Ndërlidhjet

Ban rizgjidhet në krye të OKB-së

  • Nik Krastev

Ban Ki Mun - Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së

Ban Ki Mun - Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së

Ban Ki Mun, diplomati i Koresë së Jugut që e përfundon mandatin e tij të parë në fund të vitit 2011, si Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, është zgjedhur për një mandat të dytë në të njëjtën pozitë.

Emërimi formal i tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, më 21 qershor ka qenë më shumë një aspekt teknik, pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së e rekomandoi atë unanimisht për një mandat të dytë. Deri më tash nuk ka asnjë rast kur një person i rekomanduar të mos zgjidhet si Sekretar i Përgjithshëm në historinë 66 vjeçare të OKB-së.

Me gjithë dyshimet e para rreth fuqisë së kredencialeve të tij, Ban është verifikuar si një negociator i aftë dhe lider, apo siç thotë ai vet, një “harmonizues” dhe “ndërtues i urave” të bashkëpunimit.



Deri më tash, Ban Ki Mun ka marrë kritika pozitive për angazhimin e tij rreth ndryshimeve klimatike, çarmatimin bërthamor dhe çështjet e të drejtave të grave.

Mirëpo, ai është kritikuar për dështim që të jetë më i ashpër ndaj abuzimit të të drejtave të njeriut në shtete të fuqishme si Kina dhe Rusia.

Mandati i tij i dytë fillon më 1 Janar të vitit 2012.

Jam krenar dhe i nderuar që të pranoj përkrahjen tuaj. Si Sekretar i Përgjithshëm unë punoj si harmonizues dhe ndërtues i urave”, tha Ban Ki Mun.

Për dallim nga paraardhësi i tij, Kofi Anan nga Gana, Ban, koreano-jugor, nuk është pranuar fillimisht si lider i fuqishëm i trupit botëror.

Mirëpo me këmbënguljen dhe aftësitë e tij manovruese, Ban arriti të fitojë përkrahës gjatë mandatit të tij të parë.

Duke e pasur parasysh efektin e krizës globale ekonomike aktuale, Ban kishte përsëritur që do të bëjë më shumë me më pak burime në OKB.

Në kohëra të vështira ekonomike, ne duhet që të zgjasim burimet tona, të bëjmë punë më të mirë me më pak para, ne duhet të përmirësojmë aftësinë tonë për të ofruar rezultate si një trup".

"Ne duhet të bëjmë më shumë që të lidhim pikat në muret e sfidave, që më pas zgjidhja e një programi global të bëhen zgjidhje për të gjithë ne
”, vlerësoi Ban Ki Mun.

Ban, në përpjekje për të kërkuar një bazë të përbashkët, ka siguruar mirënjohje, mirëpo ai gjithashtu është kritikuar për atë që dyshohet të jetë sjellje jo e duhur ndaj abuzimit me të drejta të njeriut në vende si Kina dhe Rusia.

Në të njëjtën kohë, Ban Ki Mun, ka ngritur zërin në përkrahje të lëvizjeve që kërkojnë ndryshime demokratike në Lindje të Mesme dhe Afrikën Veriore.

Disa diplomatë të OKB-së, tani thonë se është e mundshme që tash e tutje, Ban Ki Mun, të tregojë një stil më të sigurt të diplomacisë dhe të përcjellë një rrugë, e cila është më pak e ndikueshme nga interesat e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, që janë Britania e Madhe, Rusia, Kina, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.(a.h.)
XS
SM
MD
LG