Ndërlidhjet

Economist: Rreziku që mund të mos shpaguhet


Trajnimi i ushtrisë afgane nga ushtria amerikane

Trajnimi i ushtrisë afgane nga ushtria amerikane

"The Economist"

Pyetja e vërtetë, me të cilën përballet Barak Obama mbi Afganistanin, është vetëm ajo se çfarë janë duke u munduar SHBA-të që të arrijnë atje.

Shumica e amerikanëve, të lodhur nga lufta dhe të shqetësuar për gjendjen e tyre në shtëpi, mendojnë se vdekja e Osama bin Ladenit do të duhej të shënonte fundin e misionit, që i dërgoi 100 mijë trupa në një pjesë të largët dhe të mjerë të botës.

Afganistani do t’i kushtojë Amerikës afërisht 120 miliardë dollarë këtë vit. Shumë amerikanë do të donin më shumë që me ato para të krijonin vende të reja pune në Kansas, sesa në Kabul.

Duke shpallur planin për tërheqjen e 10 mijë trupave këtë vit, dhe 23 mijë të tjerëve në fund të verës së vitit 2012, Obama u mundua t’i japë secilit diçka.

Për strategët e tij politikë, të shqetësuar për rizgjedhjen, mesazhi i tij ishte se ndërtimi i kombit fillon në shtëpi.

Gjeneralët e tij, të shqetësuar për tërheqjen, ai mund t’i qetësojë duke iu thënë se ai do ta mbarojë mandatin e tij të parë, ndërsa në Afganistan do të ketë më shumë trupa, sesa kur e filloi atë.

Një terren i mesëm është shpesh politikë e mirë; por në luftë është më pak i rehatshëm. Në këtë rast historia do të gjykojë, nëse Obama nxori jashtë shumë ushtarë shumë herët.

E ardhmja e Afganistanit do të varet nga ajo nëse qeveria qendrore do të jetë qëndrueshme, apo do të shembet, sapo që trupat e NATO-s të tërhiqen nga fusha e betejës.

Sa më e qëndrueshme qeveria, aq më shumë fiset rivale, grupet etnike dhe fraksionet, do të kërkojnë që të negociojnë për vendin e tyre në rendin shoqëror, më shumë sesa të luftojnë për epërsi në një luftë civile.

Ç’është më e rëndësishmja, kjo përfshin edhe talibanët. Është e vërtetë se Afganistani mund të duket si një dështim, pavarësisht ëndrrës së vitit 2001, kur invadoi NATO-ja.

Ai do të vazhdojë të pllakoset nga dhuna dhe kryengritja. Madje, edhe me të ardhurat më të mira, gratë do të vuajnë nga diskriminimi, lulëkuqet do të lulëzojnë dhe korrupsioni do të gërryejë jetën e përditshme.

Por, çdo shpresë për një jetë të dinjitetshme varet nga paqja.
Shmangia e shpërthimit të një lufte civile është thelbësore për afganët.

Bota e jashtme, po ashtu rrezikon stabilitetin e saj (relativ). Një vakuum në Afganistan kërcënon tërë rajonin. Shtetet me armë bërthamore, India dhe Pakistani, një çift që merr zjarr shpejt, rrezikojnë zëvendësimin e luftës me grupet tjera etnike që ato i sponsorizojnë.

Irani, Kina dhe Rusia mund të përfshihen, po ashtu. Ndërsa, Afganistani i pa ligj, sërish mund të bëhet bazë e al Kaidës.

Në fjalimin e tij, zoti Obama dukej shumë i përgatitur për t’i dalë ballë rrezikut. Aktualisht, ai po ofron mbrojtje për qeverinë, por ky vrull do të tërhiqet.

Ai ka gatishmëri që të qëndrojë gjatë për të trajnuar armatën afgane dhe policinë, të cilat janë të nevojshme për ta mbrojtur qeverinë.

Por, pas 2014-s, kur puna e tij supozohet se do të përfundojë, a do të jetë i gatshëm ai, apo pasuesi i tij, që të paguajë për armatën afgane dhe të mbajë disa trupa të huaj atje për të penguar luftën civile?

Vendimi i zotit Obama nuk e dënon misionin me dështim. Por, e bën më vështirë sesa që do të duhej, ta realizojë atë. (a.i.)
XS
SM
MD
LG