Ndërlidhjet

Konstituohet Kuvendi; rizgjidhet Veljanovski


Parlamenti i Maqedonisë

Parlamenti i Maqedonisë

U konstituua Kuvendi i ri i Maqedonisë. Posti i kryeparlamentarit i takoi Trajko Veljanovskit, ndërsa partia shqiptare, BDI, në Qeverinë e re do të ketë dy poste të zëvendëskryeministrave, pesë ministri, në mesin e të cilave edhe Ministrinë e Mbrojtjes.


Me votat e 121 deputetëve të pranishëm është konstituuar Kuvendi i ri i Maqedonisë, i dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit.

“Konstatoj se raporti dhe propozimi i Komisionit verifikues është miratuar dhe me këtë është bërë edhe konstituimi i Kuvendit “, tha Lubisav Ivanov, i cili, në cilësinë e deputetit më të moshuar, udhëhoqi seancën konstituive.

Për herë të parë, mandati iu verifikua edhe tre deputetëve të zgjedhur nga diaspora.

Ndërkohë, në postin e kreut të Parlamentit u rizgjodh Trajko Veljanovski. Me këtë rast Veljanovski deklaroi:

“Dëshiroj t’ju bind se interesi im parimor do të vazhdojë të mbetet vetëm Maqedonia, ndërsa mjetet për realizimin e këtij qëllimi, do të vazhdojnë të mbeten Kushtetuta, ligjet dhe rregullorja për punë të Parlamentit”.

Partia Demokratike Shqiptare opozitare, zgjedhjen e kundërshtoi që në propozimin e Veljanovskit në komisionin e emërimeve, duke adresuar kritika ndaj BDI-së për shkak të mospërmbushjes së premtimit që ky post t’u takojë shqiptarëve.

Por, nga BDI-ja e cila votoi për kandidaturën e Veljanovskit thanë se marrëveshja për ndarjen e ministrive ofron pozicion më të mirë në ekzekutiv, apo përfaqësim në raport 2 me 1 me VMRO-DPMNE-në.

Në ekzekutivin e ri, BDI-ja do të këtë dy poste të zëvendëskryeministrave, njërin të angazhuar për çështjen e euro-integrimeve dhe tjetrin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Edhe në të ardhmen BDI-ja do të drejtojë pesë ministri, ndërsa risi janë udhëheqja e Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Drejtësisë, kurse tri të tjerat, janë Ministria e Pushtetin Lokal, Ekonomisë dhe Ekologjisë, të cilat i kishte drejtuar edhe në mandatin e kaluar qeveritar.

Po ashtu, Bashkimi Demokratik për Integrime do të ketë edhe katër zëvendësministra; në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të Financave, Arsimit dhe në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve.

Kësaj partie, sipas marrëveshjes, i takuan pesë sekretarë shtetërorë në ministritë tjera ku nuk është e përfaqësuar në nivel të ministrit apo zëvendësministrit.

Kjo marrëveshje mori edhe miratimin e Kryesisë qendrore të partisë, ndërsa për emrat që do të caktohen në këto poste, do të vendoset në mbledhjen e radhës të organeve partiake.

Sipas Kushtetutës, Qeveria e re duhet të votohet më së voni deri më 10 gusht, por bazuar në dinamikën e arritjes së marrëveshjes për ndarjen e posteve ministrore, programi i punës dhe përbërja e re qeveritare, pritet të votohen më herët se afatet ligjore.
XS
SM
MD
LG