuria e madhe mbaron në dhembje, që idealet e mëdha paguhen me sakrificë, por ajo nuk hoqi dorë për asnjë moment nga filozofia themelore rugoviane për urtësi...

Hamiti rikujtoi sakrificën e familjes Kelmendi dhe vrasjen e bashkëshortit Bajram Kelmendi dhe të dy djemve të saj, Kushtrimit e Kastriotit, në natën e parë të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

“Burri dhe djemtë e Nekibes u ekzekutuan dhe u flijuan për Kosovën. Kurse zonja Nekibe e Kosovës nuk ra, po qëndroi për të fituar lirinë e vendit të saj. Nekibja e dinte që dashuria e madhe mbaron në dhembje, që idealet e mëdha paguhen me sakrificë, por ajo nuk hoqi dorë për asnjë moment nga filozofia themelore rugoviane për urtësi, qëndrueshmëri e dinjitet”, theksoi Hamiti.

Nekibe Kelmendi ka lindur më 11 maj të vitit 1944 në Pejë. Ajo ka mbaruar Fakulteti Juridik në Prishtinë, më 1968. Menjëherë pas mbarimit të studimeve, ushtroi detyrën e gjyqtares, kurse nga viti 1974 deri më 1976, ushtroi profesionin e avokatisë, duke u bërë kështu gruaja e parë avokate shqiptare.

Më pas, sërish ka punuar si gjyqtare deri në vitin 1987, kur u diferencua si edhe pjesa më e madhe e punonjësve shqiptarë nga ana e regjimit të Millosheviqit.

Ishte një nga bashkëthemelueset e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë dhe një nga funksionaret e larta të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas luftës, nga janari i vitit 2000 deri në nëntor vitit 2001 ka qenë bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut. Kurse, përveç postit të deputetes, ajo ka qenë edhe ministre e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës.

Kelmendi ka marrë pjesë edhe në grupin e ekspertëve në kuadër të Ekipit të Unitetit në negociatat për statusin e Kosovës, si dhe në grupin e ekspertëve për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Familja Kelmendi ishte ndër ato familje të shumta të Kosovës që pësoi nga lufta e fundit.

Në vitin 1999, ditën e parë pas fillimit të bombardimeve, forcat serbe ia vranë bashkëshortin, avokatin e njohur dhe aktivistin e të drejtave të njeriut, Bajram Kelmendi, dhe dy djemtë e saj, Kushtrim e Kastriot Kelmendi.

Para nisjes së funeralit për në varrezat e qytetit, trupi i deputetes Kelmendi për një orë e gjysmë ka qëndruar në hollin e Kuvendit për homazhe.

Gjatë komemoracioneve të sotme, një porosi të fundit të Nekibe Kelmendit e ka përcjellë vajza e saj, Kosovarja.

“Më ka thënë: ‘Bija ime gjej mënyrën si të duash, i bën të fala gjithë Kosovës’”, tha Kosovarja.


Lexoni edhe këto:
Kelmendi: Zbatimi i Kushtetutës - sfidë për EULEX-in
Kelmendi: Nga Del Ponte të kërkohet dëmshpërblim
XS
SM
MD
LG