Ndërlidhjet

Senati amerikan voton pro Leon Panetës si Sekretar i Mbrojtjes


Senati i SHBA-ve e ka aprovuar me unanimitet nominimin e Leon Panetës si Sekretar të Ardhshëm të Mbrojtjes. Paneta, shefi në largim i Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës, CIA, do e zëvendësojë në pozitën e re, Robert Gejtsin, i cili do të pensionohet më 30 qershor, pasi ka shërbyer në atë detyrë për më shumë se katër vjet, gjatë administratës së Xhorxh Bushit dhe tani të Barak Obamës.

Paneta, në pozitën e e shefit të CIA, do zëvendësohet nga Gjenerali Dejvid Petreus, komandanti aktual i forcave ndërkombëtare në Afganistan.

Votimi me të gjitha 100 votat pro në Senatin amerikan, u bë të martën, një ditë para se Presidenti Obama t’i drejtohet vendit duke folur për planin e tërheqjes së forcave amerikane nga Afganistani.

Paneta ka thënë se ai e përkrah tërheqjen e një numri të rëndësishëm të trupave nga Afganistani, duke nisur nga muaji korrik.

Peneta, që në fund të këtij muaji do e festoj ditëlindjen e tij të 73-të, ka shërbyer në pozita politike me dekada në Uashington, përfshirë edhe atë të kongresmenit së Kalifornisë si dhe shef i stafit të Presidentit Bill Klinton.
XS
SM
MD
LG