Ndërlidhjet

Britania mbështet Kosovën në procesin e njohjes


Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Luksemburg është takuar të hënën me ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington.

Në një njoftim për media të MPJ-së, thuhet se ministri britanik ka shprehur përkrahjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar për shtetndërtimin e gjithanshëm të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në aspektin e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.

Lidington citohet të ketë thënë se qeveria britanike do të angazhohet fuqishëm brenda Bashkimit Evropian dhe më gjerë, për përmbylljen e suksesshëm të procesit të njohjes së Kosovës.

“Ne do të mbështesim Republikën e Kosovës që të ketë sa më shumë njohje dhe të jetë pjesë e nismave rajonale dhe ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë Lidington.

MPJ njofton se ministri britanik, po ashtu, ka kërkuar rezultate konkrete nga dialogu teknik mes Kosovës dhe Serbisë i cili po zhvillohet në Bruksel, duke shprehur qëndrimin se procesi i integrimit të Serbisë në BE mund të bëhet vetëm në rast se ky shtet do të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore me Republikën e Kosovës.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka informuar Ministrin Lidington për progresin e vazhdueshëm të Kosovës, reformat e brendshme shtetndërtuese dhe avancimin permanent të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
XS
SM
MD
LG