Ndërlidhjet

FH: Kosova, demokraci ende e papjekur


Freedom House

Freedom House

Raporti i fundit i Freedom House "Shtetet në tranzicion 2011" e vlerëson si të arriturën më të madhe të Kosovës gjatë vitit 2010 zbatimin e vazhdueshëm të paketës së decentralizimit. Ky i fundit, siç thuhet, ka çuar në krijimin e tri komunave të reja me shumicë serbe më 2009, dhe një tjetre - Parteshit - më 2010.

Parteshi, thuhet në raport, ka dëshmuar një kthim mbresëlënës të serbëve në zgjedhjet e para komunale, duke treguar se shumë pjesëtarë të këtij komuniteti kanë filluar të përfshihen në përpjekjet e shtet-ndërtimit të Kosovës.

Megjithatë, organizata konkludon se nuk ka pasur suksese të mëdha në këto përpjekje gjatë gjithë vitit. Sipas saj, debati kombëtar mbi korrupsionin është intensifikuar në vitin 2010, por përpjekjet për ta luftuar problemin kanë rezultuar me rezultate minimale.

Raporti rikujton se në shtator, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Fatmir Sejdiu nuk mund të shërbejë si president i vendit dhe kryetar i partisë së tij (Lidhjes Demokratike të Kosovës), duke nxitur dorëheqjen e tij, por edhe bazat e një krize institucionale.

Tensionet ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe LDK-së u përshkallëzuan me shpejtësi deri më 15 tetor, kur LDK-ja u largua nga qeveria, duke e lënë PDK-në pa partner kolaicioni apo shumicë paralamentare.

Me pamundësinë e PDK-së për të formuar koalicionin e ri brenda periudhës së caktuar me Kushtetutë, zgjedhjet e parakohshme ishin planifikuar për shkurt të 2011-ës, për t’u riplanifikuar për dhjetor të vitit 2010, pasi 66 nga 120 deputetët i dhanë votën e mosbesimit Qeverisë së PDK-së.

Zgjedhjet e dhjetorit ishin të parat që organizoheshin nga autoritetet kosovare dhe janë parë si provë për demokracinë e re. Freedom House rikujton gjetjet e vëzhguesve për mashtrime zgjedhore në të paktën gjashtë komuna, për të cilat edhe është caktuar rivotimi në janar të 2011-ës.

Për shkak të mangësive në zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme, vlerësimi i Kosovës për procesin zgjedhor përkeqësohet nga 4.25 në 4.50, çfarë, sipas raportit, dëshmon se Kosova mbetet një demokraci e papjekur.

Notimi bëhet nga 1 deri në 7; nota më pozitive mbetet 1-shi.


Shoqëria Civile

Freedom House vlerëson se qëndrueshmëria financiare e organizatave joqeveritare të Kosovës është dobësuar gjatë vitit 2010. OJQ-të thuhet se kanë vazhduar monitorimin e degës legjislative, sundimin e ligjit dhe korrupsionin, ndërsa qeveria ka bërë shumë pak për të stimuluar mbështetjen e iniciativave të tilla. Në përgjithësi, mjedsi për sektorin civil ka vazhduar të jetë armiqësor, thuhet në raport. Vlerësimi i shoqërisë civile në Kosovë mbetet 3.75.


Mediat e Pavarura

Gjatë vitit 2010, Qeveria e Kosovës ka dështuar të zbatojë dispozitat kushtetuese që garantojnë lirinë e medias dhe të shprehjes. Organizata vë në pah se gazetarët dhe mediat e pavarura kanë qenë objekt i kërcënimeve dhe i presioneve të shtetit dhe institucioneve ndërkombëtare. Punonjësit e dy të përditshmeve të pavaruara thuhet se kanë qenë objektiv i shpeshtë i kërcënimeve.

Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe gjyqësori i Kosovës nuk kanë prodhuar vendime në këto raste, ndërsa shoqatat profesionale kanë pasur pak ndikim në përmirësimin e kushteve për media. Qeveria thuhet se ka vazhduar të kontrollojë transmetuesin publik, RTK, dhe të ndikojë në mediat private nëpërmjet reklamave selektive. Për shkak të një rënieje të vazhdueshme të pozitës së gazetarëve dhe zbatimit të pamjaftueshëm të garancive kushtetuese në lirinë e medias, vlerësimi për media të pavaruara në Kosovë përkeqësohet nga 5.50 në 5.75.


Qeverisja Vendore

Si sukses të rëndësishëm gjatë vitit 2010, Freedom House vlerëson krijimin e Komunës së Parteshit, e cila është komuna e katërt me shumicë serbe që krijohet nga mesi i vitit 2009. Në përgjithësi, qeverisja lokale thuhet të jetë përmirësuar gjatë 2010-ës, kur autoritetet kanë vazhduar të shtrijnë kompetencat në qeveritë lokale. Megjithatë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka identifikuar mangësi të shumta në kornizën legjislative të decentralizimit dhe si rezultat ka zgjatur periudhën zyrtare të zbatimit për dy vjet.

Sipas raportit, qeveritë komunale nuk janë ende plotësisht funkisonale, pasi kanë mungesë të personelit të duhur dhe me përvojë. Pavarësisht rritjes së mundësive për përfaqësimin e qytetarëve dhe përmirësimit të vazhdueshëm në funksionimin e qeverisjes vendore, sfida të mëdha mbeten në konsolidimin e këtij progresi, për të kthyer përmirësimet formale në fitime operative. Andaj, vijon raporti, vlerësimi i qeverisjes demokratike në Kosovë mbetet 5.00.


Pavarësia e Gjyqësorit

Gjykata Kushtetuese nxori vendim të pavarur mbi ekskluzivitetin e presidencës, e cila atëherë udhëhiqej nga presidenti Fatmir Sejdiu, duke e bërë atë të japë dorëheqje në mënyrë që të ruante pozitën e tij si udhëheqës i LDK-së. Megjithatë, gjyqësia në tërësi ka vazhduar të përjetojë dobësi strukturore në vitin 2010, thuhet në raportin e Freedom House. Qeveria ka hartuar një numër ligjesh dhe ka bërë thirrje për votimin e tyre, për të filluar reformën gjyqësore, por pavarësia e gjyqësorit dhe autonomia e prokurorisë mbetën të brishta për shkak të vonesave në miratimin e ligjeve.

Verifikimi dhe riemërimi i gjyqtarëve – një element kyç i reformave gjyqësore – u iniciuan, por qeveria ka ndërhyrë në emërimet përfundimtare, thuhet në raport. Sipas të njëjtit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka dështuar të mbrojë procesin e emërimit. Gjykatat në Kosovë thuhet se kanë më pak prokurorë dhe gjyqtarë se vendet e tjera të rajonit dhe se ata varen nga homologët e tyre të EULEX-it. Për shkak të progresit të kufizuar dhe mungesës së vullnetit politik për reforma të mëtejshme, vlerësimi i pavarësisë së gjyqësorit në Kosovë mbetet 5.75.


Korrupsioni

Në Kosovë janë krijuar mekanizma dhe ligje për të kufizuar përfshirjen e zyrtarëve publikë në çështjet ekonomike, por ekziston një mungesë e vullnetit politik për t’i zbatuar ato, vlerëson Freedom House. Gjatë 2010-ës, EULEX-i ka nisur hetimin e rasteve të profilit të lartë të korrupsionit, por asnjëri nga to nuk ka rezultuar me padi apo dënim. Misioni ka nisur hetimet e tij në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit me një bastisje dramatike në zyrat e ministrisë dhe shtëpitë e zyrtarëve të saj, porse nuk janë ngritur akuza kundër ministrit Fatmir Limaj apo kolegëve të tij deri në fund të vitit.

E vetmja aktakuzë e profilit të lartë ishte ajo ndaj Hashim Rexhepit – guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës – i cili u arrestua në muajin korrik, ndërsa akuzohej për mitmarrje dhe keqpërorim të pozitës zyrtare. Një ligj i ri për prokurorimin publik thuhet të jetë miratuar në dhjetor, por ai ende nuk i plotëson standardet e BE-së. Vlerësimi i korrupsionit në Kosovë mbetet në shkallën 5.75.


Parashkimi për 2011

Freedom House vlerëson se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të përmirësojë stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin. Megjithatë, të shumtë janë ata që kanë shqetësime se procesi mund të manipulohet nga interest e Serbisë për të nxitur ndarjen e Kosovës. Roli i Bashkimit Evropian si lehtësues i dialogut mund të dobësohet për shkak të mosarritjes së tij për të unifikuar pozicionin ndaj Kosovës, sovranitetin e së cilës nuk e njohin ende pesë anëtare të Bllokut.

Raporti thekson se Kosova do të luftojë po ashtu edhe për qëndrueshmërinë e koalicionit qeverisës. Sfidë kryesore e qeverisë thuhet se do të jetë rritja e vullnetit politik për të luftuar me sukses korrupsionin dhe krimin e organizuar. Misionet ndërkombëtare do të duhej të ndërmarrin hapa konkretë për zbatimin e plotë të mandatit të tyre, thuhet në raportin e Freedom House.

  • 16x9 Image

    Valona Tela

    Si përgjegjëse për web-faqen e Radios Evropa e Lirë, ekipit në Prishtinë i është bashkuar në vitin 2007. Nga viti 2011 është redaktore emisionesh në selinë qendrore në Pragë.

XS
SM
MD
LG