Ndërlidhjet

Kërkohet zgjidhja e statusit të ish-UÇK-së


Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë
Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë
Në bisedimet për formimin e qeverisë së re në Maqedoni, diskutohet edhe për mbylljen e statusit të ish-UÇK-së. Nga BDI dhe VMRO-DPMNE, që po negociojnë formimin e ekzekutivit të ri, nuk jepen detaje, ndërsa shoqatat e dala nga lufta, thonë se zgjidhja duhet kërkuar në miratimin e një ligji të veçantë.

Partitë politike fituese të zgjedhjeve të 5 qershorit, VMRO-DPMNE dhe BDI, vazhdojnë negociatat për formimin e qeverisë së re, larg syve të opinionit.

Përveç ndarjes së posteve ministrore dhe të përgjegjësive tjera në ekzekutivin e ri, pjesë e bisedimeve janë edhe disa çështje tjera që kanë mbetur pa zgjidhje që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, që i dha fund konfliktit të vitit 2001. Një ndër to është edhe zgjidhja e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Drejtues të organizatës së veteranëve të luftës thonë se zgjidhja e vetme e këtij problemi mbetet miratimi i një ligji të veçantë, dhe për këtë, sipas Besim Hodës, duhet të insistojë deri në fund BDI-ja.

Pikërisht kjo duhet të bëhet, pasi çështja e ligjit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës është bërë çështje pazarllëqesh brenda 10 viteve, prandaj ne deklarojmë, në këtë drejtim, se kjo çështje duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë dhe të zgjidhet ky problem, duke i dhënë shans Maqedonisë për vazhdim më të sigurt të ekzistimit të saj”.

Ne mendojmë që subjektet politike, qofshin ato shqiptare apo maqedonase, e kanë marrë mesazhin, se pa zgjidhjen e këtij problemi, që do të jetë edhe fillimi i zgjidhjes së problemeve tjera, do të jetë e vështirë për të ecur përpara”, thotë Hoda.

Çështja e statusit të ish-UÇK-së ka qenë temë e debatit dhe e qëndrimeve të ndryshme gjatë tre viteve të kaluara mes partive që edhe tani po bisedojnë për qeverinë e re, BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së.

Derisa BDI-ja angazhohet për miratimin e një ligji të veçantë, VMRO-DPMNE-ja, thotë se një gjë e tillë mund të zgjidhet në kuadër të ligjeve ekzistuese për trajtimin e rasteve sociale.

Organizatat e dala nga lufta, kanë kundërshtuar ashpër një gjë të tillë, duke deklaruar se lufta nuk është zhvilluar për trajtimin e tyre si raste sociale.

Besim Hoda, thotë se përveç zgjidhjes së këtij problemi me ligj të veçantë, në bisedimet për qeverinë e re, duhet të kërkohet edhe mbyllja e problemeve tjera, që, sipas tij, edhe 10 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, kanë mbetur të hapura..

Më e rëndësishmja nga gjitha është realizimi i qëllimit për çka u nis lufta e vitit 2001, pra, zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në Maqedoni. Në qoftë se kjo nuk realizohet, absolutisht nuk do të ishte relevante vetëm zgjidhja e statusit të familjeve të dëshmorëve, për shkak se qëllimi kryesor i luftës, i jetëve të dhëna, i gjymtyrëve të dhëna, ka qenë zgjidhja e përhershme e problemeve të shqiptarëve në Maqedoni”.

Vetëm kjo do të nderonte dhe do të rehatonte shpirtrat e dëshmorëve dhe idealeve të njerëzve të cilët atëherë ishin të gatshëm ta sakrifikojnë edhe jetën për një jetë më të mirë të fëmijëve të tyre, familjeve të tyre, por, edhe shqiptarëve në përgjithësi”, shprehet kryetari i OVL-UÇK-së, Besim Hoda.
XS
SM
MD
LG