Ndërlidhjet

Vendimi i ICO-së nuk befason Prishtinën


Zyra e ICO-së në Mitrovicë do të vazhdojë punën.
Zyra e ICO-së në Mitrovicë do të vazhdojë punën.
Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë ka bërë të ditur se do t’i mbyllë zyrat e saj rajonale në Pejë, Prizren, Gjilan dhe Prishtinë.

Në komunikatën e kësaj zyre thuhet se mbyllja e përfaqësive në këto qytete do të bëhet më 1 shtator dhe se vendimi për këtë hyn në kuadër të, siç thuhet, “riorganizimit institucional në përgjigje të progresit të bërë në zbatimin e dispozitave të Propozimit Gjithëpërfshirës të Statusit”.

Sipas komunikatës së ICO-së, zyra e saj në Mitrovicë do ta vazhdojë punën për të mbështetur, siç thuhet, Qeverinë e Kosovës në krijimin e komunës së re të Mitrovicës së Veriut.

Njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se mbyllja e këtyre zyrave rajonale të ICO-së ka qenë e pritshme.

Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se roli i zyrave rajonale ka qenë mbikëqyrja e zbatimit të Kushtetutës së Kosovës në nivelin lokal, posaçërisht pjesa që lidhet me Pakon e Ahtisarit.

Sadri Ferati
“Meqenëse është arritur progres i kënaqshëm dhe i pritshëm, unë mendoj se nuk është befasuese, por shumë e pritshme mbyllja e këtyre zyrave. Zvogëlimi i këtij kapaciteti nënkupton edhe një progres që po shënohet në këtë drejtim”.

“Zyra Civile Ndërkombëtare me arsye nuk e ka mbyllur zyrën në Mitrovicë. Pra, mbyllja e këtyre zyrave është e pritshme dhe e dëshmon një përparim që e kanë arritur institucionet e Kosovës
”, thekson Ferati.

Ylli Hoxha, nga Klubi për Politikë të Jashtme, thotë se vendimi i ICO-së për mbylljen e zyrave në katër qytetet e Kosovës, si dhe mbyllja graduale e këtij misioni në përgjithësi, nuk paraqesin ndonjë humbje të madhe për sistemin. Ai thotë se gjatë tre vjetëve të fundit nuk është dëshmuar ndonjë "funksion i shkëlqyeshëm i ICO-së".
...kjo tregon se Kosova gradualisht duhet të futet në etapën e re të funksionimit, jo më si protektorat civil, por si shtet i pavarur.

“Vendimi për mbylljen graduale të kësaj zyre del si një domosdoshmëri e kohës. Kjo tregon se Kosova gradualisht duhet të futet në etapën e re të funksionimit, jo më si protektorat civil, por si shtet i pavarur, i cili i merr përgjegjësitë mbi të gjitha aspektet e zhvillimit shoqëror”.

“Kjo, natyrisht do të vërë edhe sfida të reja për Kosovën, por edhe do të kërkojë përgjigje mbi çështjet e hapura që janë brenda Kosovës, siç është çështja e veriut”
, thotë Hoxha.

Sipas tij, paralajmërimi i ICO-së për mbylljen e përfaqësive në disa qytete është shenjë e mundësisë së largimit të misioneve ndërkombëtare nga Kosova.

Hoxha thotë se është koha e fundit për një debat lidhur me çështjen se cila do të jetë gjendja pas largimit të misioneve ndërkombëtare nga Kosova.

“Është koha e fundit që të kyçemi në një debat shumë intensiv, përkitazi me atë se çka nënkupton tërheqja graduale e bashkësisë ndërkombëtare nga Kosova dhe cila do të jetë gjendja në të cilën do ta lërë bashkësia ndërkombëtare Kosovën, sidomos sa i përket veriut”.

“Këtu nuk e kam fjalën vetëm për organizata civile. Kemi një paralajmërim të qartë edhe të aleancës së NATO-s për zvogëlimin e pranisë dhe gradualisht tërheqjen e përgjithshme prej Kosovës. Kjo situatë e re nuk duhet ta gjejë Kosovën në gjendjen e vjetër. Pra, duhet të punojmë që t’i sanojmë të metat strukturore që i ka shteti i Kosovës në këtë moment”
, shprehet Hoxha.

Por, ish-ministri Ferati thekson se përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare do të varet nga rrethanat në veri të vendit.

“Unë mendoj që pikërisht Mitrovica dhe pjesa veriore e Kosovës do të jenë ato që do ta përcaktojnë se sa gjatë është e nevojshme mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës dhe atë jo në mungesë të angazhimit të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës”, thotë Ferati.

Zyrtarët e Zyrës Civile Ndërkombëtare kanë theksuar se mbyllja e zyrave rajonale është një hap i natyrshëm, por që nuk nënkupton se ICO-ja nuk do të ketë më interes në komuna.
XS
SM
MD
LG