Ndërlidhjet

logo-print

Çeki: U shënua 20 vjetori i zhbërjes së Paktit të Varshavës


Zhbërja paqësore e Paktit të Varshavës, që udhëhiqej nga ish Bashkimi Sovjetik, në vitin 1991, e ka nxitur sigurinë në Evropë dhe ka ndihmuar në bashkimin e kontinentit, thanë sot liderët çekë, me rastin e shënimit të 20 vjetorit të përfundimit të ekzisitimit të kësaj aleance ushtarake.

Vacllav Havell, disident i njohur antikomunist dhe ish president i Çekisë, nëpërmjet një kumtese, deklaroi se “si përfaqësues i vendit që e kryesonte Paktin e Varshavës në atë kohë, unë isha kryesues i samitit përfundimtar në Pragë dhe e shpalla para botës se Pakti i Varshavës, prej atij këtij momenti nuk ekzistonte”.

Zoti Havell nuk mundi të marrë pjesë në Konferencën për këtë zhvillim, për shkak të problemeve shëndetësore.

Ministri i jashtëm i Çekisë, Karel Shvarcenberg, theksoi se rënia e këtij pakti “i ka dhënë shtytje sigurisë në Evropë dhe ka mundësuar unifikimin e Gjermanisë, por para se gjithash, unifikimin e Evropës, proces që ende nuk ka përfunduar”.

Pakti i Varshavës u formua në vitin 1955 dhe u shpërnda më 1 korrik 1991, pas valës së lëvizjeve popullore, që e përmbysën komunizmin në ish satelitët sovjetikë, përfshirë Gjermaninë Lindore, Poloninë, Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë, Çekosllovakinë dhe Shqipërinë.

Shqipëria u largua nga ky pakt në vitin 1968.
XS
SM
MD
LG