Ndërlidhjet

Rrezikohen rezervat buxhetore?


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Korniza afatmesme e shpenzimeve, të cilën ditë më parë Qeveria e Kosovës e ka dërguar për trajtim në Kuvendin e Kosovës, ka mjaft të meta, të cilat, në të ardhmen, do të mund të reflektohen në zhvillime negative të vendit, vlerësojnë ekspertët e çështjeve ekonomike.

Ekspertët thonë se kjo kornizë është e bazuar në supozime të paqëndrueshme, dhe në të ende figurojnë shumat financiare, të cilat Kosova i ka humbur pas daljes nga marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Lumir Abdixhiku, ekspert për ekonomi në institutin Riinvest, thotë se ekzistojnë gjasat që Kosova ta mbulojë krizën financiare, por vetëm për vitin 2011, nëse arrin ta shesë PTK-në.

Nëse nuk arrihet të shitet PTK-ja, Kosova në fund të vitit do të përfundojë, që në thesarin e vet të ketë më pak se 20 milion euro, ose edhe më pak se sa që ka një bankë komerciale në Kosovë".

"Kjo e vë vendin tonë në rrezik mjaft të madh, meqenëse ne do të jemi jo-likuid, dhe nuk do të jemi në gjendje t’i paguajmë obligimet tona. Nuk do të jemi në gjendje t’i paguajmë investimet kapitale, pagat e mësimdhënësve
".

Me fjalë të tjera, Kosova do të mbetet pa para dhe me arkë të zbrazët deri në fund të vitit, nëse nuk shitet PTK-ja. Mbetja pa para e vendit tonë është tmerrësisht e rrezikshme në aspektin financiar. Lutem që të mos kemi ndonjë krizë natyrore ose ndonjë shpenzim të ri, sepse tërësisht do të mbesim pa para në gjepat tonë”, thotë Abdixhiku.

Ndërkaq, Muhamet Sadiku, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se edhe nëse Kosova i shet Post Telekomin dhe një pjesë të Korporatës Energjetike të Kosovës, vështirë se do të mund ta ndërtojë një qëndrueshmëri fiskale dhe zhvillimore, nëse nuk do ta ketë mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Profesor Sadiku pret që Qeveria do të jetë e detyruar që t’ia mësyjë rezervave buxhetore.

Kosova do të jetë e detyruar që t’i atakojë këto mjete, të cilat janë të ruajtura si rezervë buxhetore. Shpenzimi i tyre është treguesi më i mirë se Kosova po hyn në një rrugë të vështirë fiskale, me mundësi vërtetë të vështira për të dalë nga kjo situatë".

"Prandaj, rezervat e detyrueshme, të cilat i kishte përcaktuar Fondi Monetar Ndërkombëtar, që sivjet të jenë mbi 300 milion euro, nëse preken, atëherë ky do të jetë indikator që Kosova po hyn në fazë të një destabilizimi fiskal
”, shprehet Sadiku.

Sadiku shton se rrezikimi i stabilitetit fiskal është i lidhur shumë ngushtë me qeverisjen e vendit.

Sipas tij, do të rrezikohen projektet e filluara të infrastrukturës, si dhe do të ketë, siç thotë ai, çarje në sistemin e financimit.

Ndërkaq, Abdixhiku thekson se kriza financiare për Kosovën do të nënkuptonte edhe krizë ekonomike.

Në një rast mjaft pesimist, që unë shpresoj të mos ndodhë, vendi do të humbte çdo shpresë për rimëkëmbje ekonomike dhe do të ndiqte shembujt e njëjtë nëpër të cilat kanë kaluar apo kalojnë sot Greqia e Irlanda".

"Paralajmërimet që janë bërë më herët, gjatë janarit të vitit 2011, janë injoruar në vazhdimësi prej Qeverisë dhe ndoshta ky ka qenë gabimi më i madh
”.

Por, nuk është vonë. Besoj se Kosova ka mundësi që të bëjë disa zgjidhje dhe të jetë më kreative në mbulimin e shpenzimeve. Ndoshta duhet përcjellë rastin e Rumanisë, kur është bërë ri-programimi i marrëveshjes së autostradës apo pagesës së saj".

"Në qoftë se Kosova bën një ri-programim të tillë, besoj se mund t’i shmanget një krize potenciale. Por, në qoftë se ne vazhdojmë me mbulimin e këtyre borxheve dhe këtyre kostove, atëherë kriza është e pashmangshme
”, thotë ai.

Profesor Sadiku, vlerëson se në këtë moment është i nevojshëm një rishikim i buxhetit nga Qeveria e Kosovës.

Unë mendoj se vërtetë në këtë vit do të duhej që buxheti i Kosovës të rishikohej edhe një herë. Duhet të analizohet kjo periudhë 6 mujore. Duhet të shihet se sa po funksionojnë prioritetet e Qeverisë. Duhet të shihet se a ekzistojnë lidhjet në mes shpenzimeve qeveritare dhe prioriteteve".

"Ky rishikim duhet të na vë në një situatë të re, për të ndërmarrë veprime të mëtutjeshme dhe për të ndërtuar një strategji që, megjithatë, Kosova t’i zbusë pasojat e një situate shtrënguese buxhetore, dhe që eventualisht të futemi në binarët e një qëndrueshmërie fiskale”, thotë Sadiku.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG