Ndërlidhjet

Gjatë këtij viti në Klinikën Infektive janë paraqitur 383 persona të pickuar nga rriqrat, ku tre prej tyre janë diagnostikuar me ethet hemorragjike krimea kongo.

Infektologët thonë se kjo sëmundje është endemike, gjegjësisht e një rajoni të kufizuar të Kosovës dhe është një prej specifikave të vendit.

“Kemi pasur 383 raste këtë vit, që kanë kërkuar ndihmë shkaku i pickimeve nga rriqrat, derisa janë hospitalizuar 34 raste, për të cilat kemi dyshuar për ethe hemorragjike. Prej rasteve të hospitalizuara, në tri prej tyre kemi bërë konfirmimin virologjik nga ethet hemorragjike, kurse dy prej këtyre personave janë në gjendje të rëndë. Aktualisht, kemi të hospitalizuar 8 raste në Klinikën Infektive”, bën të ditur për Radion Evropae Lirë, Sali Ahmeti, infektolog.

Ndërkaq, Ilir Tolaj, infektolog, njëherësh sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se zhdukja e rriqrave është e pamundur. Sipas tij, jo vetëm Kosova, por edhe shumë vende tjera kanë sëmundjet e caktuara që janë të lokalizuara në regjione të veçanta dhe kjo është si pasojë e ndërlidhjes së shumë faktorëve të atij vendi.

Çrrënjosja nuk është ide e re, por koncepti shkencor dhe praktik është i atillë që kjo gjë nuk mund të bëhet. Shkatërrimet në masë të tillë edhe në rajonet e tjera të botës kanë dështuar, sepse sëmundjet infektive janë pasojë e një ekosistemi të përgjithshëm, ato shfaqen, e arrijnë kulmin dhe zhduken, për t’ua lënë vendin infeksioneve dhe sëmundjeve tjera dhe janë pasojë e ndërlidhjes dhe bashkëjetesës që e bëjnë mes organizmit dhe mikroorganizmit”, thotë Tolaj.
Zhdukja e etheve hemorragjike nuk është e lehtë, sepse është e lidhur ngushtë me faktorët biologjikë e klimatikë të një vendi...


Edhe profesor Ahmeti shprehet skeptik se në Kosovë mund të ndodhë, tash për tash, zhdukja e epidemisë së etheve hemorragjike.

“Zhdukja e etheve hemorragjike nuk është e lehtë, sepse është e lidhur ngushtë me faktorët biologjikë e klimatikë të një vendi, dhe zhdukja kërkon një qasje multiciplinare, e sëmundja është ende enigmatike. Pavarësisht masave që janë marrë te ne, ka ende vend për të punuar. Ndërsa, për zhdukje, jam skeptik, sepse rriqrat dinë vende ku kanë kushte të përshtatshme për zhvillim - jetojnë në kushte jo optimale,futen nën dhe aty qëndrojnë për disa vjet”, shton Ahmeti.

E, zoti Tolaj shpjegon për Radion Evropa e Lirë, pasojat që do të mund të shkaktoheshin në rast se bëhen përpjekje për zhdukjen e tërësishme të rriqrave:
...do të kishte pasoja në florën dhe faunën e atij vendi, e që do të shfaqeshin një debalansim i këtij ekosistemi dhe do të shfaqej ndonjë sëmundje që nuk e kemi paraparë.


“Do të shkatërroheshin edhe organizmat e tjerë që, pastaj, do të kishte pasoja në florën dhe faunën e atij vendi, e që do të shfaqeshin një debalansim i këtij ekosistemi dhe do të shfaqej ndonjë sëmundje që nuk e kemi paraparë”.

Për trajtimin e kësaj sëmundjeje, Ministria e Shëndetësisë është marrë me seriozitet, thotë zoti Ahmeti, por sa i përket zhdukjes, kjo çështje mbetet ende një pikëpyetje e madhe.

Të dhënat e para për sëmundjen e etheve hemorragjike apo krimea kongo, në Kosovë, datojnë që nga vitit 1954, vit kur janë konfirmuar tri raste të vdekjeve.

Por, që nga viti 1954 deri më 1989 nuk ka të dhëna për këtë sëmundje. Kurse, nga viti 1889 është shfaqur në mënyrë permanente me shpërthime epidemike të herëpashershme, sidomos në vitin 1991, 1995, 2001 dhe 2005.

Vitin e kaluar kanë qenë 30 raste me ethe, prej tyre shtatë kanë vdekur.

Lexoni edhe këtë:
Vdekjet nga sëmundjet ngjitëse
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG