Ndërlidhjet

Iran: A do të shkarkohet Ahmadinexhadi?


Mahmud Ahmadinexhad, presidenti i Iranit

Mahmud Ahmadinexhad, presidenti i Iranit

Lufta për pushtet në Iran, ndërmjet presidentit Mahmud Ahmadinexhad, dhe Liderit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, po përshkallëzohet gjithnjë e më tepër.

Sulmet e reja nga Parlamenti, kërcënimet për shkarkim dhe arresti edhe i një aleat të nivelit të lartë të Ahmadinexhadit, po e ngrisin temperaturën politike në këtë vend.

Gjatë kësaj jave, Parlamenti i Iranit e ka filluar procedurën për shkarkim kundër ministrit të jashtëm, Ali Akbar Salehi, lidhur me emërimin e zëvendësit të tij, Mohamad Sharif Malekzadeh, i cili ishte detyruar të paraqes dorëheqje pas vetëm tri ditësh në pozitën e re, pasi ishte arrestuar për shkak të akuzave për korrupsion.

Mëtutje, Parlamenti i Iranit e kishte refuzuar kandidatin e presidentit Mahmud Ahmadinexhad, për ministrinë e re të sportit dhe të rinjve, duke thënë se kandidatit Hamid Sajadi “i mungonte përvoja”.

Parlamenti, po ashtu, ka paraqitur veto në vendimin e Ahmadinexhadit për bashkimin e ministrisë së naftës dhe asj të industrisë.

Duket sikur këto tri veprime nuk ishin goditje e mjaftueshme kundër Ahmadinexhadit, kështu që anëtarët e Parlamentit i fishkëlluan kolegut të tyre, që ishte përpjekur ta përcjellë Ahmadinexhadin te dera e Parlamenti, duke e detyruar deputetin fatkeq që përsëri të kthehet në vendin e vet.

Kjo ishte një pamje krejtësisht e kundërt me atë të para disa muajve, kur Ahmadinexhadi ishte pritur përzemërsisht nga ligjvënësit.

Thuhet se Lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei, i cili publikisht e poshtëroi Ahmadinexhadin në muajin prill, kur e ktheu vendimin e presidentit për shkarkimin e ministrit të inteligjencës, Heydar Moslehi, po e përdorë Parlamentin për t’i bllokuar ambiciet e Ahmadinexhadit dhe për ta mbajtur atë nën kontroll.

Gjatë ditëve të fundit disa ligjvënës i janë kërcënuar Ahmadinexhadit me procedurën e shkarkimit.

Deputeti Fazel Mousavi, duke u shprehur me fjalorin futbollistik tha se Ahmadinexhadi është “dy kartonë të verdhë” larg nga shkarkimi. Ligjvënësi tjetër, Ali Motahari, i njohur si kritik i ashpër i presidentit, tha se mocioni i mosbesimit, masë që mund t’i paraprijë shkarkimit eventual, do të paraqitet brenda disa ditëve.

Por analistët thonë se me gjasë këto kërcënime nuk do të konkretizohen. Sipas analistëve, Lideri Suprem Khamenei, ende nuk e ka dhënë dritën e gjelbër për procesin e shkarkimit për njeriun, të cilit dikur i besonte më shumë se presidentëve të mëparshëm.

Analisti Reza Alijani, i cili aktualisht është larguar nga Irani, thotë se politika e Khameneit ndaj Ahmadinexhadit ambicioz dhe aleatëve të tij, në mënyrë esenciale bazohet në parimin e kontrollit, pra duke e mbajtur presidentin në llupë, por duke mos e shkatërruar atë politikisht.

Më tutje ai thekson:

Ne nuk e dimë se çka do të bëhet prapa skenës apo nuk dimë asgjë për planet e Ahmadinexhadit dhe grupit të tij, dhe ky është çelësi. Aksionet e Khameneit janë të parashikueshme, por kjo nuk mund të thuhet për hapat e Ahmadinexhadit”, thotë Alijani.

Shkarkimi i Ahmadinexhadit do ta përçante establishmentin tashmë jo-stabil politik të Iranit edhe më tepër dhe do të mund të çonte në një paqartësi, në kohën kur në aspektin e brendshëm, Irani është i ndjeshëm për shkak të ekonomisë së dobët dhe për shkak të rrezikut të protestave të inspiruara nga Pranvera Arabe. Në skenën ndërkombëtare Irani ballafaqohet me izolim në rritje për shkak të programit të tij atomik.

Megjithatë, sipas ligjvënësit Mohamad Reza Bahonar, Khamenei “do të dëshironte që qeveria ta vazhdoj punën deri në fund të mandatit të saj në paqe, pra ai dëshiron që jeta politike e qeverisë të përpunojë në mënyrë natyrore”.

Por, ish anëtari i parlamentit, Ali Mazroui, i tha Radios Evropa e Lirë, se ende ka gjasë që Ahmadinexhadi të mund të shkarkohet para vitit 2013, kur i kalon mandati.

Mendoj se rruga që e ka marrë Ahmadinexhadi, duke krijuar probleme, do të çoj në përshkallëzimin e sulmeve kundër tij dhe vazhdimi i këtyre gjërave definitivisht do të çoj në shkarkimin e tij”, tha Ali Mazroui. (f. b.)
XS
SM
MD
LG