Ndërlidhjet

logo-print

Asad shpall përsëri amnisti


Presidenti i Sirisë, Bashar al-Asad ka lëshuar një tjetër urdhër për amnisti për të burgosurit, ndërsa, dhjetëra mijëra kanë dalë rrugëve të Sirisë për ta mbështetur atë.

Dekreti jep amnisti të përgjitshme për “krimet e kryera para 20 qershorit të vitit 2011”.

Kjo është falja e dytë në më pak se një muaj, pasi që më 31 maj ai shpalli amnisti për të gjithë të burgosurit politikë, të arrestuar gjatë trazirave në vend.

Amnistia vjen një ditë pasi përmes një fjalimi ai premtoi një pako reformash dhe prezantimin e kushtetutës së re.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Sirisë SANA raportoi se tubime të mëdha të mbështetësve të Asadit janë mbajtur në sheshet kryesore në qytete të ndryshme të Sirisë.

Aktivistët thonë se mbështetësit e qeverisë dhe forcat e sigurisë janë përleshur me kundërshtarët e regjimit në Homs, Hama dhe në qytetin lindor të Deir el Zourit, duke lënë të vrarë të paktën 7 persona.

Kryeministri i Rusisë, Vlladimir Putin, duke folur në Paris, ka kërkuar presion ndërkombëtar ndaj lidershipit të Sirisë. Por, ai ka kundërshtuar intervenimin ushtarak.

“Nuk mendojmë se është ide e mirë që të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të një shteti të pavarur dhe sovran. Zhvillimet në disa shtete të caktuara kanë treguar se situata nuk është përmirësuar pas përpjekjeve tona që të drejtojmë proceset. Dhe ende mbetet e paqartë se çka po ndodhë në Siri”, tha Putin.

Grupet lokale për të drejtat e njeriut thonë se më shumë se 1 300 civilë janë vrarë dhe 10 mijë janë burgosur, që nga protestat që bëjnë thirje për më shumë liri, të cilat shpërthyen në mars në tërë Sirinë.
XS
SM
MD
LG