Ndërlidhjet

Ngec zbatimi i Marrëveshjes e Ohrit


Shkupi - kryeqyteti i Maqedonisë

Shkupi - kryeqyteti i Maqedonisë

Në prag të10 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ekspertët që morën pjesë në hartimin e këtij dokumenti, kanë konstatuar ngecje në zbatimin e tij. Xhevdet Nasufi, thotë se edhe 10 vite pas, shqiptarët nuk kanë arritur pozitën shtet-formuese, që parashihet me dispozitat e marrëveshjes. Në një hulumtim të realizuar nga Universiteti i Evropës Juglindore, ngecjet janë konstatuar në përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e larta, në mos-zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe dhe në fusha tjera.

Marrëveshja e Ohrit nuk ka arritur ende qëllimin kryesor të saj, për të cilën, edhe ishte nënshkruar, thotë Xhevdet Nasufi, një nga ekspertët kryesor shqiptar që mori pjesë në hartimin e këtij dokumenti paqësor.

Sipas tij, marrëveshja arriti ta përfundojë konfliktin e armatosur në vitin 2001, por nuk ka arritur ende të ndryshojë statusin e shqiptarëve për shkak të, siç thotë, devalvimit të saj nga interpretimet e ndryshme.

Marrëveshja e Ohrit i ka tejkaluar afatet e zbatimit. Viti 2004, ka qenë afati i fundit për zbatimin e saj dhe arritjen e objektivit kryesor në ndërtimin e pozitës shtet-formuese të shqiptarëve në Maqedoni. Në të përfshihen vendimmarrjet në çështjet esenciale shtetërore, që nuk janë arritur, që shqiptarët të kenë gjuhën e tyre zyrtare, që statusi i atëhershëm i luftëtarëve të rregullohet dhe të socializohen me të drejta kombëtare”, thotë Xhevdet Nasufi.

Ai fajin për këtë më së shumti ia hedh partive shqiptare, që sipas tij, nuk kanë ditur të bashkëpunojnë dhe të shfrytëzojnë mbështetjen e fuqishme që kishin nga komuniteti ndërkombëtar për avancimin e mëtejmë të pozitës shqiptare.

Duke komentuar pakënaqësitë që në vazhdimësi janë shprehur nga partitë shqiptare lidhur me ngecjet apo me mos implementimin e drejtë të dispozitave të Marrëveshjes së Ohrit, studiuesja, Mirjana Malevska, thotë se të gjithë autorët që kontribuuan në arritjen e marrëveshjes, duhet të punojnë me ngulm për zbatimin e plotë të saj.

Malevska thotë se përveç rritjes së mirëbesimit mes dy komuniteteve të mëdha në vend, Marrëveshja e Ohrit, ka rëndësi të madhe edhe për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, pasi, Brukseli në vazhdimësi thekson, se një ndër kushtet e integrimit, është edhe zbatimi i plotë i saj.

Ajo gjithashtu thekson se çdo pakënaqësi eventuale, duhet të diskutohet, dhe palët të merren vesh.

Marrëveshjet nuk janë personale, ato ndryshojnë. Gjithashtu edhe kushtetuta ndryshohet varësisht nga konteksti, apo nga ajo që do të merren vesh palët. Por, për gjithë këtë, është shumë me rëndësi, që të bisedohet në kuadër të institucioneve, që konflikti të mos dal jashtë tyre, siç ishte rasti në vitin 2001”, shprehet Malevska.

Në prag të shënimit të 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, janë mbajtur edhe tribuna të ndryshme me përfaqësues të partive politike dhe ekspertë të ndryshëm.

Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, pas një hulumtimi që ka bërë, ka dalë me të dhëna konkrete lidhur ngecjet në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Vlerësojmë se jo të gjitha pikat janë zbatuar, kryesisht kanë mbetur, sipas meje, edhe 4 çështje që duhet zbatuar. Çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet më të lata shtetërore, e kam parasysh për postet kryesore shtetërore që në këto 10 vitet e fundit nuk janë drejtuar nga shqiptarët, pastaj është zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe, meqë ligji i vitit 2008 nuk e zyrtarizoi gjuhën shqipe, është implementimi i aneksit C, për kthimin e besimit, përkatësisht zbatimi i Ligjit për Amnisti, dhe barazia buxhetore apo shpërndarja e mjeteve edhe në pjesët shqiptare”, u shpreh Blerim Reka, prorektor në UEJL.

Tribuna për marrëveshjen e Ohrit do të mbahen edhe gjatë ditëve në vijim, ndërsa aktiviteti kryesor do të mbahet më 13 gusht, kur edhe mbushen 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.
XS
SM
MD
LG