Ndërlidhjet

Byhler takohet me shefin e ushtrisë serbe, Miletiq


Trupat ndërkombëtare në Kosovë kanë njoftuar se gjenerali i KFOR-it, Erhard Byler, është takuar me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Gjeneralin Miloje Miletiq.

Takimi, siç njofton komunikata e KFOR-it, është zhvilluar në Kopaonik, ndërsa ai është në kuadër të kontakteve të rregullta që ka KFOR-i me ushtrinë e Serbisë.
Sipas KFOR-it, “qëllimi kryesor i këtyre takimeve është të bëhet monitorimi, ndërlidhja dhe mënjanimi i konfliktit, në kuadër të përmbushjes së kërkesave të Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake, e cila përfshin për shembull, shkëmbimin e informatave lidhur me forcat e sigurisë në të dyja anët e Vijës Kufitare Administrative, ushtrimet dhe operacionet e tyre ose çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në Vijën Kufitare Administrative”.

Komunikata e KFOR-it shkon më tej duke thënë se gjatë takimit, bashkëpunimi në mes të forcave ndërkombëtare dhe ushtrisë së Serbisë, është vlerësuar si “shumë i mirë dhe tejet profesional, i bazuar në respekt të ndërsjellë”.
“Gjenerali Miletic dhe Gjenerali Bühler u pajtuan që të vazhdojnë dhe të zhvillojnë edhe më shumë bashkëpunimin në mes të dy palëve dhe të rrisin komunikimin në mes të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë në nivel të duhur”, thuhet në fund të komunikatës së KFOR-it.
XS
SM
MD
LG