Ndërlidhjet

logo-print

Para BE-së, Serbia t'i zgjidhë problemet me Kosovën


Hanes Svoboda

Hanes Svoboda

Eurodeputeti dhe kryetari i Grupit të Social-Demokratëve në Parlamentin Evropian, Hanes Svoboda, i bëri thirrje Beogradit ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës dhe të tregojë më shumë përkushtim në zgjidhjen e problemeve me palën kosovare. E ardhmja e të dyja vendeve dhe e rajonit në tërësi, sipas tij, do të jetë integrimi në Bashkimin Evropian - proces i cili, siç tha ai, nuk do të mund të finalizohet nëse Prishtina e Beogradi nuk i përmirësojnë raportet ndërmjet vete, e nëse vendet e rajonit nuk i përmbushin kriteret e nevojshme.


Serbia duhet t’i zgjidhë problemet me Kosovën para se të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, tha eurodeputeti dhe kryetari i Grupit të Social-Demokratëve në Parlamentin Evropian, Hanes Svoboda.

Në një debat me temën “Evropa mes teje dhe meje”, i cili u mbajt të shtunën në Prishtinë, Svoboda tha se zgjidhjet për shumë probleme që shteti serb ka me Kosovën, mund të gjenden në kuadër të dialogut aktual ndërmjet palëve.


Eurodeputeti austriak e cilësoi të paqëndrueshme deklaratën e kryeministrit serb, Mirko Cvetkoviq, sipas së cilës deklaratë, pranimi i Kosovës nuk është dhe nuk mund të jetë kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Nuk mund të keni një reagim pozitiv, po qe se nuk keni marrëveshje ndërmjet vete për çështjet bazike në bisedimet me Kosovën. Nëse nuk gjeni mënyra për të ecur përpara, veçanërisht nga ana serbe, nuk mund të imagjinoni që ne t’ju themi ‘Ejani brenda, keni probleme të mëdha dhe bëni probleme me Mitrovicën dhe të tjera’. Jo!”, tha Svoboda.

Modeli i Tirolit Jugor, sipas Svobodës, mund të jetë një zgjidhje eventuale për problemin rreth veriut të Mitrovicës.

“Njerëzit më të lumtur në Evropë sot, mund të them se janë ata të Tirolit Jugor. Ata gëzojnë përfitimet më të mëdha nga Italia, nga Austria dhe nga Bashkimi Evropian. Diçka e ngjashme me këtë duhet të gjendet për Mitrovicën brenda Kosovës - gjë që duhet të pranohet nga Serbia e Kosova”, theksoi Svoboda.

Megjithatë, eurodeputeti austriak hodhi poshtë idenë e ndarjes së Kosovës. Zbatimi i kësaj ideje, sipas tij, do të mund të prodhonte efektin e ashtuquajtur domino edhe në Maqedoni, Bosnjë dhe në vende të tjera të rajonit. Svoboda theksoi se e ardhmja e tërë rajonit është integrimi në Bashkimin Evropian.


Drita jeshile për anëtarësim në BE, të cilën Brukseli zyrtar ia dha të premten Kroacisë, sipas raportuesit për këtë vend në Parlamentin Evropian, rithekson interesin e Bashkimit Evropian për ta integruar Ballkanin Perëndimor në këtë mekanizëm.

“E rëndësishmja në këtë ka të bëjë me vendimin e djeshëm - edhe në Parlamentin Evropian, gjë që është një sinjal për rajonin se duam ta vazhdojmë procesin; nuk duam ta kemi një ‘vrimë të zezë’ në këtë rajon, sepse është në interesin tuaj dhe në interesin tonë - të Bashkimit Evropian, që t’ju integrojmë në këtë proces”, potencoi Svoboda.

Mirëpo, Svoboda tha se në mesin e disa vendeve evropiane vazhdojnë të ekzistojnë kundërshtime - sipas tij të gabueshme, lidhur me zgjerimin e BE-së. Ai theksoi rëndësinë për vendet që synojnë anëtarësimin në këtë mekanizëm të punojnë fuqishëm në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kushteve të nevojshme.

“Gabimi mbështetet nga disa vende në rajon duke mos i ndërmarrë hapat e nevojshëm. Ne, që jemi përkrahës të integrimit, po e kemi dita ditës më të vështirë ta bindim publikun dhe qytetarët tanë që duhet ta integrojmë rajonin si tërësi në Bashkimin Evropian”, u shpreh Svoboda për të shtuar se përmbushja e kritereve do ta determinojë kohën, në të cilën Kosova do të jetë e gatshme të hyjë në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në.

Në këtë drejtim, eurodeputeti theksoi domosdoshmërinë që kosovarët të mos i keqpërdorin vizat për kërkim të azilit në shtetet evropiane, që Prishtina zyrtare të riatdhesojë qytetarët e saj që ende jetojnë në BE dhe që përkushtimin deklarativ në përmbushjen e kushteve teknike ta zbatojë edhe në terren.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG