Ndërlidhjet

FMN ndikon anëtarësimin në BERZH?!


Fondi Monetar Ndërkombëtar
Fondi Monetar Ndërkombëtar
Njohës të çështjeve ekonomike japin vlerësime të ndryshme rreth anëtarësimit të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Disa thonë se ndërprerja e marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar nga ana e Qeverisë së Kosovës do ta vështirësojë këtë proces, ndërsa të tjerët konsiderojnë se një gjë e tillë nuk do të ndikojë në pranimin e Kosovës në BERZH.


Mosrespektimi i marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar nga ana e Qeverisë kosovare do të ndikojë në përkeqësimin e raporteve edhe me institucionet tjera financiare ndërkombëtare, thonë analistë të rrethanave ekonomike.

Naim Gashi thotë se ndërprerja e kësaj marrëveshjeje do ta vështirësojë anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Dalja e Kosovës nga programi i FMN-së reflekton negativisht jo vetëm në anëtarësimin e Kosovës në BERZH, por edhe në njohjet e Kosovës, sepse FMN-ja ka qenë partneri i vetëm ndërkombëtar kontraktual i Kosovës, ndërsa marrëveshjen e parë ne e kemi prishur”, thotë Gashi.

Ndryshe mendon Bedri Selmani, sipas të cilit Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim nuk ka elemente për të bërë vërjetje për pranimin e Kosovës në këtë institucion.

“BERZH nuk ka asnjë arsye që të mos e pranojë Kosovën si anëtare. Në këtë drejtim, Brukseli patjetër duhet të nxisë që Kosova të jetë anëtare, për shumë arsye”, thekson ai.

Deputetë të partive opozitare, në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, kanë shprehur shqetësimet e tyre se pas ndërprerjes së marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar, vendet anëtare të BERZH-it do të hezitojnë të votojnë pro anëtarsimit të Kosovës.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, thotë se autoritetet kompetente janë duke punuar në këtë drejtim dhe, sipas tij, deri në fund të këtij viti Kosova do të jetë anëtare e BERZH-it.

“Kosova është duke punuar dhe është shumë afër BERZH-it. Jemi afër dhe shpresojmë se, duke punuar të gjithë bashkërisht, brenda këtij viti do të arrijmë të jemi anëtarë të këtij institucioni ndërkombëtar, shumë të rëndësishëm”, shpreh bindjen Hamza.

Por, Naim Gashi thotë se autoritetet përgjegjëse duhet të zbatojnë marrëveshjen e re monitoruese të FMN-së, në mënëyrë që të përmirësojnë imazhin karshi Fondit Monetar Ndërkombëtar, e rrjedhimisht ndaj të gjitha institucioneve financiare ndërkomëbatare.

“Krejt do të varet nga performanca e institucioneve, të cilat inkasojnë të hyra për buxhetin e Kosovës. Nuk është e pamundur që kjo të ndodhë - nuk duhet të ndodhë përmes gjobave të bizneseve, ne duhet të krijojmë parakushte sa më të mëdha për t’i inkurajuar investitorët e jashtëm dhe të marrim inxheksione financiare nga jashtë”.

“Unë besoj se mund të arrihet nëse kemi një rritje të efikasitetit të administratës publike, konkretisht të dikasterëve që kanë të bëjnë me inkasimin e të hyrave për buxhetin e Kosovës”
, thotë Gashi.

Njohës të çështjeve ekonomike thonë se prania e BERZH-it në tregun kosovar është e një rëndësie të madhe për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.
XS
SM
MD
LG