Ndërlidhjet

logo-print

Etnia në vend të cilësisë


Pamje nga Shkupi - kryeqyteti i Maqedonisë

Pamje nga Shkupi - kryeqyteti i Maqedonisë

Deri në konstituimin e Kuvendit të ri të Maqedonisë kanë mbetur edhe dy ditë, ndërsa partitë fituese të zgjedhjeve, VMRO dhe BDI, nuk tregojnë nëse janë marrë vesh që kryeparlamentari të jetë shqiptar. Për dallim prej tyre, ish-politikanë dhe personalitete tjera maqedonase, thonë se nuk ka asgjë të keqe nëse i pari i Kuvendit të Maqedonisë do të ishte shqiptar, pasi një zgjidhje e tillë, do të kontribuojnë për ndërtimin e mëtejmë të shtetit.

Partitë politike fituese të zgjedhjeve VMRO dhe BDI, ende nuk kanë dalë me marrëveshje se cila prej tyre do të drejtojë Kuvendin e ri Maqedonisë, i cili pritet të konstituohet ditën e shtunë.

Bashkimi Demokratik për Integrim, në negociata mbron qëndrimin se njëri nga postet kryesore në shtet, duhet të drejtohet nga shqiptarët, konkretisht kreu i Kuvendit, meqë presidenti është maqedonas, ashtu sikur edhe kryeministri që vjen nga partia fituese e zgjedhjeve.

Nga VMRO-DPMNE, deri më tani kanë heshtur, jo vetëm për këtë kërkesë të BDI-së, por, për gjithë procesin e negociatave të ndarjes së ministrive dhe të përgjegjësive tjera në qeverinë e re.

Nga opozita kanë deklaruar se janë në pritje të propozimit për kryetar të Kuvendit, që të deklarohen, nëse do ta mbështesin ose jo zgjidhjen që mund të ofrohet.

Në momentin kur shumica parlamentare do të merret vesh për propozimin e tyre për kryetar të Kuvendit, LSDM-ja do deklarohet. Pra, nuk mund të themi asgjë derisa nuk shohim propozimin për kryetar të Kuvendit”, deklaroi Andrej Petrov, nënkryetar i LSDM-së.

Derisa partitë heshtin apo refuzojnë të sqarojnë pozicionin e tyre, ish-politikanë dhe profesorë të ndryshëm universitar, janë të mendimit se nuk ka asgjë të keqe nëse Kuvendi drejtohet nga një shqiptar.

Madje, Sllobodan Çashule, ish-ministër i jashtëm dhe ish-deputet, thotë se kryeparlamentari duhet të jetë shqiptar.

BDI dhe VMRO-DPMNE, nëse dëshirojnë me të vërtetë të bëjnë një hap evropian, duhet të merren vesh që kryetari i Kuvendit jetë shqiptar. Unë insistoj që të jetë shqiptar dhe të tregojmë se këta dy popuj janë të emancipuar mjaftueshëm, dhe të vazhdojmë me ndërtimin shtetit”, thotë Çashule.

Profesori universitar Llazar Llazarov, thotë se është për të ardhur keq kur dëgjon debatet nëse kryetari i Kuvendit do të jetë ose s’do të jetë shqiptar.

Më rëndësi, sipas tij, duhet të jetë përgatitja dhe jo përkatësia etnike e kandidatit.

Unë kandidatët i shoh në bazë të kualitetit, si profesionist për këtë punë dhe që mund të kontribuojnë për Republikën e Maqedonisë. Mendoj se është gabim i madh nëse vazhdohet të nxitet skepticizmi, nëse kreu i Kuvendit do të jetë shqiptar apo jo”, thotë Llazarov.

Naser Zyberi, ish deputet, thotë se është koha e fundit që kryetari i Kuvendit të jetë shqiptar.

Rëndësia e këtij posti është e shumëfishtë. Së pari, kemi të bëjmë me organin ligjdhënës të vendit, pa marrë parasysh se raporti i forcave është i tillë, që nuk mundëson ndonjë komoditet të madh të kandidatit eventual shqiptar, por nëse Kuvendi luan rolin e vet kushtetues, është organ kyç i pushtetit në një vend”.

E dyta, ka një simbolikë të jashtëzakonshme sepse kryetari i Kuvendit, përveç që është përfaqësues i organit ligjdhënës, ai, në raste të jashtëzakonshme është edhe zëvendës i presidentit të shtetit, pra është njeriu i dytë në shtet”, thotë Zyberi, sipas të cilit BDI-ja nuk duhet të heq dorë nga një kërkesë e tillë, pasi këtë ia mundëson edhe raporti i forcave në Kuvend, meqë pa të, partia fituese maqedonase VMRO-DPMNE, nuk do të mund të formojë qeverinë e re.
XS
SM
MD
LG