Ndërlidhjet

BE e gatshme ta ndihmojë Greqinë


Bashkimi Evropian ka konfirmuar përkushtimin e tij për të ndihmuar Greqinë që të mbijetojë krizën e saj të borxhit - por i bëri thirrje parlamentit grek që të miratojë masat e rrepta të kursimit.

Në një deklaratë të lëshuar në samitin në Bruksel, liderët e BE-së, thanë se parlamenti grek duhet ta miratojë pakon e rreptë të kursimit, si një “çështje urgjente”.

Kryeministri grek, Jorgo Papandreu ka mirëpritur vendimin.

“Është një vendim i rëndësishëm. Besoj se jemi në një kurs të qëndrueshëm. Është rrugë e vështirë për Greqinë, me shumë sakrifica, por kjo do të sjellë ekonomi të qëndrueshme dhe për këtë kemi mbështetjen e partnerëve tanë. Mendoj se kjo nuk është vetëm një dritë e gjelbër, por edhe sinjal pozitiv për të ardhmen e Greqisë”, ka thënë Papandreu.

Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, tha se BE dëshiron të ndihmojë rritjen ekonomike ne Greqi.

"Dua të përdorë çdo mundësi për të stimuluar hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen ekononmike në Greqi. Konsolidimi fiskal është i domosdoshëm. Reformat strukturore janë të domosdoshme, sikurse edhe programi i privatizimit. Por, duhet ta bëjmë të qartë se ky është një kontribut për rritjen ekonomike”, tha Barroso.

Pralamenti grek pritet të të votojë në javën e ardhshme programin në lidhje me shkurtimet buxhetore dhe taksat e reja prej 28 miliardë eurosh, si dhe programin e privatizimit në vlerë prej 50 miliardë eurosh.

Nëse këto masa kalojnë, Greqia do të marrë 12 miliardë euro nga BE dhe FMN-ja, për të menaxhuar borxhin e saj dhe për të evituar bankrotin.
XS
SM
MD
LG