Ndërlidhjet

Liberalizimi i vizave - larg


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Përfaqësuesit e Zyrës së Komisionit Evropian në Prishtinë u bënë thirrje kryetarëve të komunave të Kosovës që t’i shtojnë angazhimet e tyre në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Këto deklarata ata i bënë në një takim me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, ku ishin të pranishëm edhe disa nga kryetarët e komunave të Kosovës. Sipas tyre, proceset integruese janë shumë komplekse, prandaj duhet përfshirje sa më e madhe e gjitha niveleve të qeverisjes.


Përfaqësuesi i Komisionit Evropian në Prishtinë, Khaldum Sino, derisa fliste për procesin e liberalizimit të vizave dhe ri-integrimin e personave të riatdhesuar, tha se për personat, të cilët kthehen në Kosovë, duhet të ketë lehtësime në integrimin e tyre në shoqëri.

“Ju, kryetarët e komunave, keni një rol të rëndësishëm në procesin e liberalizimit të vizave, sepse, në esencë, jeni ju ata që duhet të merreni me ata qytetarë që kthehen. Pra, jeni ju ata që i koordinoni shërbimet në nivelin lokal. Po ashtu, ju duhet të informoni nivelin qendror me nevojat që mund të keni”, deklaroi Sino, duke shtuar se për këtë çështje nuk do të mungojë përkrahja e Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë.

Në këtë takim, që ishte organizuar nga Ministria e Integrimit me kryetarët e komunave, nuk qenë të pranishëm të gjithë drejtuesit e komunave. Nga gjithsej 37 kryetarë komunash, të pranishëm qenë vetëm 12 prej tyre.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i porositi ata që t’i përmbushin kriteret për liberalizimin e vizave. Thaçi u tha krerëve komunalë të pranishëm se duhet të sigurojnë qasje në shërbimet komunale për personat e riatdhesuar, si njëri nga kriteret kryesore në procesin e liberalizimit të vizave.
Hashim Thaçi

“Kërkesë tjetër e Qeverisë është që të sigurohet që, përmes institucioneve relevante që ju raportojnë juve dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet tjera relevante, të ofrohen të gjitha shërbimet publike për qytetarët e riatdhesuar, përfshirë regjistrimin civil, regjistrimin e fëmijëve në shkolla, regjistrimin e të kthyerve në qendrat komunale të punësimit dhe shërbimet sociale, në ato të shëndetësisë, si dhe t’u ndihmohet në qasje të papenguar në prona”, tha Thaçi.

Thaçi theksoi se sa i përket integrimit evropian, Qeveria e Republikës së Kosovës, mbetet e përkushtuar, sidomos sa i përket procesit të liberalizimit të vizave.

Edhe ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku, pohoi se duke pasur parasysh se sa kompleks dhe gjithëpërfshirës është procesi i integrimit evropian, Qeveria e Kosovë është duke i marrë të gjithë hapat e duhur që rezultatet të jenë në nivel të lartë.

Çitaku tha se për t’i arritur synimet, nevojitet një koordinim sa më adekuat me të gjitha institucionet kyçe në këtë proces, si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror.

Vlora Çitaku

“E mira është që shumë punë janë kryer dhe sot, gjendja në nivelin komunal është shumëfish më mirë sesa që ka qenë tre apo pesë muaj më parë. Unë, fuqishëm besoj që kjo çështje do të vërtetohet edhe pas vizitës së misionit vlerësues të Komisionit Evropian”, tha ministrja Çitaku.


Ri-integrimi i personave të riatdhesuar në nivelin lokal është parakushti kryesor në procesin e liberalizmit të vizave. Ndryshe, në muajin shtator në Kosovë pritet të mbërrijë një ekip i ekspertëve nga Komisioni Evropian, i cili do të vlerësojë përparimet e bëra për përmbushjen e kritereve në procesin e liberalizimit të vizave.
XS
SM
MD
LG