Ndërlidhjet

Sulmohet hoteli luksoz në Kabul




Sulmi i talibanëve në një hotel luksoz të Kabulit ka lënë të paktën 21 persona të vrarë, përfshirë civilë, policë dhe disa sulmues.

Presidenti Hamid Karzai e dënoi atë që ai e quajti një "akt mizor të terrorit", i cili mori jetën e dhjetë njerëzve të pafajshëm.

Rrethimi i Hotelit Intercontinental përfundoi herët në mëngjes, pasi helikopterët e NATO-s qëlluan për vdekje disa sulmues në çatinë e hotelit, të preferuar nga perëndimorët dhe diplomatët.

Gjashtë deri në nëntë bombardues të armatosur me raketa-hedhës, pushkë dhe xhaketa shpërthyese, kanë hyrë me forcë në hotel duke shkaktuar një betejë që zgjati më shumë se katër orë.

Zyrtarët afganë pohojnë se të gjithë sulmuesit janë vrarë herët në mëngjes. Sipas një deklarate të Ministrisë së Brendshme, tetë persona janë plagosur gjatë sulmit.

Punonjësit dhe mysafirët e hotelit thonë se sulmuesit kanë lëshuar këngë të talibanëve dhe kanë qëlluar çdonjërin që kanë parë gjatë bastisjes së ndërtesës shumëkatëshe.

Përgjigjja e forcave të sigurisë ndaj sulmit thuhet të ketë qenë konfuze, ndërsa mysafirët dhe vizitorët vraponin për të shpëtuar jetën e tyre.

Kështu e përshkroi sulmin një banor lokal për agjencinë Reuters:

“Ishte ora 22 e 30, kur një shpërthim i madh ka ndodhur në brendi të hotelit. Mendoj se ishte sulm vetëvrasës. Pas kësaj, dëgjuam armë zjarri dhe shpërthime. Banorët pranë hotelit ishin të frikësuar dhe kjo vazhdoi deri në 6 e 30 të mëngjesit”, tha Hamid.

“Pasi përfundova lutjet, pash Intercontinentalin në zjarr. Armiqtë e Afganistanit kanë djegur të vetmin hotel interkontinental që kemi pasur në qytet. Ata që qëlluan në këtë hotel, nuk janë afganë. Unë e shikoja tek digjej”, tha Ahmad, një tjetër banor i Kabulit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dënuar sulmin. Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland, tha se "SHBA e dënon ashpër sulmin ndaj Hotelit Intercontinental, i cili edhe një herë tregon mospërfilljen e terroristëve për jetën e njeriut".

Shefi i policisë në kryeqytetin afgan, Ajob Salangi, u tha gazetarëve se hoteli po hetohet dhomë për dhomë.

Hoteli Intercontinental është i njohur për të huajt dhe një vend për konferenca dhe dasma.

Shpërthimi i sotëm ndjek modelin e sulmeve të hoteleve dhe supermarketeve të frekuentuara nga të huajt.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Sedik Sediki, dha këtë deklaratë për Radion Afganistani i Lirë:

“Hetimet kanë filluar dhe janë duke vazhduar. Padyshim, terroristët do të përpiqen të sulmojnë vende të tilla të rëndësishme. Ata duan të qëllojnë zyrtarët e lartë afganë dhe të huajt”, tha Sediki.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Muxhahid, ka pranuar para agjencive të lajmeve se luftëtarët e Grupit Islamik kanë sulmuar hotelin. Muxhahdi ka deklaruar se është shkaktuar një numër i madh i vitimave.

Talibanët shpesh ekzagjerojnë numrin e viktimave në sulmet kundër objektivave perëndimore dhe Qeverisë afgane. (v.t.)

Sulmi në Hotel Intercontinental
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:47 0:00
XS
SM
MD
LG