Ndërlidhjet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall fitues Lulzim Bashën me një avantazh prej 95 votash më shumë sesa kandidati i tij rival, Edi Rama.

Rezultati u bë i ditur pasi KQZ-ja përmbylli procesin e numërimit edhe të 368 qendrave të votimit në kryeqytet nga 485 gjithsej, bazuar në një vendimmarrje të Kolegjit Zgjedhor.

Kolegji Zgjedhor kishte urdhëruar numërimin e të gjitha votave të hedhura gabim që ndodheshin në zarfet e fletëve të kontestuara, apo dhe atyre të pavlefshme.

Nga 11 njësi bashkiake që iu nënshtruan procesit të numërimit, u konstatuan mbi 3 mijë flet të hedhura gabim, që i takonin jo vetëm garës për kryetarin e bashkisë, por edhe për Këshillin bashkiak, garës për minibashkinë dhe Këshillin e minibashkisë.

Tashmë të gjitha këto vota reflektohen në tabelën përfundimtare të rezultateve të KQZ-së duke shpallur fitues kandidatin e Aleancës për Qytetarin, Lulzim Basha.

Por, deri te certifikimi i rezultatit përfundimtar të këtyre zgjedhjeve, pritet të shkohet në një tjetër përballje ligjore në Kolegjin Zgjedhor pas një ankese të re të pritshme nga ana e Partisë Socialiste.

Eksponentë të kësaj force politike lanë hapësirë të kuptohet një gjë e tillë, ndërkaq mbetet për t’u parë subjekti që PS-ja do të zgjedhë për ankesë.
XS
SM
MD
LG