Ndërlidhjet

Veriu rrezikon Pakon e Ahtisarit


Mitrovicë
Mitrovicë
Mungesa e shtrirjes së pushtetit nga institucionet vendore në veri dhe vendosjes së rendit dhe ligjit atje, përderisa bisedimet Kosovë – Serbi po vazhdojnë, rrezikon zbatimin e Pakos së Ahtisarit në këtë pjesë dhe trajtimin e veriut si çështje më vete, thonë deputetët opozitarë.
Ndërkohë, nga Qeveria përsërisin se me Beogradin nuk do të preket asnjë temë që bie ndesh me Kushtetutën.


Pakoja e Ahtisarit rrezikon të shpallet e dështuar në veri të Kosovës, thonë deputetët opozitarë.

Sipas tyre, zvarritja e zbatimit të Pakos së Ahtisarit dhe vendosjes së sundimit të rendit dhe ligjit në atë pjesë, i shkon për shtati politikës së Beogradit, e cila po synon të sigurojë për serbët e pjesës veriore një status special.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë përsërisin se me Serbinë nuk do të ketë asnjë zgjidhje dhe asnjë marrëveshje që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Megjithatë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se me veprimet e veta, Qeveria, në një formë, e ka pranuar që realiteti në veri është ndryshe me pjesët tjera të Kosovës.

Rreziku për ngritjen e një statusi të veçantë për rajonin e veriut të Kosovës është tepër i madh dhe ky rrezik është duke u rritur dita-ditës, edhe për faktin se ka tendenca për të bërë veprime të veçanta vetëm për atë pjesë siç është regjistrimi i popullsisë, që ka qenë dështimi kryesor i institucioneve të Kosovës”, thotë Ramadani.

Deputeti Ramadani thotë se Qeveria e Kosovës dhe prania ndërkombëtare kanë bërë një gabim të madh me moszbatimin e Pakos së Ahtisarit në veri. Një veprim i tillë, sipas tij, rrezikon që ky dokument të shpallet i dështuar për këtë pjesë.

Gabimi kryesor strategjik vendor, por edhe i ndërkombëtarëve, është se kanë tendencë që ta shpallin Pakon e Ahtisarit të dështuar, ende pa provuar asnjëherë zbatimin e saj. Institucionet e Kosovës duhet t'i provojnë të gjitha mjetet që i ka shteti në dispozicion, që ta zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, shprehet Ramadani.

Kuvendi i Kosovës
Ndërkohë, ish-ministri i Administratës Lokale, Sadri Ferati, deputet i LDK-së, thotë se problemi më i madh në veri ka të bëjë me sundimin e ligjit.

Ai thotë se Beogradi është i pranishëm në veri përmes strukturave ilegale, të cilat rrezikojnë çfarëdo zgjidhje për veriun.

Ferati kundërshton fuqishëm shmangien nga Pakoja e Ahtisarit, në gjetjen e zgjidhjeve për veriun, siç insiston në vazhdimësi politika aktuale serbe.

Deklarimet e tilla të Beogradit dëshmojnë se ai ende ka një qasje, do ta quaja, primitive. Filozofia e Pakos së Ahtisarit është ajo që ka pranuar që status quo-ja është e paqëndrueshme dhe se Kosova duhet të lëvizë tutje, sepse po pësojnë të gjithë qytetarët e Kosovës. Në kuadër të atij statusi, ka garantuar të drejtat e fuqishme të komunitetit serb, kështu që interesimi tani që të ndryshohet kjo Pako është djallëzi, është qëllimkeqe”, vlerëson Ferati.

Zyrtari i LDK-së, Ferati, kundërshton vendosjen e problemit të veriut në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, duke potencuar se bisedimet janë menduar të jenë për çështje teknike dhe jo politike.

Veriu nuk është çështje teknike. Çështje teknike mund të konsiderohen 'po ti pranoj tabelat - m'i prano tabelat, po të pranoj si shtet - më prano si shtet dhe do të bashkëpunojmë në iniciativa të ndryshme rajonale'; liria e lëvizjes, qarkullimet e mallrave, këto janë çështje teknike. Veriu nuk është çështje teknike dhe asnjëherë nuk do të duhej të jetë temë”, shton Ferati.

Përderisa shtohen shqetësimet e opozitës në lidhje me veriun dhe dialogun që po vazhdon ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Qeveria, në anën tjetër, siguron se nuk do të ketë bisedime e marrëveshje me Serbinë që janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, thotë se Qeveria nuk është larguar dhe nuk do të largohet nga përcaktimi për respektimin e Kushtetutës edhe në kuadër të bisedimeve me Beogradin.

Çkado që do të jetë, do të jetë në kuadër të Kushtetutës sonë, në kuadër të mandatit që e kemi marrë nga Kuvendi dhe transparencës së plotë me qytetarët tanë. Kompromis më pak sesa Kushtetuta nuk ka dhe atë që e kemi mandat nga Kuvendi”, deklaron Kuçi në lidhje me marrëveshjet e mundshme me Serbinë gjatë bisedimeve teknike që po zhvillohen.
XS
SM
MD
LG