Ndërlidhjet

OKB: Afganistani, lider i prodhimit të opiumit


Opiumi në Afganistan
Opiumi në Afganistan
Një raport i Kombeve të Bashkuara sa i përket tregtimit të drogës tregon se prodhimi i opiumit afgan ka shënuar rënie në vitin 2010, mirëpo vetëm për shkak të një sëmundjeje që u kishte rënë të mbjellave. Afganistani mbetet prodhuesi më i madh botëror i opiumit, duke ofruar kështu 74 për qind të inventarit botëror në vitin 2010. Në vendin e dytë gjendet Mijanmari me vetëm 12 për qind. Raporti botëror i drogës për vitin 2011 i realizuar nga Zyra e OKB-së për Krime dhe Drogë, parashikon që qeveria e dobët e Afganistanit, korrupsioni dhe krimi i organizuar do të çojnë drejt niveleve rekorde të prodhimit të opiumit në këtë vit.


Me gjithë rënien e madhe të prodhimit të opiumit në vitin 2010 dhe një reduktimi modest të kultivimin e kokainës, prodhimi i heroinës dhe kokainës mbetët në nivele të larta, sipas një raporti të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimet.

Raporti i vitit 2011, i cili u publikua më 23 qershor në Shtabin e Përgjithshëm të OKB-së në Nju Jork, tregon se 210 milionë njerëz kanë marrë drogë vitin e kaluar, një vlerësim ky që thuhet se është shumë i vogël.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, ka bërë një përmbledhje të dëmeve që shkaktojnë trafikantët e drogës.

“Trafikantët thyejnë më shumë se ligjin. Ata e thyejnë shpirtin e njeriut. Ata e nxisin terrorizmin dhe kryengritjen. Ata i vjedhin shoqëritë e paqes”, ka vlerësuar Ban Ki Mun.
Afganistan


Raporti ka zbuluar se kultivimi i opiumit global ka arritur në nivelin e mbjelljes në mbi 195 mijë hektarë gjatë vitit 2010, duke paraqitur kështu një rritje të vogël nga viti 2009. Prodhimi i opiumit ka rënë, megjithatë, për 38 për qind, më saktë në 4860 tonë, për shkak të një sëmundjeje që kishte përfshirë shumicën e të mbjellave të opiumit në Afganistan.

Drejtori ekzekutiv i Zyrës së OKB-së për Drogë dhe Krime, Juri Fedotov, ka thënë se 3600 tonë të opiumit që janë prodhuar në Afganistan vitin e kaluar, e bënjë këtë vend, si zakonisht, prodhuesin kryesor të botës.

“Megjithëse prodhimi në përgjithësi i opiumit ka rënë për 38 për qind nga viti i kaluar, kjo ka ndodhur për shkak të një sëmundjeje që përfshiu gjysmën e të mbjellave në Afganistan. Të gjeturat tona preliminare tregojnë se prodhimi i opiumit në Afganistan ndoshta mund të shënojë rritje këtë vit për shkak të mbjellave më të mira”, ka thënë Fedotov.

Fedotov ka vlerësuar se komuniteti ndërkombëtar e ka kuptuar më mirë tani se ndalimi i prodhimit të opiumit është një përgjegjësi e përbashkët që kërkon përgjigje të koordinuar.

Pakti i Parisit, për shembull, ka bashkuar më shumë se 50 shtete dhe organizata ndërkombëtare në luftën kundër trafikimit të opiumit afgan, konsumimin dhe problemet që ndërlidhen me këtë çështje në shtete ku kalojnë rrugët e transportimit.

“Në Afganistan, kultivimi i opiumit është i lidhur për së afërmi me pasigurinë dhe trafikimin e opiumit dhe heroinës, që e ndihmojnë përhapjen e jostabilitetit në një rajon më të gjerë”, ka shtuar Fedotov.

Raporti i OKB-së tregon se bashkëpunimi në nivel rajonal është në rritje. Iniciativa e trekëndëshit, për shembull, është një përpjekje e ndarjes së informatave kundër narkotikëve që e përfshinë Afganistanin, Iranin dhe Pakistanin.

Raporti paralajmëron se masat për reduktimin e përhapjes mund të kenë sukses, nëse edhe kërkesa për këtë mall zvogëlohet. Pra, kjo tregon se ka nevojë për implementimin e masave efektive që t’i ndalojë njerëzit të përdorin drogë dhe njerëzve që janë të varur nga drogat t’u ofrojë trajtim, kujdes dhe përkrahje.

Mirëpo, Fedotov ka nënvizuar se edhe në Evropë, ku blihet shumica e heroinës, vetëm 20 - 25 për qind e të varurve nga heroina e sigurojnë trajtimin e duhur.(a.h.)
XS
SM
MD
LG