Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Bisedimet për qeverinë e re


Gjorgje Ivanov

Gjorgje Ivanov

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, nesër apo më së voni deri pasnesër, do t'ia dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë së re kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski - partia e të cilit fitoi në zgjedhjet e 5 qershorit.

Paralelisht me procedurat ligjore për formimin e Qeverisë së re në Maqedoni po zhvillohen edhe negociatat për ekzekutivin e ri mes VMRO-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim - partisë tjetër që fitoi zgjedhjet tek elektorati shqiptar.

Nga kjo parti tashmë kanë njoftuar marrëvëshjen paraprake për ndarjen e posteve ministrore, por nuk janë dhënë ende detaje sa i përket programit të qeverisë dhe përfshirjes në të edhe të çështjeve të hapura, për të cilat BDI-ja kërkon zgjidhje.

Duke komentuar njoftimet nga kjo parti se në qeverinë e re do të ketë 2 poste të zëvendëskryeministrave, 5 ministri, përfshirë edhe atë të Mbrojtjes, 4 zëvendësministra si dhe 5 sekretarë shtetërorë, analisti Albert Musliu thotë se duhet publikuar të gjitha detajet e marrëveshjes, për të dhënë një vlerësim më real.

Sa u përket posteve, shton Musliu, ndarja nuk është edhe aq e favorshme, për faktin se shqiptarët edhe kësaj radhe nuk do të kenë ndonjërin nga postet kryesore në shtet.

“Gjithsesi se këto paralajmërime nuk janë në nivelin që ka pritur opinioni publik shqiptar. Prandaj, mendoj se duhet pritur fundin e bisedimeve për të parë se ku është bërë balancimi. Nëse nuk është bërë diçka e tillë, kjo vërtet do të ishte shqetësuese”, thotë Musliu.

Qeveria e Maqedonisë
Sipas tij, BDI-ja duhet të insistojë që pjesë e programit qeveritar të jetë edhe platforma e saj zgjedhore, si dhe mbyllja e të gjitha çështjeve të hapura, duke mos anashkaluar as zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Për mua koalicion i mirë do të ishte programi i përbashkët qeveritar, pastaj çështjet të cilat kanë qenë të konstetueshme, si: gjuha, rastet e Hagës, statusi i ushtarëve dhe familjet e dëshmorëve të ish-UÇK-së. Ato çështje duhet të përmbyllen”, thotë Musliu.

Ndërkohë, analisti Vlladimir Bozhinovski thotë se partitë fituese të zgjedhjeve gjatë formimit të qeverisë duhet të harmonizojnë programet partiake. Por, ai nuk beson se do të ketë marrëveshje të shkruar.

“Unë besoj se do ta kenë një platformë të përbashkët, në bazë të së cilës do të ndërtoheshin raportet dhe do të miratoheshin vendimet mes partnerëve të koalicionit. Sa u përket paralajmërimeve apo kërkesave që për programin qeveritar të kenë ndonjë marrëveshje të nëshkruar, unë nuk besoj se do të ketë një gjë të tillë“, thotë Bozhinovski.

Se kjo nuk do të ndodhë, shton ai, flet më së miri dallimi mes dy partive për zgjidhjen e çështjes së emrit.

“BDI-ja në programin e saj thekson nevojën për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Kjo, në programin e VMRO-së as që ekziston...”, thotë Bozhinovski, duke mos hyrë në detaje sa i përket marrëveshjes paraprake mes partive fituese për ndarjen e posteve ministrore.

Në bazë të Kushtetutës, qeveria e re duhet të formohet më së voni deri më 10 gusht.
XS
SM
MD
LG