Ndërlidhjet

Përmbushja e zotimit


Afganistan
Afganistan

Presidenti Barak Obama pritet që t’i lëvizë Shtetet e Bashkuara një hap më afër përfundimit të përfshirjes ushtarake në Afganistan të mërkurën, ndërsa do t’i shpallë planet për kthimin e mijëra ushtarëve amerikanë në shtëpi.

Zyrtarë nga administrata e Obamës thonë se ai është ende në fazën finale të vendimmarrjes, që nuk do të fokusohet vetëm në atë se sa trupa do të kthehen në korrik, por edhe në një plan më të gjerë të tërheqjes, në mënyrë që afganëve t’u jepet mundësia për të pasur nën kontroll sigurinë nga viti 2014.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhejms Karni, ka thënë se paralajmërimi i Obamas është përmbushje e zotimit që ai ka dhënë në dhjetor të 2009-ës për të filluar tërheqjen e trupave këtë verë.

“Parametrat e vendimit të tij përfshijnë nisjen e tërheqjes së forcave amerikane. Siç e dini, ne kemi shtuar në disa valë numrin e forcave në Afganistan dhe tani kemi arritur në momentin, të cilin presidenti ka identifkuar në dhjetor të 209-ës, me zotimin që ka bërë se forcat tona do të fillojnë të tërhiqen në korrik të 2011-ës. Ai po e përmbushë këtë zotim”, ka thënë Karni.

Obamës, në javën e kaluar i ishin propozuar një sërë opsionesh të planit për tërheqje nga gjenerali i SHBA-ve dhe komandanti i NATO-s në Afganistan, David Petraus.

Ushtria amerikane parapëlqen një reduktim gradual të trupave nga 100 mijë sa ka tash, por këshilltarët tjerë thonë se në muajin e ardhshëm duhet të ketë një largim të konsiderueshëm të ushtarëve.

Derisa Obama ka thënë se favorizon një tërheqje domethënëse, këshilltarët e tij, nuk kanë saktësuar në numra këtë deklaratë.

Presidenti i SHBA-ve këtë njoftim pritet ta bëjë publik të mërkurën në Uashington. Kurse, një ditë me vonë, ai do t’i vizitojë trupat ushtarake në bazën ushtarake të Fort Drumit, ku gjendet baza e forcave të këmbësorisë malore - një nga njësitë që më së shpeshti është dërguar në Afganistan dhe Irak.

Përderisa vëmendja është përqendruar se sa trupa do të largohen nga Afganistani në muajin e ardhshëm, shumica kanë përqendruar vëmendjen se çka do të ndodhë pas korrikut - në veçanti, sa gjatë planifikon presidenti që të mbajë përforcimin prej 30 mijë forcash, që kishte dërguar atje më 2009.

Ekziston një besim në rritje se Obama duhet që, së paku, të bëjë tërheqjen fillestare të këtyre 30 mijë trupave.

Por, është debatuar ashpër, nëse këto forca duhet të kthehen në shtëpi në numër më të madh gjatë tetë deri në 12 muajve të ardhshëm apo të largohen në mënyrë më graduale.

Nga ana tjetër, komandantët ushtarakë, duan që të ruajnë praninë amerikane sa më gjatë, duke argumentuar se një tërheqje e shpejtë, mund të minojë fitoret e brishta në luftën kundër talibanëve në Afganistan.

Po ashtu, ka shqetësime në lidhje me tërheqjen, pasi që mund të këtë rritje të luftimeve gjatë sezonit të verës.

Sebastian Gorka, një analist për çështje ushtarake në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington, i tha Radios Evropa e Lirë, se forcat afgane të sigurisë nuk janë të përgatitura që të marrin nën mbikëqyrje operacionet e sigurisë deri në fund të vitit 2014.

“Në qoftë se ju i shikoni statistikat e thjeshta të madhësisë së territorit që ne po flasim, forcat që koalicioni ka dhe forcat në dispozicion, ose forcat e mundshme të Qeverisë së Hamid Karzait – është fakt se ne nuk jemi të përgatitur. Ne jemi shumë larg nga të qenët në gjendje për të dorëzuar përgjegjësinë te forcat lokale, ndërsa Qeveria e Karzait tepër larg për të ushtruar sovranitetin mbi Afganistanin", tha Gorka.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, i cili tërhiqet nga posti i tij në fund të këtij muaji, kishte thënë se tërheqja fillestare duhet të jetë "modeste".

Robert Gejts

“Populli afgan duhet t’i mbajë mend dy gjëra kryesore: së pari, derisa SHBA-të dhe partnerët tanë të koalicionit mund të tërhiqen, forcat tona ushtarake me kalimin e kohës, do të jenë të angazhuara për një partneritet afatgjatë strategjik me Afganistanin. Ne do të vazhdojmë të trajnojmë, pajisim dhe mbështesim forcat afgane të sigurisë dhe të bëjmë atë që mundemi për të ndihmuar qeverinë, që të përmirësojë jetën e qytetarëve. Me pak fjalë, nuk do të nxitojmë që të largohemi”, pati deklaruar gjatë një vizite në Kabul, Gejts.

Por, disa nga këshilltarët e Obamës po mbështesin një tërheqje më të madhe që në muajin korrik, e cila do të vazhdonte me tërheqje të vazhdueshme në muajt pasues. Këta këshilltarë mendojnë se fitoret në fushën e sigurisë në Afganistan, në këmbim me vrasjen e Osama Bin Ladenit, dhe suksesin e SHBA-ve në goditjen e rrjetit të Al Kaidës, i japin Obamës një mundësi që të tërheqë numër më të madh të trupave në këtë vit.

Prandaj, presidentit Obama ka, gjithashtu, një rritje të presionit politik për tërheqje më të madhe. Njëzet e shtatë senatorë të SHBA-ve, demokratë si dhe republikanë, i kanë dërguar Obamës një letër javën e kaluar për, siç thuhet, një ndryshim të shpejtë të strategjisë në Afganistan, si dhe shkurtime të mëdha të trupave atje.

Mes tjerash në letrën e senatorëve thuhet: "Duke pasur parasysh sukseset tona, është momenti i duhur për të nisur një ulje të numrit të forcave ushtarake, me qëllim që të bëhet rivendosja e forcave të rregullta luftarake. Kostoja e stërzgjatjes së luftës peshon më tepër sesa përfitimet”.

Tërheqja e forcave nga Afganistani ka marrë mbështetje të gjerë të publikut amerikan.

Sondazhet e kohëve të fundit të opinionit publik amerikan sugjerojnë se 80 për qind e miratojnë synimin e Obamës për të filluar tërheqjen e trupave luftarake nga Afganistani në korrik dhe t’u dhënë fund operacioneve luftarake amerikane në Afganistan në fund të 2014.

Në sondazh vihet në pah se vetëm rreth 15 për qind e amerikanëve nuk janë dakord me planin e tërheqjes.

Obama ka trefishuar numrin e forcave amerikane në Afganistan që nga marrja e detyrës në fillim të vitit 2009, duke e çuar totalin atje për rreth 100 mijë. Përforcimi prej 30 mijë trupash në vitin 2009, erdhi me kushtin që ai do të fillonte tërheqjen e trupave në nga Afganistani në korrik të 2011-s.(a.i.)
XS
SM
MD
LG