Ndërlidhjet

MZHE: Privatizimi i PTK-së po realizohet sipas planit


Procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës është duke u zhvilluar sipas strategjisë dhe planit të paraparë, ka thënë Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Në një njoftim për media, kjo ministri ka bërë të ditur se Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së në përputhje me vendimet e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka kryer procesin e para-kualifikimit të ndërmarrjeve të interesuara për privatizimin e PTK-së.

“Për blerjen e 75% të aksioneve të PTK Sh.A, janë kualifikuar Hrvatski Telekom d.d., Kroaci, kompania amë Deutche Telecom, Gjermani dhe Telekom Austria AG, Austri. Procesi i vlerësimit të aplikacioneve është kryer nga një panel profesional i përbërë nga përfaqësuesit e pesë ministrive pjesëmarrëse në KQP”, thuhet në njoftim.

MZHE njofton se këshilltarët e transaksionit duke realizuar detyrat dhe obligimet e veta në këtë proces, janë në kontakt të përhershëm me përfaqësuesit e autorizuar të kompanive të kualifikuara dhe ato janë të interesuara për të marrë pjesë në privatizimin e PTK-së.

“Komisionit Qeveritar i Privatizimit, përmes Njësisë për Implementimin e projektit të privatizimit të PTK-së dhe këshilltarit të transaksionit është duke përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të shpallur thirrjen për tenderim”, njofton MZHE.

“Hapi tjetër në këtë proces është thirrja për propozime, gjegjësisht oferta teknike, ku investitorëve të kualifikuar u ofrohet qasje në tërë dokumentacionin relevant dhe u prezantohet draft marrëveshja për shitblerjen e aksioneve me kufizimet potenciale".

"Pas kësaj faze, kur të pranohen ofertat e tyre finale, kompanitë ftohen të japin ofertën e tyre financiare, i cili është kriteri i fundit për përcaktimin e tenderuesit fitues”, thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Procesi i privatizimit të PTK-së thuhet se do të përmbyllet deri në fund të këtij viti.
XS
SM
MD
LG