Ndërlidhjet

Kuvendi s’ka informacion për bisedimet


Ligjvënësit kosovarë
Ligjvënësit kosovarë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës thonë se nuk e dinë se çfarë marrëveshjesh mund të nënshkruhen në bisedimet Prishtinë - Beograd gjatë raundit të ardhshëm, të paralajmëruar se do të mbahet në fund të këtij muaji. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si edhe deputetë opozitarë thonë se për bisedimet nuk kanë asnjë informacion zyrtar nga Qeveria dhe se kryesisht informohen përmes mediave.


Bisedimet Prishtinë-Beograd vazhdojnë të cilësohen si jotransparente për Kuvendin dhe qendrat tjera politike në Kosovë.

Teksa po paralajmërohen disa marrëveshje ndërmjet palëve në bisedime, deputetët thonë se nuk kanë njohuri se për çfarë çështjesh bëhet fjalë.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, vazhdon ta cilësojë procesin e bisedimeve që po zhvillon delegacioni qeveritar i Kosovës me Serbinë, si jotransparent për institucionet tjera.

Krasniqi thotë se nuk është i njoftuar me përmbajtjen dhe platformën e bisedimeve, ndërkaq i rikujton Qeverisë dhe kryenegociatores Edita Tahiri se Kuvendi duhet të njoftohet rregullisht për ecurinë e këtyre bisedimeve.

Transparenca e bisedimeve, thotë Krasniqi, parashihet edhe me rezolutën e miratuar nga Kuvendi.
Jakup Krasniqi

Unë kam thënë se Kuvendi nuk e ka platformën zyrtarisht, dhe ajo mungon, e mungon edhe informimi. Sipas Rezolutës, ajo (Edita Tahiri) çdo tre muaj duhet t’i raportojë Kuvendit”, deklaron Krasniqi.

Në interesimin e gazetarëve se a do të kërkohet nga delegacioni i Kosovës që të prezantojë platformën e bisedimeve para Kuvendit, Krasniqi thotë se kjo çështje tashmë nuk është me rëndësi, kur bisedimet po vazhdojnë.

“Tashmë ajo nuk është domosdoshmëri, bisedimet po zhvillohet qe dy muaj e sa”, shprehet Krasniqi.

Pakënaqësinë e vet me mënyrën e përfshirjes së Kosovës në bisedimet me Serbinë në vazhdimësi e ka shprehur opozita në Parlament.

Ndërkaq, tani kur procesi po zhvillohet, deputetët opozitarë thonë se procesi është i mbyllur dhe se burimi i vetëm i informacioneve për bisedimet janë mediat.

Nënkryetarja e parë dhe deputetja e LDK-së, Teuta Sahatçia, thotë se bisedimet filluan mbrapshtë me vetë faktin se Kuvendi miratoi rezolutën pa opozitën. Kurse, tash kur paralajmërohen marrëveshjet, ajo thotë se Kuvendi nuk e ka idenë se për çka do të nënshkruhet.

Teuta Sahatçia
“Detajet e bisedimeve nuk i di askush përveç zonjës Tahiri dhe shefit të saj (kryeministrit Thaçi). Në fakt, ne, për bisedat kuptojmë prej medieve, e jo në rrugën zyrtare siç do të duhej të ekzistonte”, thekson Sahatçia.

Deputetja Sahatçia inkurajon Qeverinë dhe kryenegociatoren Tahiri që të mos e anashkalojnë Kuvendin dhe çdo marrëveshje ta sjellin për aprovim në Kuvend.

“Kuvendi i Kosovës është krejtësisht i anashkaluar. Do të ishte shumë e logjikshme të thuhet që çfarëdo marrëveshje para se të dërgohej për nënshkrim, do të duhej të sillej në Kuvend, të diskutohej se a është e vlefshme për Kosovën apo jo dhe, si e tillë, me miratimin e Kuvendit, të shkojë”, thotë Sahatçia.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka paralajmëruar se në takimin e radhës, i paraparë të mbahet në fund të qershorit, mund të arrihen disa marrëveshje në pako që përfshijnë çështjet e lëvizjes së lirë dhe tregtisë së lirë.

Ajo është shprehur optimiste se mund të arrihen marrëveshje edhe për çështjet e energjisë, të telekomunikacionit, si dhe për regjistrin civil - kadastral dhe njohjen e diplomave shkollore dhe universitare.
XS
SM
MD
LG