Ndërlidhjet

logo-print

Vetëvendosje “Kundër hajnisë”





Nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje, siç edhe ishte paralajmëruar, disa mijëra qytetarë protestuan të mërkurën në qendër të Prishtinës me moton “Kundër hajnisë”.

Duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Hashim Thaçi dhe Qeverinë e tij për hajni e korrupsion, Vetëvendosje dhe përkrahësit e saj kundërshtuan politikat aktuale të kryeministrit Thaçi në fushën e privatizimit, politikat ekonomike dhe dialogun me Serbinë.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, iu drejtua masës me xhepat e zbrazët të nxjerrë jashtë, që simbolizonin varfërinë në Kosovë, duke thënë se Kosovën po e vjedh dhe varfëron pikërisht Qeveria e drejtuar nga Hashim Thaçi.

Po e vjedhin buxhetin e Kosovës nëpërmjet korrupsionit, nëpërmjet manipulimit me tenderë, ku tenderët ua japin miqve të tyre biznesmenë që ua kanë financuar fushatat parazgjedhore, e që tash këta ua shpaguajnë me buxhetin e Kosovës. Mënyra e dytë si po vjedhin këta hajna është nëpërmjet shitjes së ndërmarrjeve publike të Kosovës, siç janë PTK-ja, KEK-u dhe 'Trepça'”, tha para masës Kurti.

Kurti nuk e la anash as dialogun me Serbinë, të cilin ai e sheh si rrjedhojë të një qeverie të shantazhuar. Mbajtja sekret e agjendës së bisedimeve, sipas Kurtit, po dëshmon rrezikun që ky dialog përmban në raport me tërësinë territoriale të Kosovës.

Njëherësh, Kurti rikujtoi edhe platformën politike të Vetëvendosjes që kundërshton këtë dialog dhe fton për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Shteti i Kosovës duhet të jetë një shtet, i cili nuk bisedon me Serbinë për ndarje të brendshme të Kosovës po bisedon me Shqipërinë për t’iu bashkuar asaj. Kosova duhet të jetë një shtet, i cili është në shërbim të qytetarëve dhe ku politikanët janë shërbëtorë të qytetarëve dhe ku qytetarët janë punëdhënës të politikanëve. Vetëm një shtet i tillë është i qëndrueshëm dhe është demokratik”, theksoi Kurti.

Sipas Kurtit, qeveritarët që po e vjedhin buxhetin dhe shtetin e Kosovës, edhe në të ardhmen do të mbeten persona VIP, por në burgun e Dubravës.

Protesta u përkrah edhe nga përfaqësuesit e ndërmarrjes “Sharr cem”, nga Kaçaniku, e cila është privatizuar pavarësisht disa protestave të punëtorëve.

Përfaqësuesi i punëtorëve nga kjo ndërmarrje e privatizuar, hodhi dyshime për korrupsion në rastin e shitjes së ndërmarrjes “Sharr cem”.

Tani duhet ta ngremë zërin të gjithë, edhe ne si klasë punëtore, dhe t’iu bëjmë apel të gjithë qytetarëve që të na përkrahin dhe t’i themi stop hajnisë. 'Sharr Cemi' iu shit për 30 milionë euro kompanisë greke 'Titan', me një fjalë iu fal”, tha përfaqësuesi i ndërmarrjes “Sharr cem”.

Gjatë gjithë kohës së protestës, masa brohoriti parulla: “Hajnat, ajnat, “Marre, marre”, “Hashim hajni”, “Posta është e jona, jo e Qeverisë”, e të tjera.

Ndërkaq, para fillimit të protestës, policia largoi një skenë të improvizuar nga Vetëvendosja para ndërtesës së Qeverisë.

Ky akt, nga Albin Kurti, u cilësua si hajni që e kishin kryer Hashim Thaçi, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Reshat Maliqi, me njësitë speciale të policisë.

Për Kurtin, ky gjest tregon se Qeveria Thaçi zbaton politika policore në Kosovë.

Policët specialë të pushtetit, janë policia politike në Kosovë, e cila dëgjon urdhrat e kësaj Qeverie që zbaton politikë policore. Reshat Maliqi, i cili e dha urdhrin për të na e vjedhur skenën sot, pra ky Reshat Maliqi, që është shef i Policisë, dikur ka punuar si ‘sigurims’ nëpër ambasadat e Jugosllavisë”, u shpreh Kurti.

Protesta përfundoi pa incidente dhe në fund, protestuesit u shpërndanë të qetë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG