Ndërlidhjet

logo-print

Asadi vë veten në qendër të planit

  • RFE /RL

Bashar al-Asad

Bashar al-Asad

Presidenti sirian, Bashar al-Asad, ka paralajmëruar një plan objektivash për të ardhmen e Sirisë, duke nënvizuar hapat për ndryshimet kushtetuese dhe për formimin e një komiteti të dialogut kombëtar, i cili do të çonte drejt hartimit të një ligji të ri zgjedhor.

Në fjalimin e tij të tretë me radhë që kur nisën trazirat kundër regjimit të tij, Asad e ka cilësuar situatën në Siri si “moment përcaktues” në historinë e këtij vendi, duke thënë se “i vetmi opsion mbetet përqafimi i së ardhmes”.

Ai tha se hapat drejt reformave do të diskutohen në dialogun kombëtar ku të gjithë do të marrin pjesë dhe se procesi tashmë ka filluar me formimin e “Autoritetit për Dialogun Kombëtar”, i cili përfaqëson të gjitha elementet e shoqërisë siriane dhe i cili në ditët në vijim do të zhvillojë konsultime.

Analistët politikë janë duke vënë në dilemë faktin nëse fjalimi i Asadit ka ofruar pak ose është realizuar vonë për protestuesit, të cilët janë përballur me një kundërpërgjigje vdekjeprurëse të armatës dhe paramilitarëve sirianë.

Protestuesit kërkojnë që Asadi të japë dorëheqje, kërkesë kjo të cilën ai vetë e hodhi sot poshtë. Protestuesit gjithashtu janë duke kërkuar t’u jepet fund vrasjeve dhe përdorimit të torturës nga ana e shtetit kundër oponentëve të regjimit të Asadit dhe shfuqizimin e kufizimeve ndaj lirisë së shtypit.

Një tjetër kërkesë e protestuesve ka të bëjë edhe me lirimin e të burgosurve politikë, për të cilën kërkesë, presidenti sirian, tha se do të kërkojë nga Ministria e Drejtësisë që të hulumtojë mundësinë e zgjerimit të amnistisë për të gjithë, përveç trafikuesve të substancave narkotike dhe atyre që janë akuzuar për tentim grusht-shteti.

Ai e ka cilësuar dhunën e muajve të fundit që ka kapluar Sirinë si “një re që prapa ka lënë akte vandalizmi, vrasje dhe shkatërrim të pronës publike dhe private”.

Grupet e ndryshme për të drejtat e njeriut dhe forcat opozitare vlerësojnë se rreth 1,400 sirianë janë vrarë dhe 10, 000 të tjerë janë arrestuar, në përpjekje të presidentit sirian për të mos e dorëzuar pushtetin. Rreth 11, 000 refugjatë kanë gjetur strehim në Turqinë fqinje.

Sekretari i jashtëm britanik, Uilliam Hejg, ka thënë se regjimi në Siri po e humbet legjitimitetin dhe se Turqia duhet t’i bashkohet vendeve që janë duke i bërë presion Asadit për t’iu nënshtruar ndryshimeve.

"Shpresoj se kolegët tanë nga Turqia do të bëjnë trysni mbi regjimin e Asadit, me një mesazh të qartë, se ai po e humb legjitimitetin dhe se Asadi duhet ose të reformohet ose të tërhiqet. Shpresoj se do të jenë të qartë dhe të palëkundur në këtë mesazh”, ka thënë zoti Hejg.

Ai ka ftuar presidentin sirian që t’i kushtojë vëmendje thirrjes së bërë nëpërmjet rezolutës së propozuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nga Britania, Franca, Gjermania dhe Portugalia, për lirimin e të burgosurve politikë, lirinë e shtypit dhe reforma të tjera.

Presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka thënë sot se Moska është e gatshme të shfrytëzojë veton në Këshillin e Sigurimit, për të bllokuar miratimin e kësaj rezolute, duke pohuar se ajo mund të shfrytëzohet si arsyetim për ndonjë aksion ushtarak kundër Sirisë.(a.v.)
XS
SM
MD
LG