Ndërlidhjet

logo-print

FP: Rruga nga Kabuli në shtëpi


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

"Foreign Policy"

Shkruan: Xhon Keri, kryetar i Komitetit të Senatit amerikan për Marrëdhënie të Jashtme.

Presidenti Barak Obama përmbushi këtë javë një premtim që bëri para popullit amerikan në vitin 2009, se do të fillonte t’i jepte fund luftës në Afganistan.

Vendimi për të tërhequr 33 mijë trupat nga vendi në vitin e ardhshëm, erdhi nga pozicioni i fortë, duke iu falënderuar burrave dhe grave në uniforma dhe homologëve të tyre civilë, që ndihmuan në thyerjen e vrullit të talibanëve.

Ne sollëm Osama bin Ladenin para drejtësisë dhe mundëm al Kaidën në Afganistan.

Tani është koha që të reduktojmë praninë amerikane, dhe afganët të marrin përsipër të ardhmen e vendit të tyre.

Është koha që të fokusohemi në kërcënimet e vërteta: ato që zënë fill në Pakistan.

Ende mbetet shumë punë për t’u bërë, ndërkaq, tërheqja duhet parë vetëm si fillimi i një rruge të re drejt suksesit.

Para amerikanëve dhe afganëve, tani janë dy luftëra të gërshetuara.

E para kundër Mullah Omarit në Afganistanin jugor, grup ky që ka ofruar strehë për Al Kaidën.

Lufta tjetër, ka të bëjë me rrjetin Hakani dhe aleatët e tij në Afganistanin lindor dhe Pakistanin perëndimor, që synojnë goditjen e amerikanëve.

Ndërsa trupat tanë po lëvizin nga jugu në lindje, edhe misioni i tyre duhet të lëvizë nga anti-kryengritja, tek anti-terrorizmi.

Përgjatë kufirit me Pakistanin, ku grupet kryengritëse paraqesin rrezik të madh, ne duhet të vazhdojmë trajnimin dhe të punojmë ngushtë me njësitë elite afgane dhe ushtrinë pakistaneze për t’i çrrënjosur ata njëherë e përgjithmonë.

Nuk do të ketë qetësi për ata që kërkojnë të na dëmtojnë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të punojnë me Pakistanin për të përmbushur interesat edhe në Afganistan edhe në Islamabad.

Por, kjo nuk do të jetë e lehtë, për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, që nga vrasja e Osama bin Ladenit.

Kjo detyrë është e vështirë, edhe për shkak se disa rrjete kryengritësish kanë lidhje të vjetra me shtetin pakistanez, i cili i ka përdorur ata në luftën kundër Indisë, dhe ua ka lejuar strehët, prej nga ata i kanë sulmuar trupat amerikane në Afganistan.

Në të njëjtën kohë, kryengritësit tjerë, kanë sulmuar forcat pakistaneze dhe civilët, duke i lënë të vdekur më shumë se 35 mijë njerëz.

Me gjithë këto dallime, qëllimi është i njëjtë me Pakistanin, sepse ekziston interesi i përbashkët në përfundimin e konfliktit në Afganistan dhe largimin e trupave amerikane.

Edhe zgjidhjes politike në Afganistan i duhet dhënë një shtyrje, dhe për këtë, duhet biseduar, madje edhe me talibanët.

Afganistani duhet ndihmuar edhe në zhvillimin ekonomik dhe të demokracisë së brendshme.

Rruga nga Afganistani për në shtëpi nuk do të jetë e lehtë.

Luftërat nuk përfundojnë brenda natës dhe ne nuk mund të përsërisim gabimet e së kaluarës duke braktisur rajonin.

Edhe pas tërheqjes së trupave, talibanët dhe të tjerët, duhet ta kuptojnë se SHBA mbetet e përkushtuar në plan afatgjatë dhe kurrë më nuk do t’i tolerojë ekstremistët, që kërcënojnë interesat amerikane.

Por, nëse fokusohemi në atë se çka është e nevojshme, e arritshme dhe e qëndrueshme, trupat tanë, mund të shkojnë në shtëpi, duke lënë pas një Afganistan të qëndrueshëm, të aftë për të skicuar vetë të ardhmen e tij. (a.i.)
XS
SM
MD
LG