Ndërlidhjet

Pak: Njohja nga Serbia, zgjidhja më e mirë


Doris Pak

Doris Pak

“Do të ishte mirë sikur në fund të bisedimeve Serbia ta njihte Kosovën”, thotë Doris Pak, deputete në Parlamentin Evropian, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.



RADIO EVROPA E LIRË
Deputetët e Bundestagut gjerman e kanë definuar qartë qëndrimin se Serbia duhet ta njohë Kosovën, para se të pranohet në radhët e Bashkimit Evropian…

DORIS PAK
Deputetët e Bundestagut e kanë dhënë mendimin e tyre mbi këtë çështje dhe unë, kuptohet, nuk mund të kem asgjë kundër kësaj.

RADIO EVROPA E LIRË
A duhet të heqë dorë Serbia, para se të hyjë në Bashkimin Evropian, nga synimet që ka mbi Kosovën apo edhe ta pranojë zyrtarisht shtetësinë e saj?

DORIS PAK
Nëse keni dëgjuar qëndrimet e mia në javët dhe muajt e fundit, do të kujtoni se kam thënë se Serbia duhet t’i përmbushë kushtet që të tjerët është dashur t’i përmbushin gjithashtu, kur bëhet fjalë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, kam përmendur se Serbia, nëse dëshiron t’i bashkohet BE-së, me të arritur në përfundim të këtij procesi, i cili do të zgjasë disa vjet, duhet të dëshmojë se ka normalizuar raportet me Kosovën.

Nuk mund të hysh në Bashkimin Evropian pa vendosur raporte miqësore me fqinjët e parë. Por, se si do të rregullohen këto raporte – kjo është çështje krejt tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a mendoni se Serbia, në fund të atij procesi për anëtarësim, duhet ta njohë zyrtarisht Kosovën?

DORIS PAK
Këtë do ta shohim në fund të procesit dhe kjo do të varet nga zhvillimi i situatës. Aktualisht, po zhvillohet një dialog ndërmjet dy palëve. Nëse pala serbe dhe ajo kosovare arrijnë aranzhime dhe zgjidhje, me të cilat do të lehtësohej jeta e përditshme për qytetarët në Kosovë, kjo do të ishte e mirëseardhur. Por, se çfarë do të ndodhë në fund të bisedimeve me Serbinë - kjo nuk mund të thuhet tash për tash.

Mendoj se zgjidhja më e mirë do të ishte sikur në fund të bisedimeve Serbia ta njihte Kosovën, por ka mundësi të dalin në pah edhe zgjidhje të tjera. Pra, sot nuk mund të them se ç’do të ndodhë për pesë, gjashtë apo shtatë vjet. Fundja, aktualisht, pesë vende anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Megjithatë, mendoj se Serbia tash duhet t’i përmbushë të gjitha kushtet, në mënyrë që të mund t’i fillojë negociatat e para për anëtarësim në BE. Siç e dini edhe vetë, negociatat zgjasin shumë dhe siç e thashë, në fund të tyre, Serbia duhet t’i zgjidhë problemet me Kosovën, ndonëse nuk mund ta dimë që tani se si do të duket kjo zgjidhje. Ajo që është e qartë është se Serbia duhet të heqë dorë nga politika e vendosjes së barrierave për Kosovën, përkatësisht duhet të pranojë që edhe Kosova të bëhet anëtare e BE-së.(a.v.)
XS
SM
MD
LG