Ndërlidhjet

Mesazhe nacionaliste nga Vidovdani


Në shënimin e përvjetorit të Betejës së Kosovës, në Gazimestan, serbët mbanin posterët e ish-gjeneralit serb Ratko Mlladiq -28 qershor 2011.

Në shënimin e përvjetorit të Betejës së Kosovës, në Gazimestan, serbët mbanin posterët e ish-gjeneralit serb Ratko Mlladiq -28 qershor 2011.


Me mesazhe politike për Kosovën si tokë të shenjtë serbe, nën drejtimin e Kishës Ortodokse dhe disa udhëheqësve lokalë, mbi 1 mijë pjesëtarë të komunitetit serb kanë shënuar 622-vjetorin e Betejës së Kosovës.

Shënimi i kësaj date ka filluar me një liturgji në Manastirin e Graçanicës dhe më pas ka vazhduar me një tubim në Gazimestan në periferi të Prishtinës.

Kosova u cilësua edhe njëherë si një vend i shenjtë, për të cilën ia vlen të sakrifikohet edhe jeta.

Në një adresim para masës së tubuar në Gazimestan, Patriku Irinej tha se ky vend është i shenjtë dhe i larë me gjak.

Gazimestan, 28 qershor 2011
Kjo është tokë e shenjtë vëllezër dhe motra, të cilën ne nuk guxojmë ta harrojmë. Atë e mbajmë në zemrat tona, ne mendjet tona, e ëndërrojmë dhe zgjohemi duke besuar se Zoti nuk do të na lërë pa Kosovën tonë. Kosovën serbe”, ishin mesazhet e Patriku Irinej.

Ai ftoi serbët të mbeten në Kosovë, kurse të shpërngulurit i ftoi të kthehen.

Më pas, masës i është drejtuar edhe Aleksandër Gjorgjeviq nga familja mbretërore Karaxhorgjeviq, i cili nuk u prit fare mirë nga turma.

Fishkëllimave të turmës, ai u është përgjigjur me thirrjet heshtni, tregoni respekt.

Heshtni....heshtni....tregoni respekt, respekt...”, ishin fjalët që po lëshonte me zë të lartë princi serb.

Më pas edhe ai përçoi mesazhe për Kosovën serbe dhe brohoriste në përkrahjje të kthimit të mbretit në Serbi.

Një qytetar nga Banja Lluka, që po merrte pjesë në këtë tubim, me emrin Zllatimir Nishiq, tha se çdo vit vjen në Kosovë dhe i bashkohet kolonës për të parë vise të ndryshme të Kosovës.

Ai, Kosovën ende e ndien si një vend serb dhe shpreson se një ditë Serbia sërish do të kthehet.

Gazimestan, 28 qershor 2011.
"Mendoj se ne serbët do t’i kthehemi lavdisë së vjetër, ashtu siç ka qenë Car Llazari, Milloshi e të tjerët”, thotë ky qytetar.

Edhe Snezhana Miliqeviq, një qytetare serbe nga Prishtina, që tani jeton në Zelandë të Re, e kishte përjetuar këtë ditë si diçka të veçantë. Për më tepër, asaj i kishte shërbyer që ta shohë Kosovën pas tetë vjetësh.

Jam shumë e lumtur dhe e gëzuar. Kjo është hera e parë pas tetë vjetësh që vij në Kosovë, dhe me vete kam marrë fëmijët dhe motrat”, thotë kjo qytetare.

Ndërkaq, Policia e Kosovës bëri të ditur se në këto manifestime kishte rreth 1 mijë e 500 pjesëmarrës-pelegrinë.

Sipas një komunikate të lëshuar gjatë orëve të pasdites, thuhet se policia ka identifikuar disa raste të provokimeve nga ana e pjesëmarrësve në këto manifestime, por policët thuhet se u janë kundërpërgjigjur atyre me profesionalizëm.

Po ashtu, operacioni i policisë përfshiu edhe sigurinë e kolonës së pelegrinëve, ndërsa u shënuan edhe disa raste të incidenteve, të cilësuara si minore, të hedhjes së gurëve në drejtim të mjeteve motorike.

Në një rast policia ndaloi dhe shoqëroi pesë persona për intervistim, si dhe konfiskoi automjetin e tyre pasi që të njëjtit pas përfundimit të pjesëmarrjes në manifestim, gjatë rrugës, në kthim e sipër, kanë sulmuar me gurë zyrtarët policorë.

Megjithatë, policia konstatoi se provokimet dhe incidentet e ndodhura nuk kanë ndikuar në aspektin e sigurisë për qytetarët dhe pjesëmarrësit në këto manifestime.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG