Ndërlidhjet

A është politizuar zgjedhja e drejtorit?


Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Ka kaluar më shumë se një muaj prej kur është mbyllur konkursi për drejtor ekzekutiv të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Lulzim Emini ka udhëhequr këtë institucion që nga nëntori i vitit të kaluar, si ushtrues detyre.

Sipas zyrtarëve institucionalë, stërzgjatja e përzgjedhjes së drejtorit të Qendrës Klinike, është politike.


Blerim Syla, nga Sindikata e Shëndetësisë, thotë se të gjitha instancat politike janë të përfshira në përzgjedhjen e drejtorit ekzekutiv të QKUK-së.

Fatkeqësisht, po dalin ato fjalë që i kemi thënë edhe më herët, që shëndetësia në përgjithësi është e politizuar, e sidomos me emërimin e shërbyesve civilë, e në këtë rast, me emërimin e drejtorit ekzekutiv".

"Unë mendoj se të gjitha instancat politike janë të përfshira në përzgjedhjen e drejtorit dhe mendoj se kush ka në dorë diçka, është i përfshirë në përzgjedhjen e drejtorit në fjalë
”, shprehet Syla.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, nuk mendon se zgjedhja e kreut të Qendrës Klinike është politike. Sipas tij, bëhet fjalë për një komision të vlerësimit, i cili do të jetën në nivel më të lartë të shërbyesve civilë, ku 5 prej anëtarëve duhet të jenë sekretarë të përgjithshëm të ministrive të ndryshme.

Sipas Aganit, është pak e vështirë të koordinohet pjesëmarrja e të gjithëve në punën e vlerësimit.

Në asnjë mënyrë nuk bëhet fjalë për politizim, e aq më pak nga ana ime. Unë jam shumë i përkushtuar që kjo përzgjedhje të shkojë në pajtim me dispozitat ligjore dhe të mos ketë kurrfarë ndikimi politik”.

Unë jam shumë i interesuar të kemi në krye të QKUK-së një menaxher të mirë dhe unë nuk kam asnjë kandidat të preferuar në aspektin politik në këtë drejtim. Gjithashtu, as komisioni vlerësues nuk ka ndonjë ndikim nga ana ime. Do të mundohem të mos ketë as në anën tjetër ndikime politike në procesin e përzgjedhjes së drejtorit”, deklaron Agani.

Por, Time Kadriaj, zëvendëskryetare e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, thotë se përzgjedhja e drejtorit të Qendrës Klinike, i ka kaluar gjithë kufijtë ligjorë.


Sipas saj, kjo çështje është bërë debat i gjerë dhe kjo është kryekëput politike.

Në momentin që është hapur konkursi për drejtor, është dashur të koordinohen të gjitha panelet intervistuese dhe në afatin e mundshëm ligjor, të kryhen procedurat. Por, unë mendoj se është një çështje politike, stërzgjatja për zgjedhjen e drejtori të QKUK-së”, thotë Kadriaj.

Ndërsa, Blerim Syla, thotë se ai mendon që janë bërë dy shkelje ligjore. Sipas tij, edhe mosmbajtja e intervistës për kandidatët për drejtor në afatin e caktuar kohor, është shkelje ligjore.

Është bërë edhe shkelja e dytë, që nuk është mbajtur intervista, andaj kësaj po i vie era politikë dhe kjo është në vazhdën e asaj çka ndodh në Kosovë - se politika vendosë për menaxherin”, shprehet Syla.

Basri Lenjani, ushtrues detyre i Qendrës Emergjente, konsideron se përplasjet politike ndikojnë shumë keq në punën e përditshme dhe shumë të vështirë të shëndetësisë kosovare.

Lenjani thotë se duhet të bëhet përzgjedhja e drejtorëve larg politikës, sepse do të ishte në favor të avancimit të shëndetësisë kosovare. Në të kundërtën, sipas tij, do të dalin problemet politike, që mund të ndikojnë në vazhdimësi në kryerjen e obligimeve te punëtorët shëndetësorë.

Të bëhet përzgjedhja e drejtorit në bazë të punës dhe kualiteteve, si dhe në bazë të ngritjes profesionale. Pa ndikime politike, sepse do të ishte në avancim në shëndetësinë kosovare” shton Lenjani.

Në konkursin publik të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, për postin e drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, kanë konkurruar 13 kandidatë, emrat e të cilëve janë: Haxhi Avdyli, Salih Krasniqi, Ramë Miftari, Afrim Loku, Naim Shabani, Hysen Hyseni, Engjëll Duzhmani, Fitim Selimi, Bedri Zahiti, Irfan Daullxhiu, Lulzim Emini, Sylen Vranica dhe Skënder Murati.
XS
SM
MD
LG