Ndërlidhjet

Shala: Bisedimet me Serbinë janë të karakterit politik


Blerim Shala

Blerim Shala

Pikënisja e Beogradit për ndarjen e Kosovës ka për qëllim krijimin e entitetit serb në veri, sipas modelit të Republika Serpska apo të ashtuquajturit Ahtisari plus, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, së fundi, kryenegociatorija në bisedime me Beogradin ka paralajmëruar disa marrëveshje me Serbinë. Fillimisht, sa jeni të njoftuar me këto marrëveshje eventuale, dhe si do t’i vlerësonit ato?

BLERIM SHALA
Absolutisht asgjë nuk dimë, jo vetëm si politikan i opozitës, mendoj që opinioni kosovar është më i pa informuar se kurrë sa i përket bisedimeve Prishtinë-Beograd, as në kohën e luftës, as në periudhën kur është definuar statusi i Kosovës, nuk ka pasur kësi lloj bllokimi të informimit si sot, nuk e di me çfarë motivi, kryesorja është që nuk kemi informacion, aq sa dini ju, dimë edhe ne, edhe pse me rezolutën që është miratuar në Kuvendin e Kosovës, zonja Tahiri është e obliguar që së paku një herë në tre muaj të raportojë. Kjo nuk ka ndodhur deri sot, me gjasë pret që të ketë një marrëveshje për gjashtë temat të cilat janë diskutuar dhe pastaj të na raportojë neve.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse kalojmë nëpër gjashtë çështjet që janë paralajmëruar që mund të arrihet marrëveshje, a mund të konsiderohen ato si çështje teknike?

BLERIM SHALA
Jo, duhet të themi hapur, jo për shkak të raporteve qeveri-opozitë, por për shkak të karakterit të raporteve Kosovë-Serbi, asgjë teknike në këto marrëdhënie nuk ka, sepse kemi të bëjmë me një kontekst të hapur midis Serbisë dhe Kosovës. Kosovë është bërë shtet, por Serbia fatkeqësisht është pjesë e këtij shteti në veri. Nuk duhet të kemi aq iluzion, dhe duhet të jemi të sinqertë edhe ndaj jush, edhe ndaj vetvetes, Serbia e kontrollon një pjesë të Kosovës. Prandaj, çfarëdo bisedime që kemi, kemi të bëjmë me bisedime të karakterit politik. Bisedimet e karakterit teknik, për shembull, kemi mes Kosovës dhe Maqedonisë, pas njohjes së Kosovës nga ana e Maqedonisë, sa i përket demarkacionit apo shënimit të kufirit. Edhe kjo është temë që ka prapavijë politike, por, midis Kosovës dhe Serbisë, midis dy shteteve të cilat nuk kanë kurrfarë marrëdhënie dhe përkundrazi, janë në raporte të hapura të konfliktit politik, nuk mund të ketë bisedime teknike.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët faktin se Serbia kontrollon një pjesë të territorit të Kosovës, në anën tjetër, zyrtarë të Beogradit kanë paralajmëruar opsione të ndarjes, opsione të tjera, që implikojnë pikërisht veriun dhe enklavat serbe. Sa ato tash mund të interferojnë në temat e dialogut të filluar.

BLERIM SHALA
Po gjithsesi, ne kemi të bëjmë me skenar të qartë të palës serbe. Pala serbe ka hapur lojën, nëse mund të thuhet, me të ashtuquajtura temat teknike, për të treguar që është kooperative me Brukselin, jo me Prishtinën, caku i Beogradit është Brukseli, jo Prishtina, për ta marrë statusin e shtetit kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian, për t’i fituar zgjedhjet parlamentare në vitin e ardhshëm, pastaj do të shohim se si do të hapen letrat. Letrat do të hapen, sa i përket veriut të Kosovës, ku edhe sot e kësaj dite, ne, gati nuk na kalon dita pa e dëgjuar ndonjë deklaratë të një zyrtari serb, i cili pikërisht, flet për ndarjen e Kosovës, apo edhe për opsionin e shkëmbimit të territoreve, i cili është vetëm sa për të na joshur neve, për të biseduar për këtë çështje. Tema e ndarjes së Kosovës, definitivisht duhet të mbyllet. Nuk duhet assesi të diskutohet prej nesh, jo vetëm të bisedohet, por as të mendohet për këtë opsion. Çfarë mendoj që do të ndodhë në fund, është që Beogradi në fund do të thotë që ne e kemi pasur si pikënisje ndarjen e Kosovës, Kosova ka pasur si pikënisje opsionin Ahtisari, duhet ta gjejmë një rrugë të mesme. Rruga e mesme, shumë e rrezikshme, për mendimin tim, është rruga e krijimit të një entiteti serb, i cili do të ishte Ahtisari plus, apo Republika e Serbisë minus. Sidoqoftë, këta pluset e minuset, kur përbëhen së bashku, del një matematikë shumë e rrezikshme për Kosovën. Ne i kemi bërë, po themi, të gjitha kompromiset e duhura, koncesionet e duhura i kemi dhënë gjatë procesit të definimit të statusit, duhet të mbetemi këmbëngulës. Kosova, jo vetëm që duhet të mbetet shtet, në kufijtë e njohur për të gjithë, por Kosova duhet të bëhet shtet funksional. Nëse ka entitet serb në veri, Kosova përfundimisht nuk do të jetë shtet funksional.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë përgjigje duhet t’i japë pala kosovare në këtë rast, nëse ka tendenca të tilla, që dialogu të përqendrohet në çështje teknike?

BLERIM SHALA
Porosia kryesore duhet të jetë lexojeni pakon e Ahtisarit. Me pakon e Ahtisarit, komuniteti serb në Kosovë ka të drejta të cilat definitivisht janë shumë të veçanta, të papara, të pashembullt në rajon dhe në Evropë. Ne e kemi bërë këtë për shumë shkaqe, dihet çfarë ka ndodhur me Kosovën prej 99-ës e këndej, gjitha ngritjet dhe rëniet që i kemi pasur, si shoqëri kosovare, prandaj Ahtisari është i mjaftueshëm që komuniteti serb ta gjejë veten në territorin e Kosovës. E kemi parë që komuniteti serb në këtë pjesë të Kosovës, njëmend e ka gjetur veten. Kush ka mundur të paramendojë që në vitin 2008 të kemi aq bashkëpunim të serbëve dhe shqiptarëve në të gjitha pjesët e Kosovës, përpos veriut, kështu që edhe në veri mund të ecet përpara, përmes autostradës politike, nëse mund ta quaj ashtu, sepse na ka mbetur në gojë fjala autostradë, që na e ka lënë Ahtisari.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, një dallim i madh ekziston këtu në mes të subjekteve politike të serbëve të qendrës dhe të veriut. Ato nuk komunikojnë me Prishtinën. Në anën tjetër, a ka bërë mjaft Prishtina dhe prania e ndërkombëtarëve që të nxisë komunikimin dhe të fillojë t’i zgjidh problemet me serbët lokal.

BLERIM SHALA
Mendoj që kemi bërë mjaft. Mjaft nuk thuhet kurrë nëse nuk e ke kryer një problem, por kemi ecur në drejtimin e duhur sa i përket raporteve shqiptaro-serbe në këtë pjesë të Kosovës. Kemi ngecur totalisht në veri të Kosovës, me fajin e përbashkët. Ne kemi pasur një rast historik në pranverën e vitit 2008, përfundimisht t’i shpërbëjmë strukturat paralele, pas një sulmi të përbashkët që ia bënë strukturat paralele UNMIK-ut dhe KFOR-it, struktura paralele ndërkombëtare pati të vdekur, pa të plagosur. U pa ashiqare se kush është fajtor për destabilizimin e Kosovës. Ka qenë një rast ideal, i cili u lëshua nga dora, për shkak të hezitimeve të Nju Jorkut dhe të Brukselit. U mendua se hap pas hapi, me këtë idenë që sa më afër është Beogradi te Brukseli, aq më larg do të jetë Beogradi nga veriu, që të bëhet diçka. Po shihet që Beogradi nuk e ka ndërmend të largohet nga veriu, pa e vërejtur që njëmend është kusht pranimi i Kosovës, që Serbia të hyjë në BE. Pra, nuk kemi bërë absolutisht sa duhet, kemi edhe shumë për të bërë në veri. E kemi pasur një strategji të cilën e kemi përshëndetur në janar të vitit të kaluar. Strategjia për veriun e Kosovës, sa i përket përmbajtjes ka qenë shumë e qëlluar, dhe opozita e ka përshëndetur atë. Problemi numër një që ne e hapëm atëherë ishte se cilat janë mekanizmat implementues dhe cili është orari. Nuk mund të funksionojë nëse nuk i ka këto dy elemente kyçe. Mekanizmat implementues dhe orarin. Nëse ka orar të hapur, ajo marrëveshje kurrë nuk zbatohet. Ne prandaj duhet ta kemi një orar të caktuar, të saktë, se deri kur mund t’i shpërbëjmë strukturat në veri, dhe mund të jetësojmë sovranitetin tonë në veri, dhe së dyti mekanizmat implementues. Nuk mundemi, dhe nuk duhet ta bëjmë vetëm ne, duhet të ketë partneritet Kosovë-Perëndim, por po ashtu duhet të ketë partneritet midis nesh dhe serbëve lokal. Ne duhet t’i bindim ata që nëse e lexojnë pakon e Ahtisarit, ka mjaft të drejta aty, sa për t’i plotësuar të gjitha interesat e tyre në shtetin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe përfundimisht, a do të mund të zgjidhet kjo çështje pa Beogradin si faktor?

BLERIM SHALA
Beogradi, duhet të jemi të sinqertë ndaj njëri tjetrit, është pjesë përbërëse e veriut të Kosoves, Serbia është pjesë përbërëse e veriut të Kosovës. Shikoni, pak a shumë, edhe pse ndoshta nuk është krahasimi i saktë, kemi të bëjmë me një situatë të ngjashme me cilën është ballafaquar Kroacia pas bërjes shtet i pavarur në janar të viti 92'. Ju kujtohet që Kroacia nuk i kishte kontrolluar një të tretën e territorit të vet, edhe pse ishte pranuar në kufijtë e njohur nga viti 1974. Kroacia fillimisht është munduar me mjete politike, me konferenca ndërkombëtare të adresojë këtë problem, t’i integroj serbët në Kroaci. Absolutisht nuk kam iluzion që do të kemi telashe të tilla, gjegjësisht jam i bindur që Kosova me mjete politike do ta zgjidhë këtë problem, por kjo do të thotë që në një mënyrë apo tjetrën Beogradi do të jetë pjesë përbërëse e këtyre proceseve. Pikërisht me at logjiken të cilën e përmenda më herët. Beogradi e ka rrugën kah Brukseli dhe duhet të
dalë nga Kosova. Kjo do të ndodhë nëse nga ana e perëndimit në mënyrë të qartë e të prerë siç e thanë deputetët e Bundestagut gjerman, më besoni se do të ndryshojë botëkuptimi dhe pikëpamja e autoriteteve më te larta të Serbisë, sepse Kosova, si problem në Serbi, nëse nuk gaboj sipas një hulumtimi që është bërë rishtazi diku me 78% e
pranishme tek qytetari mesatarë serbë, pra serbët e dinë çfarë ka ndodhë në Kosovë, serbët e dinë që Kosova është e humbur, por politikanët serbë dëshirojnë ta përdorin dhe po e përdorin.

RADO EVROPA E LIRË
Dhe për fund zoti Shala, një problem tjetër më te cilin po ballafaqohet shteti më i ri është çështja e njohjeve. Janë përmendur strategji, lobime, deri tek çështjet e imazhit të Kosovës. Ku kanë ngecur në fakt dhe pse nuk ka njohje? Cili është mendimi juaj?

BLERIM SHALA
Mendoj që gjatë gjithë kohës ne kemi krijuar një përshtypje të rreme, jo objektive. Prej fillimit është ditur që do të kemi telashe. E dini që kam qenë pjesë përbërëse e ekipit të unitetit. Autoritetet më të larta të BE-së na kanë thënë që 22 prej 27 shteteve do të ju njohin si shtet. Nuk kemi pasur iluzione që do të kemi njohje të Sllovakisë, të Greqisë, Qipros e këtyre pesë shteteve. Nuk e di me cilën arsye, por autoritetet e larta të Kosovës, gjithmonë e kanë ditur temperaturën, dhe gjithmonë e kanë krijuar përshtypjen se nuk është problem njohja, ndërsa ne e dimë se kemi probleme shumë të mëdha sa i përket kësaj çështjeje. E kemi humbur hapin, me 22 korrik të vitit të kaluar, kur në vend që të jemi ne në ofensivë, së bashku me faktorin ndërkombëtar, pas humbjes katastrofale të Serbisë, në GJND, ne e lamë Serbinë të vijë në vete, dhe që t’i miratohet një rezolutë me 9 shtator, që ishte shume e dëmshme për Kosovën. Ka qenë dështim total i autoriteteve të Kosovës. T’iu jenë për falë të gjitha dështimet që i ka pasur në të kaluarën, kjo është e pafalshme. E përmendët imazhin. Po si nuk luan rrol imazhi. Nëse ju nuk funksiononi si shtet, nëse keni problem me krim, me korrupsion, dhe rishtazi ju konfrontoheni me FMN-në, e FMN-ja është autoritet në të gjitha shtetet në botë, normalisht që ju keni probleme. Nëse ju filloni dialog me Beogradin, është ditur edhe në fillim që shumë shtete që nuk janë shumë larg njohjes do të thonë më mirë të presim, pse të ngutemi? Të gjitha këto elemente kanë bërë që ne objektivisht të jemi në këtë gjendje se çfarë jemi, dhe Serbia po e shfrytëzon maksimalisht këtë bllokadë totale që na e ka bërë edhe përmes Rusisë, dhe do të provojnë të nxjerrin sa më shumë që është e mundur në mënyrë që koncesioni që do ta dhënë ata të marrë trajtën e anëtarësimit të Kosovës në OKB.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG