Ndërlidhjet

Papandreu e fitoi votëbesimin


Kryeministri i Greqisë Geroge Papandreu
Kryeministri i Greqisë Geroge Papandreu
Votimi në Parlamentin e Greqisë siguroi mbijetesën e qeverisë së re të kryeministrit George Papandreu dhe krijoi mundësinë që të miratohen edhe masat e kursimeve, të cilat i kërkojnë kreditorët ndërkombëtarë, si parakusht për lejimin e pjesës së ardhshme të paketës kreditore.

Papandreu kërkoi që ligjvënësit t’i miratojnë masat e kursimeve.

Nga kjo krizë, ky është rasti ynë i vetëm. Prandaj, nëse ne hezitojmë, nëse ne frikësohemi, nëse ne nuk e shfrytëzojmë këtë rast në mes të rrugës së vështirë, historia do të na gjykojë ashpër”, tha kryeministri Papandreu.

Greqia tha se do të ballafaqohet me kolaps nëse nuk i merr 13.7 miliardë dollarë kredi nga vendet evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Kjo shumë, prej paketës prej 158 miliardë dollarësh, i duhet Greqisë deri në muajin e ardhshëm, për t’i paguar obligimet e saj masive kreditore.

Javën e kaluar, Geroge Papandreu kishte bërë ndryshime në Qeverinë e tij duke e ndërruar ministrin e Financave, për t’i zbutur mospajtimet brenda partisë qeverisëse.

Ministri i ri i Financave, Evangelos Venizelos, premtoi që Parlamenti do të votojë për shkurtime buxhetore dhe kursime të tjera, në vlerë prej 40 miliardë dollarësh.

Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, e mirëpriti votimin në favor të Qeverisë së re të kryeministrit Papandreu, dhe tha se “ky është lajm i mirë për Greqinë dhe për Bashkimin Evropian”.

Ai kërkoi reforma madhore në strukturën e ekonomisë së Greqisë.

Rruga e vetme përpara është përpjekja nga ana e Greqisë për reduktim të deficitit strukturor. Kjo mund të bëhet vetëm përmes privatizimit të menjëhershëm dhe përmes një plani ambicioz dhe padyshim të dhembshëm, por të domosdoshëm, për arritjen e konsolidimit të buxhetit”, tha Manuel Barroso.

Por, masat e propozuara të kursimeve, patën shkaktuar protesta të gjera në mbarë Greqinë, që u shndërruan edhe në të dhunshme.

Para votimit, protestuesit ishin tubuar para ndërtesës së Parlamentit në Athinë, për të treguar kundërshtimin e tyre ndaj masave të kursimit.

Lideri opozitar, Antonis Samaras, tha në fjalimin e tij në Parlament, se shkurtimet “thjesht, nuk do të funksionojnë”.

Samaras propozoi uljen e borxheve duke e revitalizuar ekonominë dhe duke i shkurtuar taksat.

Ne të gjithë duhet ta dimë se programi nuk funksionon dhe nuk do të funksionojë, për shkak se është recetë e gabueshme. Nuk është se nuk ishte implementuar në mënyrë adekuate, por se është recetë e gabuar”, tha lideri opozitar Samaras.

Ushtruesi i detyrës së shefit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Xhon Lipski, tha se problemi kryesor i Greqisë, nuk është niveli i borxheve, por mungesa e konkurrencës, “izolimi” i saj ekonomik brenda eurozonës dhe “sistemi i thyer fiskal”.

Sipas tij, ky “sistem i thyer” mund të rregullohet, sepse “është çështje e vullnetit politik”. (f. b.)
XS
SM
MD
LG